Ëngjëll Musai: SHBA-të më pranë Kosovës, më larg Shqipërisë

Vota e delegacionit shqiptar kundër SHBA në Asamblenë e Përgjithshme të OKB shënoi ndoshta çarjen më të madhe të Shtëpisë të Bardhë me qeverinë e “Rilindjes” së Kryeministrit Rama. Kjo votë kundër SHBA nuk ndryshoi edhe pse Presidenti Trump kishte paralajmëruar se nëpërmjet saj do të evidentoheshin kush ishin miqtë dhe kush ishin armiqtë e SHBA-ve. Këtë paralajmërim e përforcoi edhe ambasadorja e SHBA-ve në OKB Nikki Haley e cila gjatë vizitës simbolike në konsullatën e Kosovës në SHBA kërkoi mbështetjen për rezolutën në favor të propozimit amerikan. Në të kundërt, ajo paralajmëroi se Uashingtoni dhe Presidenti Trump do të nxjerrë nga lista e mbështetjes financiare, pse jo edhe politike të gjitha ato vende që do deklarohen kundër SHBA-ve. Ndërkohë që ditën e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë diskutohej Rezoluta e opozitës ku do i kërkohej ndjesë SHBA-ve për këtë votë, e cila në fund të fundit, binte ndesh edhe me vullnetin politik të vetë popullit shqiptar që në masën e 90% është pro Amerikës, Partia Socialiste Shqiptare e rrëzoi “Rezolutën ndjesë të opozitës” dhe në vend të saj miratoi një rezolutë tjetër pa lidhje, pa ndjesë duke treguar se ai votim kundër SHBA-ve ka qënë i paramenduar mirë. Krejt e kundërta ndodhi me vëllezërit kosovarë, të cilët nëpërmjet Presidentit Thaçi dhe qeverisë Haradinaj deklaruan se, nëse do kishin të drejtën e votës ajo do ishte në mbështetje të SHBA-ve. Dhe SHBA-të dinë të vlerësojnë miqtë dhe, kjo më shumë se kurrë u pa dje me prezencën e H. R. McMaster, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare të Amerikës në takimin me funksionarët më të lartë të shtetit të Kosovës, Presidentit Thaçi dhe Kryeministrit Haradinaj duke u përcjellë atyre dhe, nëpërmjet tyre, popullit të Kosovës mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve dhe Presidentit Donald Trump.