Nevoja e një angazhimi të gjithanshëm për dorëzimin vullnetar të armëve pa leje

656
Deklaratë e Forumit Civil 2010

Forumi Civil 2010 organizoi një Tryezë diskutimesh rreth kësaj teme, sepse kërcënimi i popullsisë nga armët dhe municionet e mbajtura ilegalisht nga persona të pa autorizuar është një arsye madhore që kjo çështje të shtrohet në rrafsh publik, me gjithë veprimtarinë intensive në këtë drejtim të organeve të Policisë së Shtetit. Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, të shoqërisë civile, botës akademike dhe të komuniteteve fetare, të cilët treguan një interes të veçantë për zhvillimin e kësaj tryeze. Kryetari i Forumit (Presidenti i Republikës 2002-2007), Z. Alfred Moisiu theksoi në hapje të këtij aktiviteti, se problemi i çarmatimit nuk ka përse të shihet si veprim në shërbim të politikës, por si një impenjim mbarë shoqëror, për shmangien ose uljen e mundësive të kryerjes së krimeve dhe aksidenteve me armë që ndodhin gati çdo ditë. Më tej, fjala iu dha ish-Ministrit të Brendshëm, Z. Saimir Tahiri, i cili shpjegoi konceptin e prapambetur dhe shumë të dëmshëm që favorizon mbajtjen pa leje të armëve, sipas të cilit mendohet, se kështu mund të zgjidheshin konfliktet personale me bashkëqytetarët, që nga ato më absurdet e deri tek më frekuentet. Ai informoi pjesëmarrësit mbi nismën e ndërmarrë kohët e fundit, kur Kuvendi i Shqipërisë miratoi amnistinë me afat deri në fund të muajit të ardhshëm për ata individë që dorëzojnë vullnetarisht armët dhe armatimet e llojeve të ndryshme, të cilat i kanë në zotërim pa autorizim shtetëror. Gjatë zhvillimit të Tryezës të ngritur nga “Forumi Civil 2010” u sugjerua që me gjithë rezultatet e arritura deri tani, më mirë do të ishte që amnistia në fjalë të shtyhej në kohë edhe më tej, në mënyrë që pas një bilanci përfundimtar pozitiv, ligji të veprojë me forcën e pashmangshme të tij ndaj kujtdo tjetër që do të vazhdojë të mbajë armë dhe municione pa leje. “Forumi Civil 2010” bëri thirrje, pikërisht në ditën kur u mbushën plot 9 vite nga tragjedia e Gërdecit, që përpjekjet për shmangien e këtij fenomeni shumë të dëmshëm për gjithë shoqërinë shqiptare, të shërbejnë edhe si një reflektim ndaj mos ndëshkimit të plotë të atyre që shkaktojnë shqetësime për jetën dhe sigurinë e njerëzve; një reflektim edhe nga mbështetësit e një politike të dobët penale me anë të së cilës do të reduktohej masa e ndëshkimit të personave fajtorë të kësaj dukurie negative. 
Sigal