Nevoja e debatit për rritjen ekonomike

1917
Sigal

Duket, është duke u harruar lajmi për “hapjen e një debati për stimujt dhe masat  për nxitjen e rritjes ekonomike”. Kryeministri Sali Berisha do të deklaronte jo shumë kohë më parë se: “…qeveria do të studiojë me shumë vëmendje dhe shumë shpejt do të hapë një debat shumë të gjerë me ju, me rrethet akademike, me specialistët e ekonomisë dhe të financave për të gjetur stimujt dhe masat e nxitjes së rritjes. Nuk ka diskutim që, disiplina fiskale është jetike dhe prej saj nuk mund të hiqet dorë, por nuk ka diskutim që duhet bërë gjithçka, duhet marrë çdo masë për të nxitur rritjen”. Tingulli i kësaj “kambane”, do të përcillej dobët nga mediat, përjashtuar njërën prej tyre, që është e specializuar në çështje ekonomike. Në media të tjera, u eklipsua nga një kambanë tjetër, ajo e deklarimit të njëkohshëm të kryeministrit “për uljen e barrës fiskale në vitin e ardhshëm”. Debati politik, si përherë, shkelmon atë për rritjen ekonomike. Në këtë situatë, lind pyetja: a përbën ky deklarim një brum për lajm nga mediat tona, a përbën ai një ngacmim e shtysë për bizneset, rrethet akademike, specialistët e ekonomisë dhe financave dhe, pse jo, për mbarë qytetarët e Shqipërisë (dhe jo vetëm), apo është një deklarim që nuk meriton ndonjë vëmendje të posaçme, sidomos kur biznesit i jepet garanci për uljen e mëtejshme të barrës fiskale?! Për hir të së vërtetës, ritmet e pritshme apo faktike të rritjes ekonomike, e sidomos deklarimet e INSTAT, kanë pasur njëlloj pasqyrimi në media; një pasqyrim të gjerë ka merituar tema e rritjes ekonomike në Shqipëri, në kushtet e krizës ekonomike financiare globale, duke e krahasuar me atë të vendeve të tjera, të rajonit, Europës apo mbarë botës. Por, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për analizat dhe studimet për këto çështje e, sidomos, për rritjen e qëndrueshme ekonomike edhe në vendin tonë.

Që t’i kthehemi “lajmit”, nuk është vështirë të shihet se deklarimi për “hapjen e një debati për stimujt dhe masat për nxitjen e rritjes ekonomike” ka nuanca të tjera ose është diçka tjetër, të paktën nga fjalët në vetvete. Ai është formuluar nën ndikimin e drejtpërdrejtë të debatit të madh që zhvillohet sot në Europë, por dhe më gjerë, për raportet midis masave për konsolidimin fiskal dhe nxitjes së rritjes ekonomike. Është e njohur se sidomos në Greqi, gjatë zgjedhjeve u shfaq qartë pakënaqësia popullore ndaj masave shtrënguese, ashpërsisë së masave për konsolidimin fiskal.

Në këto kushte, edhe në disa media shqiptare kanë filluar trajtesat lidhur me raportet: shtrëngim fiskal apo masa për rritje ekonomike? Çështja është se ky debat lind e buron pashmangërisht drejtpërdrejt edhe nga realiteti dhe ecuria e ekonomisë shqiptare.

