Niko Nesturi/ Mjaft më me pazare për pronat! Duam drejtësi e zbatim të ligjit!

681
Sigal

APEL PUBLIK, DREJTUAR AMBASADORËVE TË BE, KE, OSBE, PËRFAQËSUESVE TË  B. BOTËRORE, FMN, USAID

Zotërinj të  nderuar, gazetat japin vazhdimisht njoftime se ALUIZNI ka bërë gati lejet e legalizimit për ndërtimet pa leje dhe se Këshilli i Ministrave, në varësi të rasteve të deklaruara, përcakton mënyrat alternative dhe procedurat për shlyerjen e vlerës së parcelës. Në kundërshtim me detyrimin moral dhe kushtetues, z. Artan Lame ka bërë disa here njoftime në TV, për mundësimin e legalizimit të ndërtimeve të paligjshme në zonat turistike. Kjo tregon se përvetësimi nga persona të tretë i tokave turistike, prej vitit 1991 po vazhdon të bëhet edhe sot në emër të ligjit. Në terma praktike kjo është vazhdim i dhunimit të detyrimeve kushtetuese dhe i të drejtës së pronës sipas modelit të Katovicës. Është absurde të mendohet se qeveria ushtron forcën e shtetit për të legalizuar veprimet plotësisht antiligjore. Në analizën juridike të legjislacionit 1991-1998, për kthimin e pronave, të grabitura nga shteti i diktaturës

