Ëngjëll Musai: Katër vjet pa Sokol Olldashin

4 vite nga aksidenti tragjik që i mori jetën ish- ministrit demokrat Sokol Olldashi.

Në historikun e pluralizmit shqiptar, jeta e liderëve të politikës ka dëshmuar se ata kanë punuar shumë për t’i tërhequr qytetarët nëpër parti të ndryshme, duke i ndarë ata nëpër kampe të Majtë e të Djathtë. Ndërsa vdekja e Olldashit dëshmoi se ai ka punuar kurdoherë për t’i bashkuar shqiptarët duke shërbyer si çengel shprese për aspiratat dhe ëndrrat e tyre. Në punën e tij të përditshme rezultative, numërohet suksese reale, si gjatë kohës kur ishte ministër i Brendshëm apo i Transporteve, ashtu edhe në detyrat e tjera që ka kryer brenda një periudhe kohore të shkurtër. Gazeta “Telegraf” gjatë kësaj periudhe ka bashkëpunuar vazhdimisht me këtë reformator të politikës, duke publikuar në faqet e veta, projektet dhe rezultatet pozitive të punës së tij. Në këtë bashkëpunim të ndërsjellë, ne krenoheshim me të. Dhe asnjëherë nuk e kishim menduar se do të vinte një ditë që të derdhnim kaq shumë lot për të, sepse ishim mësuar që Olldashi bënte pjesë tek njerëzit që na shtonte gjithmonë optimizmin. Megjithëse ai vetë ka kaluar vuajtje të rënda qysh në moshën 2-vjeçare të fëmijërisë, përsëri, e gjithë qenia e tij reflektonte besim tek jeta. Duke qenë nipi i një figure politike të njohur, Olldashi e kuptoi qartazi se sa e tmerrshme ishte gijotina e politikës së mbrapshtë. Prandaj, ai kur u rrit u bë një reformator i zhvillimeve të ardhshme, si edhe një qiri drite për t’i treguar zyrtarëve rrugën e vërtetë për tek zemrat e njerëzve të thjeshtë. Ai është lindur më 17 dhjetor 1972 në Durrës, ishte zgjedhur disa herë si deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë dhe më vonë, u zgjodh si Ministër i Punëve Publike dhe Transportit në qeverinë shqiptare. Shkollimin e mesëm e ka kryer në vendlindje ndërsa studimet e larta për drejtësi i kreu më 1995-n dhe në vitin 2004, Kolegjin e Mbrojtjes, pranë Komandës së Doktrinave. Por në moshën 41- vjeçare, koha ndali në mes akrepat e orëve dhe në 20 nëntor zemra e tij pushoi së rrahuri. Lamtumirë, miku i të gjithë shqiptarëve! Gazeta “Telegraf”, do të mbetet përherë një faqe e hapur për vlerësimin e punës dhe për nderimin e rrugës tënde ! Në këtë katër vjetor të largimit tënd, të gjithë e ndjejnë mungesën, duke filluar nga familja, shokët, miqtë dhe dashamirësit e shumtë, të cilëve ti u qëndrove përherë pranë në ditë të mira dhe të vështira. Por krenaria, fuqia dhe vizioni yt i mungon më shumë se të gjithëve partisë tënde dhe demokratëve të vërtetë, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë.

NATYRË E QETË
mbi tryezë
një shishe rumi,
një kuti cigaresh
dhe…
“ tre shokët”
i hapur në faqen e fundit…

VETËM SHPIRTIN KAM...
Vetëm shpirtin kam...
Merre, ta fal!
Si shkëmbim,
Vetëm një puthje
Ta fus në akuariumin e formalinës
Prej nga shpirtin nxore
E, para se të vdes
Të ta kthej sërish.
Mbaje shpirtin përjetësisht.
Maj,1993

TË DIELËN
Do të shkoj në varreza të dielën,
Pa dal dielli ende në ndajnatë.
S’do ta zgjoj, jo, rojën syfjetur,
Qetësisht do mbyll portën prapë.
Do eci i heshtur ndër varre,
Në mes emrash, të shumtën s’i njoh.
Pak vend bosh do të gjej të ngul kryqin
Në dheun nga shirat bërë llohë.
Do të ndez më pas një qiri,
Një cigare me qiri do ta ndez,
Do ta fsheh paketën nën plis
Ta pi ngeshëm, pasi të vdes
E të ik....

