Nesip Kaci/ Gjyshërit e Ataturkut janë nga komuna e Dibrës, Koxhaxhëk

898
E vetmja çështje që ka preokupuar biografët dhe që është diskutuar, ishte origjina e gjyshërve të tij. Disa autorë europianë janë përpjekur ta tregojnë nga raca e huaj, p.sh shkrimtari i famshëm anglez kapiteni Mr. Harold Armstrong shkruan si vijon: “Ali Rizai dhe Zybejde-ja ndër turqit otomanë bënin një jetë modeste, por fisnike. Ali Rizai nuk kishte mendime ideale. Qëkurse ishte i vogël, duke kaluar malet e Shqipërisë, pati ardhur në Selanik dhe atje gjeti një punë në zyrën e taksave osmane”. (f. 10) “Zybejdea s’kishte parë shkollë, por shtëpinë e rregullonte mirë. Qe një vajzë e një katundari të ardhur nga Shqipëria e jugut, nënën e kishte shqiptare nga Maqedonia…”. “Në kohën e Sulltan Abdylhamitit, vendi ishte mbushur me kryengritje, sidomos Ballkani dhe Manastiri rreth e rrotull qe bërë “depo baruti” që priste çastin e shpërthimit. Burrit energjik, Mustafa Qemalit, këto ngjarje i dukeshin në favor të dëshirës së tij. Si çdo shqiptari, instinktet e tij lëviznin kundër çdo fuqie tiranike. Ai me gjithë shpirt ishte revolucionar dhe përparimtar”. (f.15-16) Edhe një shkrimtar arab i quajtur Aziz Hanki, ish-ambasador në Ankara, shkruan si vijon: “Zybejde-ja që vjen nga një baba shqiptar dhe mëmë maqedonase, prej të cilëve ka marrë vullnet, liri, egoizëm dhe ashpërsi, donte t’i jepte djalit të saj një edukatë fetare. Por Mustafa Qemalit i ziente në damarë gjaku i Lekës së Madh dhe i Mehmet Ali Pashë Kavallës” (f 68-69). Profesori turk Enver Behnan Shapolyo shkruan: “Për gjyshërit e Ataturkut kisha pyetur një shok shkolle të Ataturkut, i cili ka qenë deputet, i quajtur Haxhi Mehmet. Ai më tha: -Gjyshërit e Ataturkut janë nga komuna e Dibrës, Koxhaxhëk, të cilët kishin ardhur nga Konja e Anadollit dhe flisnin turqisht, për këtë shkak quheshin edhe “konjarë” (f. 21). 
Të mëdhenjtë e Turqisë
Shkrimtari i mirënjohur Jakup Kadri Karaosmanoglu, i cili gjatë viteve 1934-36 ka shërbyer në Tiranë si ministër i Turqisë, thotë: “Në fakt prej këtij kombi kanë dalë disa burra shteti të mëdhenj. Po vallë këta njerëz, a janë krejtësisht prej racës turke? -Kurrën e kurrës! Disa nga ata janë hungarezë, shqiptarë, boshnjakë, grekë, armenë, izraelitë, të islamizuar…Po edhe disa shkrimtarë subjektivë të perëndimit, duke gabuar, nuk kanë dashur t’i japin popullit turk këtë nder me burra të mëdhenj. Dhe më në fund janë munduar të na marrin edhe Mustafa Qemalin tonë! Ata janë lodhur ta konsiderojnë Ataturkun si bir i një ati e mëme nga raca e huaj…” (f. 92-93)6). Ende le të shtojmë, se shkrimtari historian Murat Sertoglu me pseudonimin “Eski bir Pehlivan” (Një ish-pehlivan), në gazetën “Terxhuman” të datës 1 prill 1970 ka shkruar si vijon: “…Dikur për të mësuar biografinë e Ataturkut dhe sidomos prejardhjen e tij, kisha vajtur deri në Selanik dhe kisha bërë hulumtime… Së pari, shënoj se Ali Rizai efendiu ka qenë njerku i Ataturkut…Babai i vërtetë i Mustafa Qemalit është Beqir Agai. Ai quhej Beqir Aga, shqiptar, punonte rojtar në doganë. Ishte i ashpër, por njeri i ndershëm. Zybejde Hanëmi ishte bashkëshortja e tij. Beqir Agai kishte vrarë një kaçak, kontrabandist të doganës dhe kishte rënë në burg, ku dhe kishte vdekur…Zybejde Hanëmi nga bashkëshorti i parë ka pasur dy djem, Sureja dhe Mustafa dhe një vajzë; Makbule. Zonja Zybejde pasi mbeti e ve, u vendos në çifligun