Niko NAKO/ Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe policitë vendore

821
Sigal

Bazuar në Vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 313 të vitit 2002 dhe nr. 279 të vitit 2005 dhe sipas ndarjes administrative në Republikën tonë, në të 60 bashkitë dhe 308 komunat e vendit, strukturat e Policive të bashkive dhe komunave punësojnë 1,224 punonjës policie. Bashkia e Tiranës ka 240 punonjës policie, bashkitë Elbasan, Shkodër, Durrës,Vlorë, kanë në strukturë nga 20 punonjës policie, e me radhë. Dua të ngre disa probleme dhe shqetësime, që janë konstatuar gjatë auditimeve nga ana e KLSH-së në disa njësi të qeverisjes vendore.

 Përzgjedhja e punonjësve të Policisë Bashkiake dhe të Komunës bëhet nga titullari

 Kemi konstatuar se nuk kryhet procesi i përzgjedhjes së punonjësve të Policisë Bashkiake dhe të Komunës. Në mjaft raste, emërimet e punonjësve të Policisë Bashkiake e Komunës, janë bërë direkt nga titullari, pa organizuar komisione të posaçme, të cilat të kryesohen nga Përgjegjësi i Policisë së Bashkisë apo komunës  dhe në përbërje të komisioneve të jenë edhe të deleguar nga Prefektura e Qarkut, si dhe përfaqësues nga Komisariati i Policisë së rrethit. Pjesa më e madhe e punonjësve të policisë bashkiake e komunës, nuk kanë arsimin e duhur, pasi janë me arsim të mesëm. Ata jo në të gjitha rastet kanë marrë formimin në Akademinë e Rendit Publik, apo Akademinë e Policisë së Rendit.

 Mungesa e urdhrave nga titullari për vjeljen e detyrimeve tatimore

Gjithashtu, në mjaft raste, administrata tatimore dhe kryetarët e bashkive apo komunave nuk nxjerrin urdhrat përkatëse për pagesën e detyrimeve tatimore të përcaktuara në ligj. Një ndër detyrat e rëndësishme të policive bashkiake apo komunës është dhe disiplinimi i pagesës së detyrimeve tatimore, ku policia duhet të  sigurojë zbatimin e urdhrave të nxjerra nga Kryetari i bashkisë apo komunës, në lidhje me personat juridikë ose fizikë, që nuk plotësojnë, konform ligjit, detyrimet financiare e fiskale, ndaj bashkisë apo komunës, si dhe çdo detyrim tjetër pasuror ndaj tyre. Nga auditimet e kryera nga KLSH, rezulton se kjo detyrë nuk është zbatuar plotësisht, pasi mjaft kryetarë bashkie apo komune nuk nxjerrin fare urdhra për pagesën e detyrimeve tatimore dhe në këto kushte  s’ka se çfarë të zbatojë policia. Për pasojë, mjaft subjekte nuk paguajnë detyrimet tatimore me vite. Nuk përjashtohen edhe rastet që kryetari i Bashkisë apo komunës mban si shoqërues policin e bashkisë, si në bashkinë e Fierit, ku një punonjës policie nuk kishte vendosur asnjë gjobë, pasi ishte caktuar me shoqërimin e kryetarit të bashkisë.

 Kompetencat e Policisë Bashkiake/të Komunës, simbolike

 Nga ana tjetër, kompetencat që u jep ligji punonjësve të Policisë Bashkiake dhe të Komunës, janë  mjaft simbolike dhe aspak ndikues ndaj personave kundërvajtës. Sipas ligjit “Për policinë bashkiake dhe të komunës”, për shkeljet e vërejtura punonjësit e policisë së bashkisë dhe të komunës kanë të drejtë të  gjobitin në vend personat përgjegjës në masën 500 deri në 5000 lekë. Kundërvajtësit janë të detyruar të paguajnë gjobën brenda 5 ditëve nga data e dhënies. Për çdo ditë vonesë, gjoba paguhet me kamatë 2 për qind. Por edhe pse vendosen gjoba, ato nuk vilen brenda afatit ligjor dhe për pasojë, ato parashkruhen dhe personat shkaktarë nuk vihen para përgjegjësisë për pagesën e gjobës. Gjobat në pjesën më të madhe të bashkive dhe komunave janë zbatuar, por masa e ulët nga 500-5000 lekë, nuk ndikon në evitimin e shkeljeve, pasi ajo është mjaft simbolike. Edhe kur është zbatuar nga disa punonjës policie, fletë gjobat nuk janë arkëtuar, duke kaluar afatet  ligjore dhe duke u parashkruar.

