Nga Prof. As. Ago NEZHA / Kampionati i lojërave me gojë, mbaroi

674
Sigal

Fushata e zhurmshme në ekranet televizive dhe shkrimet e shumtë në faqet e para të gazetave çdo ditë, kanë bërë që të mos mungojnë të dalin pareshtur portrete liderësh, të djathtë e të majtë. Ata, me sjelljen, etikën, mënyrën e komunikimit ndërmjet tyre, me gjuhën e përdorur, jo rrallë herë, kanë lënë shije të keqe te shikuesit. Me grupet kandiduese, pozitë- opozitë, çdo ditë, përjetojmë polemika të nxehta. Replikat, konfliktet dhe dilemat, që nga gjuha e komunikimit, çedukojnë jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit, janë bërë të mërzitshme. Në gjuhën e kostos së marrëveshjes institucionale, duhet të kishte debat konstruktiv midis së majtës dhe të djathtës, por gjithmonë në kuadrin e sfidave të reja që ka shoqëria. Barometri i etikës te politikanët tanë, është  niveli dhe përgjegjshmëria e subjekteve që përfaqësojnë. Vlerat e individit, si kultura, etika e meritokracia, inkurajojnë pavarësinë vetëreflektuese dhe synojnë të prezantohen në mjedisin elektoral, brenda hierarkisë së vlerave që mbartin. Disa kandidatë për deputetë, që duan të tregojnë devotshmëritë e tejskajshme dhe shërbim të besueshëm ndaj forcës së tyre politike, bien në pozita provokuese dhe në komunikime banale mes kolegësh. Me këtë veprim, ata harrojnë se ulin vlerat e tyre politike e publike dhe njëkohësisht krijojnë edhe një opinion rutinë negativ për subjektin që përfaqësojnë. Transparenca, formaliteti dhe monitorimi i veprimtarisë së kandidatit, bën që shikuesit, t’i shikojnë deputetët e ardhshëm, në tërë lakuriqësinë e tyre morale dhe intelektuale. Duke i prezantuar, përsëritur dhe ripërsëritur veprimet e tyre, bëhet e mundur që t’i njohim në tërë qenien e tyre, kulturore dhe politiko-shoqërore. Duke parë gjuhën e komunikimit, të shumë liderëve, arrijmë të zbulojmë edhe vlerat që ata përfaqësojnë në sistemet e tyre politiko-shoqërore dhe publike. Media, veçanërisht ajo elektronike, ka avantazhet dhe disavantazhet e veta për ofertat, konkurrimet dhe prezantimet konkurruese të liderëve të ndryshëm. Këtë “teatër” konkurrues, e kemi ndjekur gjatë ditëve të nxehta të javës së fundit të Qershorit, në prezantimin e kandidatëve për deputet nga të gjitha forcat politike. Të kesh kundërshti, mendime ndryshe, opsione për çështje të caktuara, është krejt normale dhe shprehje e demokracisë. Por mënyra e komunikimit, zhargonet dhe gjuha e përdorur, është dukuri e njerëzve të pakulturuar dhe për më tepër, nuk e përligj frymën e fushatës për të paraqitur kandidatët që do mbushin tempullin më të lartë të legjislativit. Kufizimet dhe diferencimet që vërehen për liderë të ndryshëm, kandidatë preferencial dhe periferik, ku disa janë të  privuar të medias dhe disa të preferuar të saj, të parët janë anonimat të politikës ndërsa të dytët megafon të saj. Këto marrëdhënie, janë dukuri jo vetëm të medias por edhe të subjektit përfaqësues, që krijojnë terren të mungesës së harmonisë në informacion. Krijohet kështu një rreth vicioz, mungesë besimi për disa kandidatë, dhe besim i tepruar për disa të tjerë. Ndër partitë e koalicioneve, ka diferencime të shprehura dhe të heshtura, që janë instrumente të domosdoshëm për të pasur besim reciprocitet në tërë hallkat e veprimtarisë. Janë vërejtur qëndrime sektare, klanore, preferenciale, që kanë nxitur xhelozi brenda kampeve të majtë e të djathtë. Logjika strukturore e angazhimit të faktorëve politik, kërkon një nivel të lartë objektiviteti nga liderët e partive të koalicionit, ndërgjegje të pastër politike, për të shmangur çdo kontradiktë dhe keqkuptim të amortizatorëve proceduralë, duke respektuar hierarkinë e vlerave në të gjitha nivelet e kandidatëve konkurrues. Gjuha e komunikimit të liderëve, si dhe e çdo individi, është multifaktoriale. Ajo varet nga niveli i qytetërimit, arsimit, kulturës, familjes, traditës dhe mjedisit shoqëror. Varfëria e ligjërimit, banalitetet e komunikimit, janë si rregull, tipar i jashtëm i varfërisë shpirtërore. Tuhatja, heshtja apo meditimi i disa prej kandidatëve për deputetë, që ende s’kanë provuar të flasin qartë para elektoratit të tyre, tregojnë se kanë paqartësi të mendimit dhe për rrjedhojë iu mungon mënyra e të shprehurit. Nuk më shqetësojnë liderët kryesor me banalitetet e tyre, se ata e kanë bërë profesion, por më shqetësojnë, ata që i dëgjojnë xhevahiret e tyre, që i duartrokasin dhe ju thurin lavde si të bëjnë heroizma befasuese.

Oratorët, që dinë të përdorin me bollëk fjalë të tepërta dhe sharje publike, përpiqen t’i paraqesin ato si argumente dhe të vërteta të pakundërshtueshme. Vëren, se disa kandidatë për deputetë e liderë partish, mundohen të flasin sa më shumë pa i kontrolluar fjalët që nxjerrin nga goja, duke e quajtur këtë një sukses dhe supermaci të tyren, e duke harruar se mund të flasësh pak, por të jesh i admirueshëm dhe i besueshëm për elektoratin. Megjithë fjalorin e pa kontrolluar të disa liderëve, përsëri, mund të themi se kjo fushatë, ka pasur një standard më të lartë etik se fushatat e mëparshme.

Kampionatit të lojërave me gojë i erdhi fundi, por ajo që na shqetëson është se këta aktorë do i kemi për katër vjet në parlament, me gjuhën e tyre të pakulturuar. Kishim provuar kampionat të lojërave me këmbë dhe me dorë. Dhe ja më së fundi, provuam edhe kampionatin e lojërave me gojë, që fitoren do ta vulosë data 23 Qershor. Gjuha e përdorur, fjalori dhe shprehjet janë kostumi me të cilin janë veshur mendimet e liderëve. Shpresojmë, që liderët tanë, në të ardhmen në parlament, të mos e përdorin gjuhën e sharjeve, por të gjejnë gjuhën e konkurrencës mes partnerësh dinjitos.