Ëngjëll Musai: Grupet klasore-politike, që kanë shkatërruar Shqipërinë në vitet 1945-2017

Këdo që të pyesësh, qoftë edhe profesorë e vetë politikanët e lartë, dëgjojmë të thonë shpesh: “Ky vend nuk bëhet”. Ka disa pyetje, që bëhen po kaq shpesh, ku kryesore kuptimplote janë këto: Shqipëria nuk bëhet, apo nuk duan ta bëjnë? Nuk duan ta bëjnë, apo nuk na lënë ta bëjmë? Nuk ka njerëz që dinë dhe duan ta bëjnë, apo vendosen ata që nuk dinë ta bëjnë dhe nuk duan ta bëjnë këtë vend, për ta shfrytëzuar për pasurimin e tyre edhe duke bërë pazare me interesat kombëtare?! Faktet kanë treguar dhe vazhdojnë të tregojnë, se Shqipërinë nuk e lënë të bëhet, pikërisht ata që e konsiderojnë si “çiflig” të tyre, që e trashëgojnë brenda familjes dhe fisit, shokut dhe klaneve politike. Qysh prej 500 vitesh, ky vend është komanduar nga fise, principata, krushqi mes principatash dhe individ KULTE që e kanë ndarë Shqipërinë në zona e bastione politike, ndarje që vazhdojë edhe sot. Mjafton të kujtojmë faktin, që zona e Veriut quhet bastion i forcave të djathta, ndërsa zona e Jugut quhet bastion i të majtës, ndarë qëllimisht prej krerëve politikë, për t’i sunduar lehtësisht si “parcela” private. Në 73 vitet e fundit, ata që janë venë krye të Shqipërisë, dëgjojmë që thonë: “Partia ime, qeveria ime, ministrat e mi, grupi im parlamentar, zyra ime, deputetët e mi, komisariati im, ambasada ime, shkolla ime, universiteti im, banka ime....”. Madje edhe para plumbit, Kadri Hazbiu deklaroi: “Partia ime më pushkaton”! Është bindje, që shtetarët vazhdojnë të flasin sikur Shqipërinë dhe institucionet i kanë prona të tyre! Dhe në fakt kështu i konceptojnë e përdorin pushtetet që kanë. Deputetët emërohen nga kryetarët e partive. Prefektët, kryetarët e qarqeve dhe kryetarët e bashkive caktohen prej tyre. Ministrat dhe drejtorët emërohen prej kreut të partisë në pushtet. Cilët emërohen në poste e funksione shtetërore? Pikërisht ata që nuk e bëjnë dot Shqipërinë, të caktuar prej atyre që nuk duan që të bëhet Shqipëria... Çfarë ka ndodhur me drejtimin e punëve të Shqipërisë, pas vitit 1945? Cilët e kanë drejtuar këtë vend? Sipas “historisë” së Shtetit Shqiptar të 73 viteve të fundit, rezulton se ky vend është drejtuar nga “Shtresa shoqërore” dhe “Organizata”, të dala nga ndeshjet klasore politike kundërshtare, të krijuara, të ofruara e të pompuara nga grupet që marrin pushtetin, duke i ngritur në “MIT”. Individë të këtyre “Shtresave shoqërore” dhe “Organizatave” ofroheshin, rekrutoheshin e gradoheshin e vazhdojnë të gradohen në poste zyrtare pavarësisht formimit kulturor e profesional, pavarësisht qëndrimeve anti-kombëtare e qëllimeve uzurpuese. Mjaftonte të ishin pjesë e përdorur e grupimit politik, të nënshtruar për të zbatuar skemat që u diktoheshin e u diktohen edhe sot, duke e katandisur Shqipërinë në një vend të shkretuar, të pa zhvilluar e të zhvatur deri në kockë, të lënë jashtë përfilljes së Evropës! E kështu vazhdoi kjo histori, duke qeverisur vendin, me grupime që binin nga pushteti e ngjiteshin në pushtet prej njeri-tjetrit. Po flasim konkretisht... 