UNË DHE UNË
Një hije varet tek unë
me thonjtë e gjaktë
ngulur në venat bosh.
Unë varem pas një hijeje
me dhëmbët e mi të helmët
sytë i nxjerr.
Kafshojmë njeri-tjetrin
unë dhe hija,
vritemi hija dhe un.
Vdesim, unë dhe Unë.

KËNGA
Këndoje miku im i panjohur
këngën që e preve në mes,
këndoje
derisa të plasin shkrepat e
era të thyhet kristaleve të vdekjes,
këndoje
derisa malet të thërrmohen
e lumenjtë të ngrihen uragan
dhe lisat të shemben
e bari të rritet vigan.
Këndoje
derisa qiellin të mbyllësh në grusht
e me grushtin tjetër globit t’ia ngjeshësh,
këndoje
derisa zhuri të kthehet në vaj
e burrat e dheut të qajnë.
Këndoje
miku im i panjohur
këngën që nuk ta shkrova kurrë!
22 shtator, 1998

VALSI I MERIMANGAVE
Ndër rrjedha shtjellore merimangash jetojmë
pa mundur të lëvizim asnjë çast ndër helme
Gjysma në një rrjetë,
Gjysma në një tjetër.
Merimanga
me kokat tona kërcen vals.
I tmerrshëm është valsi i merimangave,
lëvizje makabre gjymtyrësh plot makthe,
ndrydhje ëndrrash fatkeqe, mes rrjetash
plot vdekje.
I tmerrshëm është valsi i merimangave…

DIALOG ME PRIFTIN
Prifti i ngratë, që çapitesh kapitur,
ndalu pak të të them një fjalë:
Unë rrugën e Zotit kurrë se shkela,
prej rrugës së Zotit nuk kam dalë.
Veç një herë e putha, hyjnisht,
më pas ika, renda si i marrë,
m’u faneps një tjetër mugëtirë
veshur me vello të bardhë.
Ndaj, mos më shih ashtu ngrysur,
a nuk puthe dhe ti vallë një herë
një çapkënkë të zeshkët ndanë kishës
e kambanat gjëmove atëherë?!
Ti, o prift, që çapitesh kapitur,
pse përlotesh, s’ më thua një fjalë,
un’ rrugën e Zotit kurrë se shkela,
ti rrugës së Zotit s’ke dalë.

FUNERAL
Në kortezh të përmotshëm, grumbuj dykëmbëshash
pas një arkivoli që vrapon,
Ata e vranë.
Ata e përcjellin.
Ata e qajnë.
Në fund të fundit
me dhe
e mbulojnë.
Prifti bën Meshën e Fundit
u uron krimbave oreks.
Jeta është një vdekje në marshim,
një hipokrizi funebër nga pas.
Mbi të… pshurrje në formë shiu,
Njerëzit erektojnë në formë lotësh.
Unë jam një funeral i gjatë, një qefin nga një maternitet:
Në emër të Atit, Birit e Shpirtit të Shenjtë
(Në emër të tim Ati, tim Biri dhe të Shpirtit të Mbrapshtë)

UNË DHE DIMRI
Dimër i thatë, eja or mik
Për darkë nga unë, raki të pimë,
Pa m’ u në dreq të vejë i ftohti,
Rrebeshi me tërsëllimë.
Thinjoshi shtrembër më kundroi,
Pastaj mëdyshas, nuk u gjegj.
Or mik, nxito, i fola prapë,
Era fytyrën po ma regj!
I marri plak çapiti lehtë:
-Ku të kam parë?-tha nën zë.
-Kur ti nis rrugën, kthehem beftë,
Gjurmëve të tua, zjarrin u vë.
Kur sosem, zjarr të madh ndeza,
Gjer në agim zjarr pa fund,
Iu shkrinë thinjat perandorit
E krejt i dehur u përkund.
Ra, rashë dhe unë mbi
të gjorin dimër babaxhan.
U zgjuam. Dimri, krejt pranverë,
Unë, krejt i ngirë, kallkan.