 Egzistenca e subjekteve të paregjistruara në QKR

 Pothuajse në të gjithë teritorin e vendit, si në qytet, edhe në fshat, ende ka subjekte të parregjistruara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR), të cilat nuk paguajnë taksa. Edhe pse nga ana e administratës tatimore vendore dihet se subjektet e paregjistruara në QKR kryejnë aktivitet të paligjshëm, atyre nuk u mbyllet veprimtaria, duke vepruar në kundërshtim me ligjin “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Sipas këtij ligji, për  subjektet e paregjistruara në QKR, mund të vendoset edhe masa e gjobës prej 25,000 lekësh, por këtë masë ligjore, pak administrata tatimore vendore e zbatojnë. Nga ana tjetër, edhe fenomeni i ndërtimeve të kundraligjshme nuk është ndalur. Sipas ligjit “Për policinë bashkiake dhe komunës”, i  ndryshuar, policia e  bashkisë dhe komunës ngarkohet të ndalojë dhe shmangë e prishë ndërtimet e paligjshme, të ndalojë zëniet e paligjshme të trojeve dhe të ndërtesave e objekteve publike të bashkisë apo komunës si dhe të organizojë lirimin e tyre. Nga auditimet e KLSH-së, rezulton se ndaj kësaj detyre të përcaktuar në ligj, policia bashkiake dhe e komunës është pothuajse indiferente dhe nuk ka vepruar. Një qytetar çan rrugën, një tjetër prish tubat e ujësjellësit, kalon me makineri të rënda në bulevard, ndot ambientin etj, pra kryen shkelje të cilat përbëjnë kundërvajtje administrative. Në këto raste, vendoset masa e gjobës deri në 20,000 lekë, sipas ligjit “Për  kundërvajtjet administrative”. Por, kjo masë nuk zbatohet, pasi një pjesë e punonjësve të bashkive dhe komunave as që e njohin, dhe jo më ta zbatojnë këtë dispozitë ligjore.

 Policia Bashkiake s’ka kompetenca për subjektet e paregjistruara

 Po pse nuk vepron Policia Bashkiake për subjektet e paregjistruara? Jo se nuk do, por se nuk e ngarkon ligji. Me ndryshimet e ligjit në vitin 1997, Policisë Bashkiake iu hoqën  kompetencat që kishte për inspektimin e  tregjeve, kontrollin e  zënies së vendeve për tregëtinë ambulante, verifikimin e  pajisjes me licencë të tregëtarëve dhe personave të tjerë që merren me veprimtari shitblerje, me tregëtimin e pijeve alkolike, objekteve me vlera artistike e kombëtare, lëndëve djegëse, kontrollin e respektimit të masës, peshës dhe çmimit të shitjes. Nuk ka bashkëpunim ndërmjet policisë bashkiake dhe të komunës me llojet e tjera të policive, si ajo e Rendit, Policisë Pyjore, të Qarkullimin Rrugor, Policisë Private, etj. Të gjitha rrugët janë të bllokuara nga shitësit ambulantë dhe në çdo lagje ka subjekte pa leje dhe nuk bëjmë gabim të themi që një pjesë e policëve mbyllin njërin sy dhe bëjnë sikur nuk i shikojnë dhe askush nuk përgjigjet apo ndëshkohet.

Lind pyetja: A kanë detyrime kryetarët e bashkive dhe  komunave për plotësimin e kushteve dhe infrastrukturës, të Policisë Bashkive dhe Komunave? Ligji  “Për Policinë Bashkiake dhe Komunës” ka vendosur edhe detyrime për drejtuesit e njësive të qeverisjes vendore, që efektivat e policisë së bashkisë dhe të komunës t’i pajisin me mjetet teknike e speciale si; mjetet e komunikimit (radio dhënëse-marrëse, telefon), mjete transporti, (autoveturë, mikrobus për trupa), etj. Në pjesën më të madhe të bashkive dhe komunave kjo detyrë nuk ka gjetur zbatim. Rrallë shikon polic të komunave me uniformë, strukturat e policisë nuk kanë mjete transporti, pagat janë mjaft të ulëta. Megjithëse punonjësit e Policisë Bashkiake dhe të Komunës janë  punonjës të armatosur, ata nuk trajtohen me statusin e ushtarakut, gjë që do të  ndikonte drejtpërsëdrejti në efektivitetin e punës së Policisë Bashkiake dhe Komunës. Ka ardhur koha për një riorganizim të përgjithshëm të kësaj strukture duke synuar që secili punonjës policie të  përgjigjet  para ligjit për zonën që mbulon. Por nuk ka  si të përgjigjet pasi mungon detyrimi ligjor. Puna dhe efektiviteti i Policisë Bashkiake dhe Komunës është i lidhur fort me administratën tatimore, pasi kjo e fundit në realizimin e të ardhurave kërkon edhe mbështetjen e Policisë Bashkiake dhe të Komunës.

Ftoj median, si të shkruar edhe atë vizive, sidomos TVSH, për të cilët shqiptarët paguajnë taksa, radiot lokale, të cilat dëgjohen  nga një audiencë e madhe dhe japin një kontribut në bërjen prezent të ligjit dhe ndërgjegjësimin e njerëzve që të paguajë taksat, për të hapur një emision apo rubrikë për trajtimin e problemeve ekonomike dhe veçanërisht për grumbullimin e tatimeve dhe taksave vendore. Të mos harrojmë se në Greqi, një nga elementët gërryes të ekonomisë greke ka qenë korrupsioni dhe mosfunksionimi i strukturave të kontrollit, që ka sjellë dhe mospagimin e taksave dhe tatimeve, si dhe indiferentizmin e plotë të administratës publike vendore.

 *Auditues i Lartë në Kontrollin e Lartë të Shtetit