të organizuar nga “Qendra Shqiptare e të Drejtave të Njeriut” dhe “Zyra Juridike Falas e CAFOD” në Shtator 2000, është analizuar dhe ligji  “Për Zhvillimin e Zonave që kanë  Përparësi Turizmin” nr. 7665, datë 21.01.93, relacioni përkatës i është dorëzuar Kryetarit të Kuvendit, z. S. Gjinushi dhe për qeverinë i është dorëzuar ministrit kundër korrupsionit z. Ndre Legisi. Siç është shkruar edhe në relacionin përkatës në zonat turistike të bregdetit, konstatohen veprime të kundraligjshme në dëm të pronarëve të shpronësuar nga sistemi i diktaturës, madje të dënueshme penalisht, siç janë pushtimet e territoreve të lira, të bëra nga persona juridikë a fizikë pa asnjë titull pronësie apo të drejte tjetër.
Këto veprime janë rezultat i indiferentizmit ose i qëndrimeve abuzive të KRRT-ve dhe të organeve të tjera shtetërore, me pasojë mos kthimit të pronës tek i zoti. Në zonat turistike, platforma e Katovicës është realizuar nëpërmjet Ligjit nr. 7665 dt 21.01.1993, ligj që është financuar nga BERZH dhe B. Botërore. Sipas nenit 1 të këtij ligji, Ministria e Turizmit ka të drejtë të caktojë persona të tretë me titullin “Person i stimuluar”. Në këtë ligj neni 7/ç përcakton: “Të drejtat për t’u angazhuar në një veprimtari të stimuluar i jepen një personi të stimuluar, me kusht që ai të pranojë lidhjen e një marrëveshjeje qiraje me Ministrin e Turizmit, i caktuar në këtë ligj si përfaqësuesi ligjor i pronarit për marrjen në përdorim të truallit së bashku me pasuritë e patundshme, që ndodhen mbi të për të ushtruar veprimtarinë e stimuluar. Ministri i Turizmit mund të lidhë marrëveshje për shitjen e truallit me një person të stimuluar në kushtet e parashikuara në legjislacionin shqiptar”. Kjo dispozitë është haptas e padrejtë dhe jo juridike, se i jep të drejtë titullarit të një institucioni shtetëror, pa asnjë titull pronësie, që të disponojë e të lidhë marrëveshje për tjetërsimin ose dhënien në përdorim të një trualli a pasurie të paluajtshme, që i përket tjetërkujt. Ç’ marrëveshje mund të lidhë ministri apo kryetari i Komitetit të Zhvillimit të Turizmit për një truall a pasuri të paluajtshme që është e pronarit të shpronësuar nga diktatura dhe që nuk po i kthehet këtij të fundit, pikërisht për shkak të asaj pjese të legjislacionit që atakojmë si antikushtetues, gjersa shkel e mohon lirinë dhe të drejtat themelore të shtetasve të shpronësuar nga diktatura, shprehet i ndieri, Av. Piro Totozani, në analizën juridike të këtij ligji. Më tej ai vazhdon: Nonsensi edhe nga pikëpamje e teknikës juridike, del në nenin 13 të këtij ligji, që thotë: “Për çështjet që trajton ky ligj do të zbatohen dispozitat e tij pavarësisht se ç’parashikojnë dispozitat e tjera ligjore”. Cilido që është i interesuar për zgjidhjen e problemit të pronës në faqen e shoqatës pronarëve ëëë.defendingproperty.com do të gjejë të plotë këtë analizë juridike por dhe dokumente të tjera, përfshi projektligjin dhe Apelin që i është adresuar institucioneve drejtuese  të vendit dhe 54 institucioneve ndërkombëtare në Mars 2012. Në vitet e mëvonshme, neni 7/ç i këtij ligji është shfuqizuar dhe Ministria e Turizmit nuk mund të tregojë asnjë rast të vetëm kur  “personi i stimuluar” të ketë vepruar konform ligjit. Në disa shkrime në gazetë, ne e kemi denoncuar publikisht këtë veprimtari të personave të stimuluar si mbrojtje e paligjshmërisë së veprimtarisë së personave të maskuar. Që qeveria të jetë e suksesshme në luftën kundër korrupsionit, ajo duhet të tërhiqet sa më parë nga ky veprim kaq arbitrar i legalizimit të ndërtime që persona të tretë kanë bërë në zonat turistike, pasi në terma praktike, kjo është shkatërrim i autoktonisë së pronarëve të bregdetit dhe konsolidim i kleptokracisë. Ky është gjenocid i pa deklaruar, që po vazhdon në emër të demokracisë dhe duke mashtruar institucionet ndërkombëtare. BE ka theksuar për qeverinë, që legjislacioni për zgjidhjen e problemit të pronës të punohet në bashkëpunim me shoqatat e pronarëve. Ky rekomandim është i drejtë pasi pronarët janë pala e dëmtuar dhe njëkohësisht pala e interesuara, por kjo nuk ka ndodhur, madje shoqatat e pronarëve janë shmangur nga takimet me përfaqësuesit e BE që kanë vizituar Shqipërinë. Anarkia e pronës në Shqipëri është shumë më e rëndë nga sa perceptojnë ndërkombëtarët nëpërmjet relacioneve të reporterëve, që vijnë në Shqipëri, përfshi dhe raportin e fundit të z. Knut Fleckenstain dhe Tania Fajon, që relatojnë se reformat në Shqipëri janë në drejtimin e duhur. Gabimi i reporterëve qëndron në faktin se ata e raportojnë problemin e pronës ashtu siç e paraqesin politikanët tanë, duke pretenduar zgjidhjen nëpërmjet kompensimit, dhe nuk kanë marrë në konsideratë argumentet dhe propozimet tona për zgjidhje. Kjo i ka kushtuar shoqërisë mijëra procese gjyqësore, mijëra konflikte dhe të vrarë që deputetë të ndryshëm dhe kryeministri Edi Rama, i kanë deklaruar publikisht. Gabimin me pronat e pranoi publikisht në vitin 2013 edhe zoti Sali Berisha. Platforma e qeverisë për pronat duhet rishikuar duke marrë në konsideratë propozimet tona dhe detyrimin për zbatimin e detyrimeve kushtetuese. Nëse shteti do të ecë në të njëjtin drejtim siç eci z. Sali Berisha, dhe drejtësia do të vazhdojë të vonohet, anarkia do të thellohet, numri i konflikteve dhe i vrasjeve për shkak të pronës do vazhdojë të rritet, investimet për qëllime turistike do vazhdojnë të jenë në nivelet më të ulëta, fondet e taksapaguesve europianë do vazhdojnë të ushqejnë një sistem që shkel të drejtat e njeriut dhe ndëshkimet nga GJEDNJ do jenë edhe më të mëdha. Theksojmë se reformat në Shqipëri janë në drejtimin e gabuar nëse nuk fillohet me rregullimin e gabimeve të bëra pas vitit 1991 me pronën e grabitur. Kompensimi me 200 m katror, siç e ka deklaruar drejtoresha e AKKP, bie ndesh me nenin 181 të Kushtetutës dhe kuptohet që është truk për të maskuar transferimin e paligjshëm të pronave në zonat turistike. Sipas njoftimit të gazetës “Telegraf” dt. 25.02.2015, përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Tahsen Sayed, ka deklaruar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave se B. Botërore do të japë për Shqipërinë një mbështetje financiare prej 1.1 miliard dollarë, për të përmirësuar situatën financiare. Po kjo gazetë njofton se zoti Stefan Fyle ka deklaruar në Bruksel se BE nga financat e saj, do te investoje 81 milion Euro për reforma në tre prioritete kryesore: në drejtësi, kundër krimit të organizuar dhe reforma në administratën publike. Si mund të pretendohet se reformat janë në rrugën e drejtë se ka drejtësi dhe demokraci kur shteti nuk e kthen pronën e grabitur tek i zoti? Pronarët e kanë bërë gati projektligjin që e zgjidh anarkinë e pronës, në përputhje me Kushtetutën, në përputhje me vendimin pilot të GJEDNJ/2012, por politikanët nuk kanë pasur dëshirën për ta marrë në konsideratë këtë projektligj. Mbështetje kemi pasur vetëm nga Avokati i Popullit, por ai nuk është institucion ligjvënës. Me bindjen se qëllimi i veprimtarisë së ambasadorëve të BE, KE, SHBA dhe drejtuesve të B. Botërore, FMN, USAID etj., është zbatimi i parimeve bazë të demokracisë dhe ndihma konkrete që Qeveria Shqiptare të  futet në rrugën e zgjidhjes së drejtë të këtij problemi bazë të të drejtave të njeriut, ndjej detyrimin moral dhe qytetar të bëj publik këtë Apel, që treshja e ambasadorëve kryesorë, përfshi përfaqësuesit e B. Botërore, FMN dhe USAID, të shtojnë ndihmat për Shqipërinë por ti kushtëzojnë ndihmat e tyre financiare dhe mbështetjen politike për shtetin shqiptar me kushtëzimin dhe detyrimin paraprak që Qeveria të kërkojë nga Parlamenti që të vendosë shpalljen e pavlefshmërisë dhe pezullimin e te gjitha efekteve të zbatimit të derisotëm të ligjeve dhe akteve normative që bien ndesh me nenet 41 dhe 181 të Kushtetutës në fuqi. Po ashtu, t’i kërkojnë Qeverisë hartimin dhe miratimin në kuvend të një ligji që të zbatojë të drejtën e pronës, konform nenit 181 të Kushtetutës, që subjektet e shpronësuar në zonat turistike, të kompensohen vetëm konform nenit 42 të kushtetutës, kur prona e tyre shfrytëzohet për nevoja publike. Të njëjtën gjë ka kërkuar vazhdimisht edhe shoqata “Pronësi me Drejtësi” por kërkesa është anashkaluar. Fondet e ofruara më japin bindjen dhe shpreh besim në mirëkuptimin nga ana përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare.