Nga Fatmir TOÇI / Problemet e arsimit dhe gjendja e mjerueshme e shkollave në rrethin e Vlorës

867
Sigal

Kaloi muaji që nga fillimi i vitit të ri shkollor dhe, ndryshe nga sa raportohet nga strukturat e Ministrisë së Arsimit dhe nga sa informohet nga mediat e kapura në shërbim të qeverisë, pjesa më e madhe e shkollave janë tërësisht jashtë çdo standardi për të zhvilluar mësim në kushte normale dhe nuk është marrë asnjë masë për rikonstruksionin e tyre dhe pajisjen me mjetet e nevojshme mësimore e didaktike. Veçanërisht më e rënduar është situata në zonat rurale dhe ato periferike. Kronikat dhe alarmi, që po japin disa prej mediave të pavarura, për shkolla pa çati e mure të rrëzuara është një realitet i hidhur që ekziston në të gjitha rrethet e vendit. Përballë këtij realiteti turravrapi i kryeministrit të vendit për të inauguruar shkolla të reja (edhe pse në shumicën e tyre vetëm të suvatuara ose të lyera me bojë), si dhe lajthitja e tij për të induktuar te fëmijët urrejtjen ndaj opozitës dhe kundërshtarëve të tij politikë, veçse e kanë bërë atë më qesharak, jo vetëm në sytë e të rriturve, por edhe të fëmijëve të tyre, të cilët i kanë rreshtuar me gënjeshtra e detyrim para kryeministrit të vendit. Nga një inspektim i shpejtë dhe kontaktet me drejtues vendorë dhe mësimdhënës të shkollave në rrethin e Vlorës, konstatohet me trishtim se problemet e mëdha që kanë shkollat e këtij rrethi, veçanërisht ato të Lumit të Vlorës, Bregut dhe komunave rreth qytetit e bëjnë pothuaj të pamundur, për një pjesë të madhe të tyre, një proces normal mësimor, madje dhe e përjashtojnë mundësinë e zhvillimit të këtij procesi. Duke u fokusuar te problematikat kryesore të këtij fillimviti mësimor në shkollat e rrethit të Vlorës, po bëjmë më poshtë një pasqyrim të shkurtër të gjendjes reale të tyre, për t’u rënë kështu kambanave të alarmit, sa jemi akoma në kohë, për ata që duan të dëgjojnë dhe e kanë detyrim ligjor e kushtetues sigurimin e kushteve normale për mësim e edukim.

-Nevoja për rikonstruksionin e shkollave

Pothuaj të gjitha shkollat e rrethit kanë nevojë për rikonstruksion, por më alarmante paraqitet gjendja në shkollat e Rexhepaj e Koculit në komunën e Vllahinës, shkolla e Vajzës në komunën e Kotës, shkolla e Qeparoit në bashkinë e Himarës, kopshti i Selenicës me mbi 60 fëmijë, shkollat 9-vjeçare të Poros e Novoselës në komunën e Novoselës, shkolla e Treblovës në komunën e Armenit, shkollat e mesme të Kuçit, Kotës, Vllahinës etj. Shkolla e mesme në Horë-Vranisht nuk është rikonstruksionuar dhe nuk i është akorduar asnjë lek investim për pajisjet e brendshme që nga viti 1988, d.m.th. plot 24 vjet pa vënë dorë. Sot gjendja paraqitet alarmante pasi nuk ka as banje e shërbime higjiene – sanitare për 250 nxënës që kalojnë gjysmën e ditës në këto mjedise.

-Pajisjet për shkollat

Nevojat për pajisje, banga, tavolina, karrige, rafte e mjete të tjera didaktike janë emergjente për të gjitha shkollat e rrethit. Rezulton, të paktën për mbi 90 % të shkollave të rrethit se nuk ka pasur asnjë lloj investimi për pajisjet e shkollave me mjetet e domosdoshme për një proces mësimor normal. Shpesh herë drejtuesit e shkollave, pushteti vendor sa ka mundur, apo vetë prindërit e nxënësve kanë investuar për fëmijët e tyre. Por kjo, kuptohet, ka qenë gjithmonë e pamjaftueshme, kur dihen mundësitë dhe gjendja ekonomike e banorëve të zonës. Të mos flasim pastaj për pajisjen e shkollave me laboratorë për lëndë të ndryshme. Edhe atje ku dikur ekzistonin, sot kanë mbetur pak shenja nga e kaluara dhe janë tërësisht jashtë shërbimit për mësimdhënien.