Partizanllëku
Pas çlirimit të Shqipërisë dhe ardhjes në pushtet të komunistëve në nëntor 1944, nisi spastrimi i administratës shtetërore në çdo nivel. Që nga maja e pushtetit dhe shtetit e deri në zyrën më të thjeshtë në fshatar e qytete, u vendosën partizanë e bijë të popullit. Nuk flitej për shkollë e aftësi drejtuese, por vetëm për besnikëri ndaj partisë dhe udhëheqjes. Kryeministër, president, ministra, deputetë, drejtorë, ambasadorë e deri drejtor bankash dhe shkollash u vendosën partizanët, familjarë dëshmorësh të luftës dhe të afërm të tyre. Sipas dëshmive dhe fotografive të viteve 1945-1960, në zyrat e shtetit shikoje drejtues me uniforma partizane! Pushtetin e tyre e ushtronin me shprehjen “Kam luftuar, kam derdhur gjak për këtë pushtet”! Pa asnjë klasë shkollë, emëroheshin drejtues shtetit dhe këtë e justifikonin me sloganin “Kam shkollën e luftës”. Kjo histori vazhdoi deri në vitin1965, kur në zyrat e shtetit po futej një shtresë tjetër shoqërore, që nisi të zëvendësonte ministrat, deputetët, zyrtarët e madje edhe drejtuesit e partisë ish-partizanë... Kur fliste ministri, deputeti, drejtori, kryetari i këshillit e i kooperativës ish-partizanë, strukeshin dhe heshtnin profesionistët, specialistët, intelektualët, profesorët, shkencëtarët, ndryshe çoheshin në kazmë, internim ose në burg! Pse? Sepse ata e kishin fuqinë e kohës.

Klasa punëtore
Mirëpo, në fund të viteve ’60, doli jashtë loja fuqia dhe koha e partizanllëkut, që prej 15 vitesh drejtoi shtetin arsimin, shkencën, kulturën, ushtrinë, kooperativat, fermat bujqësore, shkollat, artin, policinë, ekonominë, financat, diplomacinë dhe çdo sektorë zhvillimi të vendit. Partizanët u zëvendësuan me një tjetër shtresë shoqërore, të veshur me kominoshe pune. Drejtuesit e partisë, hodhën në veprim drejtuesit nga klasa punëtore. Të pajisur me tesera partie, me shkolla të mesme nate, me bigorri të mirë dhe me përkushtim pune në miniera, fusha pambuku, stalla, hidrocentrale, uzina, fabrika, kooperative, gjeologji e kudo, ata u emëruan në poste të larta drejtuese në ekonominë dhe shërbimet kombëtare, nën logon “Pushtetin i takon klasës punëtore”! Se çfarë niveli drejtimi ofruan punëtorët ministra e drejtorë të sektorëve të ekonomisë, kjo dihet. 

Shkolla e Partisë
Pas dështimit të drejtuesve nga klasa punëtore, kupola e PPSH hodhi në veprim kuadrot me shkollë partie, të cilët ishin pinjollë të familjeve të ish-partizanëve të luftës, që manifestonin besnikëri verbale ndaj pushtetit, por asnjë aftësi profesionale për të drejtuar ekonominë e vendit dhe sektorët e tjerë ku ata ishin caktuar të komandonin. Kuadrot drejtues shteti dhe ekonomie me shkollë partie, ishin “flama” (epidemia) më shkatërruese e Shqipërisë. Drejtimi në këshillat e bashkuar popullor, në këshillat popullore të qyteteve e fshatrave, në komitetet ekzekutive, në qendrat kulturore, në kryesitë e kooperativave, në ndërmarrjet ekonomike, shërbimet publike, në hetuesi, polici, ushtri, diplomaci e deri në pothuajse gjithë nivelet e arsimit shqiptar, u vendosën drejtues me shkollë partie. përballë tyre, qëndronin “pulë” të gjithë, mbasi fuqia e tyre nënshtruese qëndronte në “mitin” e krijuar për shkollën e partisë. këta e mbajtën pushtetin deri në vitin 1992, duke uzurpuar gjithë administratën shtetërore në qendër e në zona, sidomos kupolën drejtuese të PPSH. 

