Niko NAKO/ Ujësjellësit sh.a vazhdojnë të “hanë veten”

840
Sigal

* KLSH

 Në se pa energji elektrike mund të rrish edhe 1 javë, pa ujë nuk mund të rish as 1 ditë, ku çmimi dhe fatura e ujit nuk shkon më tepër se 1 kafe në ditë dhe kur uji është jetik për njerëzit, atëherë pse nuk paguhet? Se mos mbas debitorëve të energjisë duhet të vazhdohet edhe me debitorët e ujit të pijshëm, sidomos bizneset? Duke u falur kamat vonesat dhe caktimin e një afati shlyerje prej një harku  kohor prej 3-6  muajsh. I pengon mentaliteti i vjetër se pritet falja e radhës, pamundësia për të paguar apo mungesa e organizimit dhe zbatimit të ligjit, më tepër qëndron kjo e fundit. Programi i Qeverisë Shqiptare për vitet 2010-2014, si objektiv kryesor në këtë sektor ka qenë decentralizimi dhe komercializimi i mëtejshëm i tij për të bërë të mundur që shërbimi i ujësjellës kanalizimeve të jenë me vetëfinancim, me një plan afatgjatë dhe të qëndrueshëm, me synim përmirësimin e treguesve të punës dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve ndaj konsumatorit. Masat në këtë sektor kanë qenë në tre drejtime: ligjore, administrative, projekte dhe financime. Në Shqipëri ekzistojnë 59 Shoqëri ujësjellësi dhe/ose kanalizimesh. Shoqëritë e ujësjellësit kanë qenë më parë në pronësi të Ministrisë se Ekonomisë, por në zbatim të Vendimit të KM nr. 660, datë 12.9.2007 “Përtransferimin e aksioneve të shoqërive të ujësjellësve dhe kanalizimeve njësive të qeverisjes vendore“. Aktualisht, të gjitha Shoqëritë u transferuan dhe kanë ngritur Këshillat e rinj Mbikëqyrës nën pronësinë e qeverive vendore. Prej tyre, dy shoqëritë më të mëdha-në kryeqytetin e vendit Tiranë dhe në Durrës, mbajnë mbi një të tretën e popullsisë.Pavarësisht se de jure rreth 59 ujësjellës sha, u janë transferuar Bashkive të qyteteve, por në fakt ky transferim ka mbetur vetëm në letër, pasi ujësjellësit funksionojnë si më parë, duke mos përmendur ujësjellësit e komunave të cilët nuk janë në gjendje ti menaxhojnë ato si nga kostoja e mbajtjes dhe mënyra e arkëtimit dhe menaxhimit të ardhurave. Ndërkohë për auditimin e tyre nuk është ngarkuar ndonjë strukturë shtetërore me arsyetimin se  Ujësjellësit sh.a, kanë auditin e tyre te brendshëm. (kur disa prej tyre nuk kanë fare struktura auditi)

