Harry Bajraktari / Kthimi i eshtrave të Mbretit Zog në atdhe, një ngjarje historike në përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Kthimi i eshtrave të Mbretit Zog në atdhe, pas 52 vitesh të vdekjes së tij, është një akt i rëndësishëm historik, aq më parë kur kjo po bëhet në 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar, ku një pjesë e historisë së këtij shteti lidhet me emrin e tij, me përpjekjet për ta bërë Shqipërinë një vend të zhvilluar me orientim perëndimor. Vendimi i kryeministrit të Shqipërisë Dr. Sali Berisha dhe qeverisë së tij që eshtrat e këtij personaliteti të madh të politikës dhe diplomacisë shqiptare të kthehen në këtë nëntor historik për t' u prehur përjetësisht në Shqipërinë e tij, para se gjithash, është një gjykim mirënjohëse për rolin që ka luajtur Mbreti Zog në ndërtimin e shtetit shqiptar. Historia për shumë personalitete shqiptare ka qenë fatkeqe, kontraverse dhe shumë herë e disfavorshme. Në këtë fatkeqësi të fatit, mund të them se radhitet edhe Mbreti Zog me situatën e tij, që një pjesë e saj vdiqën nëpër vendet e botës, pa pasur mundësi të ktheheshin as të gjallë as të vdekur në Shqipëri. Me një vendim të nxjerrë nga regjimi komunist, familjes mbretërore i ndalohej kthimi në atdhe. Me rrëzimin e diktaturës, Shqipëria Demokratike hapi rrugë për kthimin në atdhe të trashëguesve të tjerë të familjes mbretërore, që kishin mbetur gjallë.

Shqipëria e viteve '20- të ka qenë përplot kontradikta të grupeve të ndryshme politike që synonin shtetin. Duke qenë e tillë, asnjë qeveri nuk mund të ishte e qëndrueshme. Ndodhte që edhe brenda pak javësh, madje edhe pak ditësh, të ndërroheshin ato, duke futur vendin në një kaos të thellë politik e ekonomik. Me këtë shkrim nuk pretendoj t' i bëjë ndonjë analizë kësaj periudhe, por, në këtë kontekst dëshiroj t'i paraqes disa fakte kronologjike të kësaj kohe dhe, njëherësh, të përshëndes Qeverinë Shqiptare, që ndërmori një hap të tillë që edhe eshtrat e këtij personaliteti historik të prehen në atdhe, aty ku kishte lënë gjurmë në historinë e ndërtimit të shtetit shqiptar.

Me 30 gusht 1928 Shqipëria shpallet Mbretëri Demokratike Parlamentare. Dy ditë më vonë, mblidhet Asambleja Kushtetuese, ku ky proklamohet "Mbret i të gjithë Shqiptarëve", me emrin Zogu i Parë. Në betimin që jep para Asamblesë së popullit thotë:" Betohem para fuqisë së Zotit, me mbajt Bashkimin Kombëtar, independencën e shtetit dhe tokat. Zoti më ndihmoftë!"

Mbreti i Shqipërisë Ahmet Zogu, qëndroi në front për një kohë relativisht të shkurtër, pak më shumë se një dekadë, shumë më pak se sa i duhej vendit. Dhe, mund të themi se, për këtë kohë sa udhëhoqi Shqipërinë, deri në pushtimin e saj fashist nga Italia e Muselinit, u shënua një progres i konsiderueshëm: u miratua Kushtetuta e Parë, u ndërtuan rrugë e ura që lidhnin vendin nga jugu në Veri dhe nga lindja në Perëndim. Nga një Shqipëri e harlisur, me ligjet që nxori parlamenti u eliminuan shumë grupe e banda që trazonin popullin gjithandej Shqipërisë. Forca e siguria shqiptare luajti një rol të veçantë në këtë drejtim duke mbajtur nën kontroll gjithë vendin.

Një sukses tjetër ka qenë hapja  dhe zhvillimi i diplomacisë shqiptare ndaj botës. Në Tiranë u hapën ambasadat e para nga një numër i vendeve perëndimore, dhe anasjelltas, të Shqipërisë në ato shtete.  Përmjet  këtyre diplomacive koordinohej edhe politika e bashkëpunimit.  Një ambasadë e tillë ishte hapur edhe në Washington, me ambasadorin më të famshëm shqiptar të të gjitha kohërave, Faik Konica. Në vitet e 30-ta dhe më herët, në Shqipëri kishte gjetur strehim një numër i konsiderueshëm i hebrenjve, të cilët mbreti Zog i kishte ndihmuar në forma të ndryshme, ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët, duke rrezikuar edhe familjet e tyre, shpëtuan ata nga narcizmi gjerman. Pra, shqiptarët ishin të vetmit, për dallim nga popujt tjerë, që kishin marrë në mbrojtje shumë familje hebrenjsh. Para viteve të dyzeta, nazi-fashistët rrezikonin tërë Evropën. Një prej viktimave të para ka qenë Shqipëria. Më 7 prill 1939, edhe përkundër një rezistence, ajo u pushtua nga fashistët e Muselinit. Më 9 prill 1939, duke mos pranuar kushtet e pushtimit, Mbeti Zog largohet nga Shqipëria. Nga kjo datë fillon odisetë e tij, nga një vend në tjetrin, duke u përpjekur t' i bindte fuqitë perëndimore, të cilat e kishin mundur nazizmin dhe fashizmin, ta kthenin në atdhe. Rrethanat politike ishin të tilla, kështu që mbretit Zog iu desh të vazhdonte jetën e syrgjynosur nëpër shtetet e huaja. Dhe, fati i keq deshi, që  përkundër ëndrrës  së tij, të mos mund ta shihte për të gjallë  më Shqipërinë. Më 8 prill 1961 në Kanë të Francës i mbylli sytë larg atdheut të tij, me mallin që e kishte përvëluar. Ç' koincidencë e keqe: në muajin prill ishte ndarë nga Shqipëria dhe në muajin prill pas 22 vjetësh kishte vdekur.