Rënia e ritmeve të rritjes, tashmë është një realitet, që konfirmohet nga të dhënat për rritjen ekonomike në vitet e fundit 2009, 2010, 2011, krahasuar me vitet e parakrizës, por është pohuar edhe nga drejtuesit e ekonomisë dhe fiskut. Spektri i këtij pranimi, ka rëndësinë e vet jo thjesht në rrafshin politik, por sidomos në përcaktimin e saktë të përparësive për rikthimin e ritmeve të kohës së para krizës globale financiare. Por, kjo edhe për një arsye të thjeshtë. Përgjigja ndaj pyetjes se, çfarë duhet bërë në periudhë afatshkurtër, afatmesme, afatgjatë – nga këto apo ato institucione shqiptare – për rikthimin e ritmeve të rritjes, nuk po merr përgjigje të kënaqshme, qoftë për të frenuar rënien e ritmeve, e jo më pas për të rikthyer ritmet të larta të rritjes së qëndrueshme ekonomike. Nga ana tjetër, kemi të bëjmë me një nga ato çështje që janë të lehta për t’u përmendur, por të vështira për t’u realizuar. Nga këndvështrimi i agjentëve ekonomikë – biznesi, qeveria, konsumatorët – ajo është jo vetëm tepër e larmishme, por shpesh kontradiktore. Interesat e grupeve të ndryshme sociale po ballafaqohen si rrallë më parë. Jo të paktë janë ato grupe, që pavarësisht retorikës, janë të interesuar apo parapëlqejnë ruajtjen e status quos. Kreditë e pakthyera të konsumatorëve dhe biznesit, rriten e rriten, por ndërkohë po rriten edhe fitimet e bankave. Pra, shkurt, situata është komplekse. Ndërkohë, është shans për vendin tonë që, sipas deklarimeve të INSTAT, ritmi i rritjes ekonomike ka qenë deri tani pozitiv. Por, megjithëse pozitiv, ritmi i rritjes ekonomike jo vetëm që është përgjysmuar, por ai ka qenë i tillë që nuk është shoqëruar me ndryshime të punësimit. Ndërkohë ai është shoqëruar dhe po shoqërohet edhe nga një dukuri tjetër, nga rënia e ritmeve të rritjes të të ardhurave buxhetore e, sidomos, tatimore; këto, në terma reale ose i janë afruar zeros ose kanë qenë nën zero. Le t’iu kthehemi të dhënave më të fundit për ecurinë e treguesve fiskalë. Ndërsa ritmi i rritjes të të ardhurave buxhetore në vitin 2011 ndaj vitit paraardhës ishte 1.8 %, ai i inflacionit mesatar vjetor (indeksit të çmimeve të konsumit) ishte 3.5 %. Pra, në terma reale ka pasur rënie të të ardhurave buxhetore. Gjatë muajit maj 2012, krahasuar me të njëjtin muaj, të ardhurat buxhetore ishin 51 milion lekë më pak. Ndërsa si 5 mujor, shtesa ka qenë 2596 milion lekë ose me një rritje prej 2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur indeksi i çmimeve të konsumit është 1.34 %. Por, edhe sikur indeksi i çmimeve të konsumit të ishte zero, në kushtet kur shtesa e kostos së shërbimit të borxhit (interesa + ripagesat) gjatë pesë mujorit janar – maj 2012, ndaj së njëjtës periudhë, ka qenë 2729 milion lekë (1519+1210); kjo do të thotë se, shtesa e të ardhurave nuk ka arritur të mbulojë dot as shtesën e shërbimit të borxhit. Por, nëse vitin e kaluar shtesa e kostos së shërbimit të borxhit, e programuar në buxhetet afatmesme apo një vjeçar nuk u realizua dhe ajo ra nga 8573 milion lekë i programuar, në vetëm 618 milion lekë, me sa duket nuk ka për të ndodhur këtë vit. Mos harrojmë që vetëm shtesa e kostos së shërbimit të borxhit pritet të jetë për këtë vit është 11046 milion lekë. Një fjalë e urtë thotë: “Borxh i harruar në kohë të shtrënguar”. Sfida që shtesa e të ardhurave buxhetore në Shqipëri, nuk mjafton të jetë pozitive në terma jo vetëm reale, por dhe nominale, por duhet të jetë e tillë sa që të barazojë dhe tejkalojë shpenzimet shtesë, për koston e shërbimit të borxhit, dhe mbulimin e shtesës së deficitit të sigurimeve shoqërore shëndetësore, nuk është një sfidë reale për t’u zgjidhur. Për 5 mujorin e vitit 