Nga Frank SHKRELI / Ramazan Turdiut (IN MEMORIAM)

699
Sigal

Javën që kaloi në shtetin Nju Xhersi të Shteteve të Bashkuara ndërroi jetë, në moshën 87-vjeçare, Ramazan Turdiu, njëri nga nacionalistët dhe intelektualët më të dalluar të emigracionit të pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe njëri prej aktivistëve dhe eksponentëve kryesorë të Ballit Kombëtar. Të ndjerin Ramazan e kam njohur gjatë ’70-ve dhe ’80-ve, pasi për një kohë të shkurtër ishte në marrëdhënie pune me seksionin shqip të Zërit të Amerikës, ku së bashku me të tjerët përpiqej që me shkrimet e tij të jepte sado pak dritë në errësirën komuniste, që kishte pllakosur Atdheun. Ai nuk fliste shumë për veten dhe as për vuajtjet e familjes së tij. Ishte një intelektual dhe atdhedashës i flakët, i cili gjatë gjithë jetës së tij punoi me zotësi dhe dedikim për lirinë e kombit shqiptar. Ishte shumë i paqtë dhe shkonte mirë me të gjithë. Në të vërtetë, me sjelljet e tij intelektuale dhe humane, të linte përshtypjen se ishte pjesëtar i një shoqërie fisnike shqiptare, një aristokrat në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Në njoftimin zyrtar të vdekjes së tij thuhet se, Ramazan Turdiu u lind në Tiranë në një familje të njohur të kryeqytetit shqiptar, ku më 1944 ishte maturant, në një klasë me ish-udhëheqësin komunist Ramiz Alia, dhe njëkohësisht punonte në farmacinë e të vëllait Dr. Bilal Turdiu. Në njoftim thuhet gjithashtu se, megjithëse, familja e tij përpiqej të qëndronte larg politikës, duke marrë parasysh situatën tepër të tensionuar dhe të politizuar të asaj kohe, Ramazani i ri, madje edhe kundër këshillave të babait, i cili dëshironte të qëndronte jashtë politikës, rreshtohet në radhët e Ballit Kombëtar dhe punon me këmbëngulje dhe pasion për të mirën e Atdheut deri ditën kur mbylli sytë.

Me ndërgjegjen e tij të lartë kombëtare, si dhe të shumë bashkëkohësve të tij, për të punuar për të mirën e Atdheut dhe të lirisë kombëtare, ai i përgjigjet thirrjes për shpëtimin e Kosovës, duke u radhitur në batalionin ”Besnik Cano”, dhe shkon në Kosovë për të mbrojtur tokën shqiptare me armë në dorë nga pushtuesit sllavo-komunistë, një luftë kjo që ai nuk e ndërpreu as nuk ndaloi gjatë gjithë jetës së tij, me të gjitha mjetet që kishte në dispozicion. Në njoftimin mortor thuhet se, flamurin e batalionit shqiptar ”Besnik Cano”, të qëndisur mjeshtërisht nga motrat e Besnik Canos, e ka gjithnjë në shtëpinë e tij.

I riu Ramazan Turdiu, më 1944, së bashku me udhëheqësit më të lartë të Ballit Kombëtar, përfshirë Mit’hat Frashërin dhe Ali Këlcyrën, largohet me varkë nga Shkodra për tu arratisur për në Itali. Eventualisht, përfundon në Itali ku ai ndjek studimet e larta për doktor në degën e farmacisë, për t’i vazhduar ato në Universitetin Kolumbia në Nju Jork. Për pesë dekada, Ramazan Turdiu punon në degën e kërkimeve dhe hulumtimeve farmaceutike për firmat e mëdha  amerikane në këtë fushë, ”Ciba” dhe Warner Lambert”.