-Transporti i nxënësve dhe i mësuesve

Nga sa shohim dhe jemi të informuar transporti i nxënësve është problem i pazgjidhur në shumë shkolla në të gjithë vendin. Edhe atje ku është zgjidhur ka probleme të mprehta sigurie dhe reagime nga transportuesit për kuota të ulëta pagesash. Pothuaj në të gjitha fshatrat përdoren mjete transporti të pasigurta, të pa kontrolluar teknikisht, mjete e shoferë të palicencuar dhe deri pa patentë, me targa të huaja ose pa targa fare. Zoti dhe fati i ka ruajtur deri më sot fëmijët e zonave të thella malore të zonës nga ndonjë aksident i mundshëm për shkak të terrenit të thyer, rrugëve jashtë çdo lloj standardi, mjeteve të transportit të pakontrolluara teknikisht, apo aftësisë së shoferëve që e kryejnë këtë shërbim. Por ka edhe mungesë totale të këtij shërbimi në disa shkolla. Në komunën e Vllahinës, për shembull, 12 fëmijë të moshës 6 – 10 vjeç shkojnë çdo ditë nga Hadëraj në Rexhepaj, 10 km vajtje – ardhje, mbi 3 orë në ditë në vapë e në të ftohtë e të pasigurtë për moshën e tyre të njomë. Po ashtu i pazgjidhur është problemi i transportit të fëmijëve në komunën e Horë-Vranishtit, në komunën e Kotës etj..

-Kopshtet e fëmijëve

Në shumicën e fshatrave të rrethit të Vlorës nuk ka fare kopshte fëmijësh. Shkak për këtë është mungesa e mjediseve të përshtatshme dhe e emërimit të edukatoreve. Në rastin më të mirë ekzistojnë kopshtet vetëm në qendrat e komunave, që do të thotë se ekzistojnë kopshte për fëmijët në raportin një kopsht për 6 – 8 fshatra (!). Përveç vështirësive që sjell rritja e fëmijëve parashkollorë për prindërit në shtëpi kjo mungesë sjell edhe një pasojë të rëndë sociale për edukimin dhe përgatitjen qytetare të brezit të ardhshëm. Nuk mjafton vetëm mungesa e kopshteve në shumicën e fshatrave të rrethit, por ato po mbyllen nga viti në vit edhe në ato fshatra ku kanë ekzistuar deri dje.

-Trupa mësimdhënëse

Problemi më shqetësues për të gjitha shkollat e vendit janë emërimet politike e korruptive, emërimi i mësuesve pa arsimin përkatës ose që japin lëndë jashtë profilit të tyre, ku më problematike rezultojnë lëndët e matematikës dhe gjuhë – letërsisë. Emërimet politike dhe sistemimi në shkolla i militantëve janë kriteri kryesor i lëvizjeve pa kriter të kuadrit mësimdhënës. Aq e vërtetë është kjo, sa pjesa më e madhe e lëvizjeve të kuadrit mësimdhënës bëhen me kërkesë dhe miratim të kryetarëve të PD-së në rrethe. Ka një numër të konsiderueshëm mësuesish me shkollë të mesme, jashtë profilit etj., që mbahen në punë vetëm për shkak të militantizmit të tyre, ndërkohë që dhjetëra mësues me arsimin përkatës dhe në profil lihen pa punë, edhe pse në shkolla ka nevojë për kontributin e tyre. Para zgjedhjeve vendore të vitit 2011 vetëm në rrethin e Vlorë u morën në punë jashtë organikës mbi 110 mësimdhënës dhe tani drejtorit të arsimit po i sillet koka vërdallë për t’i sistemuar. Është shpikur “kontrata provizore” ose “mësues me orë pune” për t’i dhënë mundësi punëdhënësit (dmth shtetit) që t’i marrë dhe t’i heqë nga puna sipas klimës politike në vend. Kjo mënyrë sjelljeje me mësuesit të cilët duhet t’i mbrojë ligji është një presion i hapur për këtë kategori të punësuarish për t’iu bindur direktivave të partisë-shtet dhe për mbështetjen e detyrueshme të saj në provat elektorale.