2012, gjithsesi investimet paraqiten 3938 milion lekë më pak se në të njëjtën periudhë ose -13.9 %. Kjo përbën një tjetër tipar të situatës fiskale-ekonomike në vendin tonë. Dukuria e rënies se investimeve kapitale nuk po shfaqet vetëm në sektorin publik, por edhe në sektorin privat, e shprehur nëpërmjet rënies të treguesit të importit të makinerive, i cili gjatë periudhës katërmujore ishte më i ulët. Pra, jemi në një situatë kur janë ngushtuar ose ezauruar në përgjithësi hapësirat për stimujt fiskalë dhe për rritjen sasiore të investimeve publike. Në çdo rast, shtesa e këtyre të fundit mund të bëhet vetëm me borxh. Në këto rrethana, nuk mund të mos e dëgjosh pa vëmendje dhe ta lexosh me prudencë atë që deklaroi z. Bode, se, nuk është koha për stimuj fiskalë, “pasi hapësirat i kemi të ngushta”. Fjala e plotë e tij, megjithëse u dëgjua nga një numër i shumtë mediash, nuk gjeti pasqyrim të plotë autentik gati askund. Pra, siç del dhe nga të dhënat e buxhetit dhe ecurisë fiskale të biznesit gjatë viteve të fundit dhe pesëmujorit, rezulton se nuk janë të mjaftueshme masat për konsolidimin fiskal. Në kushtet e cenimit (rishikimi në ulje për më se 3 vjet) të buxhetit të shtetit dhe ashpërsimit të këtyre treguesve rënia e ritmeve të rritjes ekonomike përbën një nga sfidat kryesore të ekonomisë shqiptare, që duhet zgjidhur. Kjo tregon se është bërë imperative përparësia e masave dhe stimujve të nxitjes së rritjes së qëndrueshme ekonomike. Banka e Shqipërisë gjykon se mund të hyhet në një rreth vicioz, në të cilin moskreditimi i ekonomisë rezulton në një ngadalësim ekonomik të zgjatur që për shkak të lidhjes së interesave, dëmton të gjithë aktorët në ekonomi, përfshi edhe bankat. Ne mendojmë se kjo situatë kërkon veprime kundërciklike në nivel të përgjithshëm. Në praktikë, sektori bankar duhet të ushtrojë rolin që ka në nxitjen dhe zhvillimin e aktivitetit ekonomik, padyshim me kujdesin e nevojshëm. Por, në kushtet e treguesve të mësipërm fiskalë dhe ekonomikë, ndërsa pritej dhe priten konkluzione dhe rekomandime, jo vetëm bindëse, por edhe praktike nga monitorimi dhe analiza e këtij rrethi vicioz, shumëkush do të dëgjojë qëndrimin e drejtpërdrejtë të Bankës së Shqipërisë mbi lidhjen e interesave, apo efektet praktike të masave të politikës monetare për t’iu kundërvënë këtij rrethi vicioz, se cila nga këto masa dhe stimuj funksionoi dhe cila jo? Pavarësisht nga disa efekte pozitive indirekte të Konferencës së fundit të Bankës së Shqipërisë, ajo mund të konsiderohet e pamjaftueshme për të kontrolluar atë, “rrethin vicioz” dhe për të çuar kahun e tij në një spirale zhvillimi. Aq më tepër që, rrethi vicioz po ndodh edhe në kushtet kur depozitat bankare në fund të tremujorit të parë të 2012, ndaj nivelit të tij në mars 2009, kanë pësuar një shtesë prej 280.2 miliard lekë, shumë më tepër se shtesa përkatëse e tyre në mars të vitit 2009 ndaj marsit të vitit 2006, që ka qenë 161.3 miliard lekë. Krejt e kundërta ka ndodhur me kredinë, ndërsa shtesa e tepricës së kredisë bankare (kumulative) për vitet e fundit; (është 133.6, miliard lekë, në periudhën paraardhëse ka qenë 281.8 miliard lekë. Në këto kushte bëhet e qartë se, për të frenuar këtë rreth vicioz, dhe për ta rikthyer në spirale zhvillimi, kërkohet një debat real profesional. Kërkohen, me sa duket, masa dhe stimuj realë që të funksionojnë realisht për rritjen e qëndrueshme dhe me ritme relativisht të larta ekonomike, tej një duartrokitjeje apo konference që nuk e mundësojnë dot freninim e rrethit vicioz. Shtimi i epitetit “të qëndrueshme” dhe ideve dhe rekomandimeve të Konference Rio +20, janë preludi më i mirë për hapjen e këtij debati edhe në vendin tonë.