Si anëtar i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar, Ramazan Turdiu ishte një nacionalist dhe anti-komunist i përkushtuar. Ai ishte anëtar aktiv i komunitetit shqiptar në Amerikë dhe merrte pjesë në seminare, kremtime, kongrese dhe në çdo rast ku e kërkonte nevoja dhe interesi i Atdheut.   Ai bashkëpunonte ngushtë dhe u qëndronte afër udhëheqësve historikë të partisë Balli Kombëtar,  Mit’hat Frashërit dhe Vasil Andonit. Ramazan Turdiu ishte ndër ata intelektualë dhe nacionalistë, të cilët Mit’hat Frashëri i mblidhte rreth vetes në përpjekje dhe në sajë të luftës për shpëtimin kombëtar. Në një prej fjalimeve të tij me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së Mit’hat Frashërit, Ramazan Turdiu e vlerësoi kështu bashkëpunimin e intelektualëve dhe shqiptarëve të tjerë me Mit’hat Frashërin, duke thënë: ”Si në Shqipni, ashtu edhe në mërgimin e padashun, nëpër kampe refugjatësh, anëtarët e Ballit Kombëtar, Shqiptarët, u grumbulluan rreth Mit’hat Frashërit, punuen me të, e ndihmuen me ç’u vinte për dore, për ta mbajtë gjallë flakën dhe veprimin çlirimtar. Me memorandume nëpër qarqe të naltë dipllomatike, me botime dhe nisma të guximshme, me takime të papreme, ai ia hapi sytë botës për gjendjen e Shqipnisë, për vuajtjet e Kosovës, për shfarosjen e Çamërisë, dhe për veprimet shtazore të komunizmit të ardhun nga jashtë.”

Në këtë frymë atdhedashurie dhe veprimtarie ishte i brumosur edhe Ramazan Turdiu. Ishte ndër ata që besonin në vetvete dhe në një të ardhme më të ndritur për kombin shqiptar. Ishte ndër ata që si parime bazë kishin realizimin e një Shqipërie me Kosovë e Çamëri, të lirë, demokratike dhe e lumtur në paqe me të gjithë. Ky ishte karakteri dhe botëkuptimi i brezit të këtyre burrave, i çështjes shqiptare. Ndonëse i qetë nga natyra, ishte trim dhe i vendosur, si shumë të tjerë të brezit të tij, të cilët me zemër e shpirt besonin në një Shqipëri, ashtu si është e drejta, prej Tivarit e deri në Prevezë, e nderuar dhe pjesë e asaj bote, e cila i përket historikisht dhe gjeografikisht Evropës. Brezi i tij besonte se për arritjen e këtij qëllimi duhej luftuar për të përmbysur komunizmin dhe për të bashkuar kombin. Lufta e tyre ishte sy patrembur, dhe e konsideronin atë si një detyrë për të cilën i thërriste Atdheu, në lirinë e të cilit kishin një besim të patundur për një ardhmëri demokratike dhe për një Shqipëri pro-perëndimore. Vet Ramazan Turdiu mori pjesë në stërvitje të organizuara nga anglo-amerikanët në fillim të ’50-ve për tu futur në Shqipëri me qëllim për të rrëzuar regjimin e diktatorit komunist, Enver Hoxha.

Gjatë regjimit enverist, Ramazan Turdiu pësoi fatin e shumë familjeve anti-komuniste. Lidhjet me familjen e tij në Shqipëri qenë prerë, sepse regjimi komunist kishte vendosur emrin e tij në ”listën e kriminelëve”, të ”tradhtarëve”  dhe ”të armiqve të vendit”. Ndonëse ishte krahu i djathtë i udhëheqësve të Ballit Kombëtar në mërgim dhe si i tillë i rreshtuar në frontin e nacionalizmit shqiptar anti-komunist, familja e tij, si edhe shumë familje të tjera anti-komuniste shqiptare, këtë gjë e pagoi shumë shtrenjtë. Me vdekjen e Ramazan Turdiut, diaspora shqiptare në Amerikë dhe shqiptarët kudo humbën një burrë,i cili ishte i pajisur me traditën e shpirtit patriotik dhe i cili kurdoherë dhe sipas rrethanave u gjend aty ku e kërkonte zëri i Atdheut për liri, si dhe nderi i kombit. Ideali i tij si besnik ndaj kauzës kombëtare mbeti i paluhatshëm. Ashtu të mbetet edhe kujtimi i tij.