Performanca e Shoqërive të ujësjellësit në Shqipëri është e dobët. Uji që nuk sjell të ardhura, pjesa e ujit që prodhohet e futet në sistem por që nuk gjeneron asnjë të ardhur, është në nivel të larte prej 70 përqind, pjesërisht për shkak se vetëm 44 përqind e lidhjeve në shkalle vendi janë të pajisura me matës. Shumë pak Shoqëri anonime sot janë në gjendje të mbulojnë plotësisht kostot e operimit dhe të mirëmbajtjes nga të ardhurat veta. Për të mos ndërprerë furnizimet me ujë, Qeveria është e detyruar të alokojë subvencione për të mbuluar kostot operacionale të Shoqërive dhe shërbimin e borxhit që ato kanë akumuluar. Subvencionet operacionale shkojnë deri 16.9 milion US$ në vit, ose rreth një e treta e kostove direkte operacionale. Organet drejtuese të Shoqërive anonime të Ujësjellësve përbëhen nga Asambletë e Aksionerëve, Këshillave Mbikëqyrës dhe Drejtori i Përgjithshëm. Por nga auditimet rezulton se nga disa Këshilla Mbikëqyrëse nuk trajtohen dhe merren në analizë, gjendja financiare e Shoqërive, por miratimi i pasqyrave financiare bëhet formal,madje pa u ndalur në asnjë rast në arkëtimin e debitorëve, si “Thembra e Akilit” për këto Shoqëri. Për të argumentuar pse krijimi i Shoqërive anonime të Ujësjellësve, sh.a, nuk ka arritur pritshmërinë e qëllimit të krijimit të tyre, po trajtoj disa të dhëna që u konstatuan në Ujësjellësin sh.a, Berat-Kuçovë, e cila konsiderohet si një Shoqëri me performancë dhe me tregues të kënaqshëm, likuiditeti dhe niveli arkëtimi,etj. Kështu, rezulton se Shoqëria Ujësjellës sh.a. Berat-Kuçovë më datën 30.11.2014 ka 2 kredi afat gjata për shumën 9,370,771 € (njërën kredi në vlerën 6.6 milion Euro me Bankën Gjermane të miratuar me ligj të Kuvendit, dhe tjetra për vlerën 2,8 milion Euro të miratuar nga Asambleja e Aksionarëve, lidhur kontrata deri më 30.11.2014 për rreth 1 milion € me një bankë private shqiptare ). Për dy vitet 2012-2013 nga këstet vjetore të Kredisë Bankës Gjermane duhet të shlyheshin 77.000.000 lekë, i është likuiduar Ministrisë së Financave vlera 32.200.000 lekë dhe më datën 30.11.2014 ka mbetur pa u likuiduar edhe vlera prej 44.800.000 lekë, kredi e cila është riskeduluar për vitet e ardhshme. Bazuar në ligjin nr. 10418, datë 21.4.2011” Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”, Kap II.1- Falja e detyrimeve tatimore, u falën pra, u fshinë borxhet që kishin konsumatorët familjarë dhe jo familjarë nga regjistrat kontabël, pra gjithë debitorët e ujit të pijshëm deri në fund të vitit 2008 me qëllim që Shoqëritë anonime të Ujësjellësve të mos mbartnin borxhet e viteve të kaluara. Në këtë kuadër Ujësjellësi sh.a, Berat-Kuçovë, ka kaluar në humbje rreth 120,000,000 lekë debitorë. NdërkohëUjësjellësi sh.a, Berat-Kuçovë përsëri për periudhën 6-7 vjeçare 2009-2014, ka krijuar debitorë të rinj në vlerën prej rreth 200,000,000 lekë. Ujësjellësi sh.a, Berat-Kuçovë, deri më datën 31.08.2014 numëronte 25,183 abonentë, prej tyre 5087 abonentë nuk paguajnë fare më një vlerë prej 193,916,198 lekë ose në masën 20%, prej tyre 1654 abonentë kanë një detyrim mbi 50,000 lekë ose në vlerën prej 135,798,508 lekë. Për tu përmendur është fakti se ekzistojnë debitorë edhe 330 lokale private në vlerën prej  12,972,853  lekë, nga të cilat 73 abonentë  privatë kanë një detyrim mbi 50,000 lekë. Ndërkohë, ndaj abonentëve të cilët nuk paguajnë faturat e ujit të pijshëm nuk u është kryer ndërprerja e ujit të pijshëm, duke mos zbatuar VKM nr. 236, datë 10.05.1993 “Për administrimin dhe furnizimin me ujë tek përdoruesit familjarë dhe jo familjar” i ndryshuar me VKM nr. 96, datë 21.2.2007 dhe