Dhjetoristët
Pas ndryshimeve politike në vitin 1990, në skenë dolën “Dhjetoristët”. Edhe ky emër u kthye në “MIT”, aq sa edhe dje dëgjoja që thoshin: “Ai drejtori, zëvendësministri, ambasadori, kryebashkiaku, deputeti... është “Dhjetorist”! Pikërisht këta, pas rënies së ish-regjimit komunist, u pompuan si “fuqi” e madhe që duhej të komandonin vendin. Dhe ashtu ndodhi. U bënë deputetë, ministra, diplomatë, drejtorë të plotfuqishëm, që “nuk mund t’u flisje dot me gojë se të shtypnin”. Qysh prej vitit 1992 e deri sot, përballë na dalin “heronjtë” e gjallë të “Dhjetorit ‘90”, të cilët janë deputetë, ministra, kryedoganierë, ambasadorë, b(p)iznesmenë. të gjithë thonë: “Jemi Dhjetoristë”!. Kështu tonë ish studentët e Dhjetorit 1990 që tashmë janë bërë gjyshër, duke përdorur simbolin e përpara 27 viteve viteve. Kështu thoshin edhe partizanët kryeministra, ministra, drejtorë e ambasadorë pas vitit 1944, duke përdorur “partizanllëkun” e tyre! 

Anti-komunistët
Raca e me ndyrë që ka uzurpuar pushtetet në Shqipëri, janë ish-komunistët dhe këlyshët e bllokut komunist të PPSH, të cilët me porosi të kupolës së bllokut komunist, u hodhën në veprim gjoja si anti-komunistë, por që na fakt ishin dhe janë vazhdues të pushtetit komunist edhe sot e kësaj dite. këta ishin” kazma” e shkatërrimit të demokracisë shqiptare, duke u vendosur në krye të partive politike post-komuniste, ku vegjetojnë dhe komandojnë ndyrësisht prej 27 vitesh! Një tjetër grupim, që shkatërroi drejtimin e punëve të vendit, ishin të përndjekurit politikë. Pa arsimim për shkak të izolimit në burgje e internime, pas daljes në liri, ata u bënë pjesë e administratës shtetërore të çdo niveli, duke komanduar me “MIT”-in e antikomunizmit, por të komanduar nga ish-komunistët! Ne respektojmë vuajtjet e tyre në kohën e ish-diktaturës, por përfaqësimi i pjesës së tyre të paarsimuar në drejtimin e shtetit, ishte dhe mbetet një “gjurmë” shkatërrimtare.

“KOP” (Komiteti Orientimit të Politikave)
Grupimi tjetër, që shkatërroi këtë vend ishte organizata “KOP,” i hedhur në veprim në muajin mars 2005, prej PD. të mbledhur me “kokrra” prej llumit brenda e jashtë Shqipërisë me lidhje familjare, politike, ekonomike, krahinore, financiare e rrjetesh agjenturore anti-kombëtare, ata u vendosën në krye të drejtimit të shtetit e pushtetit, në çdo nivel. grupimi “KOP” u bë shumë shpejt “MIT”, aq sa fuqia e tyre në pushtet, 

Zyrtarët me diploma false
Shkatërrimi më i madh që i i bërë drejtimit të shtetit shqiptar në çdo nivel të tij, janë drejtuesit me diploma false, të graduar në detyra zyrtare. Individë me 8 klasë shkollë e madje edhe me 4 klasë fillore, pasi u pajisën me diploma false në universitetet false, uzurpuan zyrat e shtetit, duke u bërë ministra, zv/ministra, drejtorë qendrorë e lokalë, kryetarë bashkie, komunash, prefektë, kryetarë qarqesh e deri ambasadorë. Të pajisur me mbështetje politikë të partive që i emëronin në këto poste, ata komandonin gjithçka, por nuk dinin asgjë për punët që duhet të bënin. 

Rilindja e Soros-it
“Kazma” shkatërrimtare e punëve të Shqipërisë ishte dhe mbetet “Rilindja” e sajuar dhe e instaluar nga “Soros”, si vazhdim i veprimtarisë 25 vjeçare për të bllokuar integrimin e Shqipërisë, maskuar pas logos “Shoqëria e hapur”. Në krye të Shqipërisë është “Rilindja” si logo, por realisht është “Soros” si veprimtari komanduese konkrete!