Ëngjëll Musai: Libri shqiptar dhe tepsia 70 euro për metër katror e panairit

Ëngjëll Musai
Drejtor i Gazetës “Telegraf”
Sot në Pallatin e Kongreseve orën 09.00, hapet Panairi i 20-të i Librit “Tirana 2017”, i cili do të qëndroi i hapur deri ditën e diel, datë 19 nëntor, ora 21.00. Sipas organizatorëve të saj, Shoqata e Botuesve Shqiptarë të publikuar edhe në faqet elektronike thuhet me të drejtë se “ Panairi i Librit është në një ngjarje të rëndësishme kulturore për botën shqiptare, që do të ketë si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim në harkun kohor të një viti nëntor 2016-nëntor 2017. Ky panair bashkon të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe: autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medias etj, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht te të rinjtë, në kushtet e mungesës së sistemit të shpërndarjes së librit në vendin tonë”. Në parim kjo deklaratë është plotësisht e vërtetë, pasi libri shqiptar vuan nga shumë gjëra dhe se botuesit , shkrimtarët, poetët kanë vështirësi të panumërta, ashtu sikurse vetë organizatorët e këtij panairi e kanë konstatuar kur flasin për mungesën e sistemit të shpërndarjes së librit në Shqipëri. Dhe shteti hesht, ministria e Kulturës është e pafuqishme për shkak të fondeve, “Institucioni i Librit” si nocion po jep shpirt, por më e rënda është kur goditjen e fundit “vdekjeprurëse “ këtij “Institucioni të Librit” ia japin vetë ata që kanë për mision ringritjen dhe gjetjen e shtigjeve për të gjetur rrugën e dritës dhe për të dalë njëherë e mirë nga tuneli i errësirës ku është “magazinuar” Libri Shqiptar. E themi këtë, pasi ka vite që një pjesë e së keqes, Librit po i vjen nga vetë ata që kanë mision ta lehtësojnë barrën e madhe dhe të pamundësisë së blerjes së librit. Për të qenë më konkret po japim një shembull që, jo vetëm është fyes për botuesit dhe shkrimtarët, por është dhe duhet të jetë edhe objekt i hetimit të krimit ekonomik, tatimeve, ministrisë së Kulturës, KLSH dhe organeve të tjera të specializuara. Behet fjalë për çmimin për metër katror të sipërfaqes që Shoqata e Botuesve Shqiptarë në cilësinë e organizatorit u ka ofruar shtëpive botuese, shkrimtarëve dhe subjekteve e tjera pjesëmarrës në këtë panair. Ky debat është bërë edhe në panairet e tjera në këto vite dhe është shumë e rëndë që pjesëmarrësve t’u ofrohet një çmim prej 70 euro për metër katror për katër ditë pjesëmarrje. Nëse një shtëpi botuese, shkrimtar apo subjekt tjetër pjesëmarrës ka marrë 40 metra katror (6 m x 7 m) që është më normalja, pasi do mbajë librat ,do presë shkrimtarë, qytetarë, do japin nënshkrimet etj.etj. do të duhet t’i paguajë Shoqatës së Botuesve Shqiptarë 40 m x 70 euro = 2800 euro ose 3 milionë e 800 mijë lekë për 4 ditë. Edhe apartament ta kishte marrë me qira në Tiranë me 200 mijë lekë në muaj, me këtë sasi lekësh do paguante qiranë për 19 muaj. E njëjta llogari duhet bërë edhe për subjektet e tjera që kanë marrë më pak ose më shumë metra katrorë. Por Pallati i Kongreseve ua jep individëve, shoqatave dhe kujtdo sipërfaqen e hollit të saj me një çmim qesharak që kushton në bazë të kateve. Kati i parë kushton 3000 mijë lekë të vjetra për metër katror, ndërkohë që botuesve u jepet 70 euro për metër katror ose 100 e 5 mijë lekë. Katet e sipërme jepen me 2500 lekë të vjetra. Kaq mjafton për të treguar se sa poshtërsi u bëhet botuesve, shkrimtarëve dhe njerëzve të librave nga “bejlerët” e shoqatave të tyre. Ndoshta qeveria që e ka nën administrim është treguar bujare dhe më lirë se kaq nuk se çfarë t’u bëjë botuesve, shkrimtarëve, poetëve, gazetarëve dhe kujtdo që i do librat. Dhe, nëse organizatorët e panairit do të kishin vendosur një çmim simbolik atëherë edhe vetë subjektet e interesuara do të ulnin çmimet, për të shitur sa më shumë libra për fëmijë, artistikë, shkencor dhe gjithçka tjetër. Dje në një shkrim në “Telegraf” një admirues i librit nga qyteti i Vlorës theksonte : “Libri ndriçon mendjen dhe mendja ndryshon botën”. Kohët kanë ndryshuar dhe këtë duhet ta kuptojnë në radhë të parë ata që merren me organizimin e këtij panairi.