Mbreti Zog u largua nga vendi, ashtu siç ishin larguar edhe mbretër të tjerë, vendet e të cilëve u pushtuan nga forcat naziste. Mirëpo, siç theksoi kryeministri Dr. Sali Berisha në marrjen e vendimit për kthimin e eshtrave të mbretit Zog në atdhe, ai qëndroi gjatë gjithë kohës në anën e koalicionit antifashist. Prandaj, mohimi i të drejtës për kthimin në Shqipëri, ishte një nga vendimet arbitrare të Enver Hoxhës dhe klikës së tij sunduese. Shumë kohë më herët, në vitet '70-të të shekullit që shkoi, gjyshi dhe babai im kishin takuar në Nju Jork mbretin Leka Zogu dhe më kujtohet si sot, sa të lumtur ishin ndarë nga ky takim. Ai u kishte thënë këtyre se gjithmonë ekziston shpresa për një Shqipëri etnike.

Gjyshi, i cili kishte qenë edhe dëshmitar i periudhës së shtetndërtimit të mbretit Zogu, e për të cilin kishte pasur një konsideratë të jashtëzakonshme, përshtypja nga ky takim me Leka Zogun, do t' i mbetej e paharrueshëm deri në vdekje. Gjyshi im, që ndodhej për një vizitë në Nju Jork, pati rast të merrte pjesë edhe në varrimin e gjeneral Abas Kupit, ku ishte edhe Leka Zogu.

Edhe unë, në një moshë fare te re,  në Nju Jork, pata rast  të takoja Leka Zogun, por takimi im i dytë me mbretin, në një kohë dhe periudhë tjetër, në vitin 2003 në Kosovë ka qenë shumë i ngrohtë dhe i përzemërt. Unë e vlerësoj ndër momentet më të rëndësishme të jetës sime. Ai në Kosovë merrte pjesë në një manifestim të organizuar në përvjetorin e 125- të të Lidhjes së Prizrenit. Në Kosovë ishte për herë të parë së bashku me mbretëreshën Susan Cullen -Ward dhe e ndjente veten tepër entuziast. Me Leka Zogun ishim si mysafirë te kryetari i komunës së Gjakovës, Aqif Shehu, dhe këtu m' u dha rasti të bisedoja më hollësisht me Lartmadhërinë e  tij.  Mbreti më tha se ishte shumë i gëzueshëm për pritjen madhështore që po i bëhej dhe, në këtë kontekst, i shprehte mirënjohje kësaj pjesë të Shqipërisë etnike për gjithë atë që kishte bërë populli brenda këtij shekulli për fitimin e lirisë nga Serbia. Pra, vetëm në saje të kësaj fitoreje,  jam në mesin tuaj dhe tash, po festojmë të gjithë së bashku. Kjo është një kënaqësi kombëtare që na erdhi, falë sakrificës së madhe të shqiptarëve gjithandej trojeve tona etnike. Me Leka Zogun qemë të ftuar, si miq, edhe në kullën e Ramush Haradinajt në Glloxhan, në këtë familje e cila i dha shumë Kosovës për lirinë e saj. Ishte kjo një pritje bujare dukagjinase. Unë pata rast ta takoj mbretin Lek ne Tirane ne vitet 2005 dhe 2009 se bashku me mikun e shqiptareve, Kongresmenin Eliot Engel. Ndërsa  Princ Leka Zogun II, për herë të parë e takova në ceremoninë e varrimit të Presidentit Rugova në Prishtinë dhe mbetem miq të mirë me të, pasi i rrëfeva historinë e familjes sime. Gjithashtu, me të u takova edhe me rastin e 100 vjetorit të "Vatrës" në Nju Jork, ku merrte pjesë në këtë manifestim. Disa personalitete të kombit dhe kulturës sonë, për fatin e keq, për shkaqe politike e ideologjike mbetën gjatë në harresën historike. Një numri nuk  i dihen as sot eshtrat, pasi ishin zhdukur në forma misterioze nga komunistët e Enver Hoxhës. Kjo nuk është vetëm tragjedi e familjeve të tyre, por besoj tragjedi e një populli.

I lutem zotit që skenat e tilla mos të përsëriten dhe historia jonë kombëtare të mposhtë pluhurin e harresës. Dhe së fundit, unë si shqiptaro-amerikan, jam shumë i lumtur që eshtrat e njërit prej personaliteteve të kombit, Mbretit Zog, sot po kthehen në atdhe, në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.