-Interneti në shkolla

 Siç mund të kuptohet nga gjendja e mjerueshme e shkollave në rrethin e Vlorës demagogjia e futjes së internetit në çdo shkollë është një flluskë sapuni për shkollat e këtij rrethi. Ka vite që kryeministri i vendit ka deklaruar se interneti është futur në çdo shkollë. Që kryeministri gënjen këtë e dinë të gjithë në Jug të vendit edhe për problemet e tjera. Të thuash se në çdo shkollë është futur interneti, kur në një pjesë të madhe të tyre nuk ka as çati, dyer e dritare, kur nuk ka ngrohje e energji elektrike është si të tallesh hapur me fëmijët e kësaj zone dhe prindërit e tyre. Edhe në shkollat e bashkisë së Orikumit, që është fare pranë Vlorës dhe në një nga vendet më të zhvilluara turistike, nga 6 shkolla ka internet në vetëm 3 prej tyre.

-Tekstet shkollore

Përzgjedhja e teksteve sipas kritereve politike dhe përkatësisë partiake të autorëve dhe botuesve duket se ka qenë fenomeni që e ka dëmtuar më shumë këtë proces. Ndonëse në Altertekst është e përcaktuar se personat me pushtet në arsim nuk mund të jenë pjesëmarrës në hartimin e teksteve kjo nuk respektohet edhe pse fenomene të tilla janë bërë publikë edhe konkretisht. Psh, rasti i një drejtuesi të lartë në MASH që është autor i disa librave gjuhësore, apo një prej këshilltarëve të kryeministrit për të cilin ka kontestime çdo vit. Në paketën e vitit 2011- 2012 është shtuar një kriter që përjashtohen tekstet shkollore nëse një mësues është autor teksti, madje dhe kur është recensent, ndërkohë që lejohen nga MASH persona që janë në vendimmarrje të institucioneve përkatëse, duke shfaqur hapur konflikt interesi, në kundërshti me vendimet dhe udhëzimet në fuqi. Gjatë miratimit të teksteve janë evidentuar raste kur vetë ministri ka urdhëruar rifutjen në proces të teksteve që janë rrëzuar nga komisionet e vlerësimit, vetëm se bëhej fjalë për botues pranë dhe në shërbim të pushtetit. Nga ata tjetër favorizimi i shtëpive të veçanta botuese për miratimin apo për përzgjedhjen e teksteve në shkolla vetëm për 4 apo 5 shtëpi botuese është bërë normë e zakonshme dhe sfiduese për botuesit e tjerë. Së fundi, shmangia pothuaj në të gjitha rastet e mësuesve nga përzgjedhja e teksteve dhe vendosja e vetos nga ana e drejtorëve arsimorë të rretheve për miratimin e listave. Kjo ka bërë që në shkolla të jenë prezentë vetëm librat e po atyre 4 – 5 botuesve militantë apo të lidhur më pushtetin me afera korruptive. Nëse deri para dy vitesh kjo veprimtari e ndryrë vjedhjeje bëhej fshehtas, tani nuk ka më frikë dhe çdo gjë bëhet sheshit, siç janë rastet e bëra publike në Drejtorinë e Durrësit, apo atë të Rrethit të Tiranës, por edhe në pothuaj në të gjitha rrethet e vendit. Ky vështrim i shpejtë për problemet e arsimit dhe gjendjen e mjerueshme të shkollave në rrethin e Vlorës të sjell jo vetëm një trishtim për mënyrën sesi po i edukojmë e arsimojmë fëmijët tanë, por edhe sesi po e ndërtojmë ne të ardhmen dhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare në një kohë kur kryefjala e ditës është integrimi me vendet e tjera të Evropës.