Udhëzimi i Ministrit të Rregullimit të Territorit dhe Turizmit nr. 3, datë 28.07.2004, “Për administrimin e ujit të pijshëm” dalë në zbatim të VKM nr. 236, datë 10.05.1993 i ndryshuar.Pika 4, ku përcaktohet se: Në rast se konsumatori nuk paguan detyrimin, që ka ndaj ndërmarrjes së ujësjellësit, në bazë të kontratës për furnizimin me ujë, detyrohet të paguajë një shtesë për kamatëvonesë 0.5 për qind të vlerës së konsumit të ujit për çdo ditë vonese, por jo më shumë se 10 për qind. Nëse pagesa nuk kryhet brenda 30 ditësh, ndërmarrja e ujësjellësit ndërpret furnizimin me ujë. Shpenzimet e kryera nga ndërmarrja e ujësjellësit, për rilidhjen e konsumatorit me rrjetin e furnizimit me ujë, të përballohen nga konsumatori. Edhe pse  në Ujësjellës sh.a, Berat-Kuçovë gjendja e debitorëve është shqetësuese nuk është kërkuar që të zbatohet ligji nr. 8975, datë 21.11.2002 ndryshuar me ligjin nr. 9286, datë 30.09.2004 “Për trajtimin e Faturave Titull Ekzekutiv”. Nga të dhënat e paraqitura rezulton se 33 punonjës të vetë Ujësjellës sh.a, Berat-Kuçovë, më datën 20.11.2014 kanë qenë debitorë për ujin e pijshëm në vlerën 998,401 lekë. Po kështu figurojnë debitorë edhe 21 punonjës të ndërmarrjeve në vartësi të Bashkisë Berat në vlerën 1,139,182 lekë. Është  e pafalshme që nga njëra anë të marrësh kredi dhe të paguash interesa dhe nga ana tjetër të mos mbledhësh faturat e ujit të pijshëm. Falja e faturave të pa likuiduara të vitit 2008, ka ndikuar për keq në disa abonentë, pasi ata abonentë që janë të rregullt dhe që paguajnë e pësojnë, ndërkohë që abonentët që nuk paguajnë presin ”Faljen” e radhës, nga vlera e debitorëve prej 200,000,000 lekë, rreth 120,000,000 lekë janë debitorë nga viti 2008), pa lënë mënjanë “karshillëkun” që u bëjnë qytetarëve që paguajnë. Ndoshta Qeveria i kthen sytë edhe nga debitorët e ujësjellësve pse jo edhe për faljen e kamat vonesave, por jo të vlerës faturave. Ujësjellësit sh.a, duhet  të ndryshojnë metodën dhe për arkëtimin e debitorëve duhet të zbatojë kuadrin ligjor në fuqi duke kryer ndërprerjen e ujit të pijshëm dhe mos përjashtuar edhe njoftimet në Tv-Lokale, apo deri në botimin e debitorëve në shtypin e përditshëm. Nga shoqëritë e Ujësjellësve duhet të përgatiten njoftimet me shkrim për secilin abonent, pasi një pjesë e tyre  neglizhojnë, ose jetojnë jashtë vendit dhe nuk janë në gjendje të njihen me detyrimet për faturat e ujit të pijshëm. Me rekomandimin dhe ndërhyrjen e audituesve të KLSH, gjatë periudhës së auditimit në Ujësjellës sh.a, Berat-Kuçovë u krijuan grupe pune, u bënë  njoftimet në Tv-Lokale dhe u bë e mundur që të dyfishohet arkëtimi i debitorëve të ujit të pijshëm.Nuk mund të flasim për menaxhim në Shoqëritë anonime të Ujësjellësve, kur në pjesën më të madhe të administratës së tyre duke përfshirë edhe drejtuesit dhe Këshillat mbikëqyrëse nuk njohin dhe jo më të flitet për zbatimin e ligjit nr. 10296, datë 8.7.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin” dhe Udhëzimin e Ministrit të Financave nr. 30, datë 27.12.2011 “Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik”. Mbas 8 vjetësh, mendoj se ka ardhur koha që, të rishihet forma e organizimit të Ujësjellësve sh.a, duke gjetur formë tjetër organizimi më të përshtatshme dhe më efektive. Ato duhet të  ndryshojnë Statusin Juridik dhe të kalojnë në vartësi të Këshillave Bashkiake dhe të trajtohen si struktura te saj. Shembull janë Drejtoritë e Përgjithshme te Punëtoreve nr. 1,2 dhe 3 në vartësi të Bashkisë Tiranë.

 Shënim: Problematika e trajtuar në këtë shkrim shpreh opinion individual dhe jo opinion zyrtar të KLSH..