e Muhsin Beut, afër aeroportit të sotëm në Selanik. Zybejdea, pasi u martua me Ali Riza efendiun, të tre fëmijët jetimë i regjistroi mbi burrin e dytë…Sureja beu, kur ishte kapiten ushtrie kishte kryer vetëvrasje për një shkak të paditur…”. Unë këto shënime i bëj për t’i shërbyer historisë…”- citon profesori turk Murat Sertoglu…Ky lajm me pretendime të rëndësishme, në shtypin turk dhe në qarqet intelektuale zyrtare bëri bujë. U botuan mjaft shkrime protestuese. Shkrimtari Murat Sertoglu me pseudonimin “Një ish-pehlivan” në të njëjtën gazetë (“Terxhuman”) më datë 4 prill 1970 botonte këtë përgjigje të shkurtër: “Për shkrimin që botova lidhur me Ataturkun, prej lexuesve mora mjaft letra dhe më kërkuan me telefon. Madje shumë nga ata u munduan të vinin deri në gazetë dhe kërkuan informata plotësuese. Atyre u rekomandova të paraqiten tek ish-ambasadori z. Firuz Kesim, i cili është nga të afërmit e tij fisnorë dhe z. Ali Këllëç që ka qenë pjesëtar më i afërm personal i Ataturkut. Dijenitë e plota mund t’i siguroni nga ata zotërinj të lartpërmendur”. (Një ish-pehlivan-Murat Sertoglu). Pasi kjo çështje u mbyll, shkruan Nexhip Allpan, kopjet e gazetës “Terxhuman” ia dërgova zotit Nezir Leskoviku, i cili kishte ardhur në Stamboll për t’u kuruar dhe banonte pranë bijës së tij. Zoti Nezir Leskoviku më 12 prill 1970 më shkruante: “Kur lexova shkrimet e ish-pehlivanit mu ngjall një kujtesë”. Një ditë në Tiranë, kur po bënim muhabet me disa shokë në kafenenë “Kulla e Sahatit” pranë nesh asistonte edhe një ish-oficer që kishte jetuar në Turqi. Duke u përzier në bisedën tonë ai na tha: “Unë shërbimin ushtarak e kam kryer pranë ushtarëve të M. Qemal Ataturkut. Një ditë Pashai më dha urdhër: -Sillmë kalin! Ia solla, po ai mu zemërua duke më pyetur: Hani bunun eyeri? Unë u hutova fare, u shastisa, nuk dija se ç’të bëja, se nuk dija çdo me thënë “eyer”. Pashai e kuptoi hallin tim dhe më sqaroi shqip: -Shalën more shalën, ku e ka. Pra më duket se mjaftojnë këto fjalë për t’u bindur se ai fliste shqip si ne’’. Edhe një ngjarje të jetuar do të shtojmë për të saktësuar se Mustafa Qemali e dinte mirë shqipen: Kur diplomati Asaf Xhaxhuli, kolonjar, më 1926 i paraqiti Ataturkut Letrat Kredenciale dhe filloi t’ia lexonte ato frëngjisht, Ataturku e ndërpreu dhe i tha: Të lutem, mos më fol frëngjisht, por turqisht ose shqip, se unë di shqip dhe zoti Asaf Xhaxhuli ia ktheu shqip. Po kështu bisedat intime të Musftafa Qemalit me Mihal Gramenon dhe Bajo Topullin në Selanik më 1908 janë bërë në shqip. Opinioni intelektual i Turqisë nuk pranon që Ataturku të ketë rrjedhur nga një racë e huaj. Në të vërtetë Mustafa Qemali në Turqi njihet dhe cilësohet si një bashkatdhetar turk, ati i turqve, Ataturk. Me këto rreshta që po shkruajmë nuk diskutojmë dhe kurrsesi nuk duam të themi që Mustafa Qemali rrjedh nga një racë e huaj. Atëherë kemi bërë pjesë në të njëjtën perandori, atributet dhe kontributet i kishim të përbashkëta. Asnjë herë shqiptarët nuk janë konsideruar racë e huaj në atë perandori, që ishte një nga perandoritë më të mëdha të globit, përkundrazi ata kanë qenë në krye të vendit dhe siç është shprehur ambasadori i Turqisë në Tiranë Ahmet Rifat Okçun, me 27 korrik 1997 në promovimin e monografisë “Shqiptarët në perandorinë Osmane”, shqiptarët kanë qenë margaritarët, diamantet e perandorisë. Nga komuniteti shqiptar kanë dalë kryevezirët më të fortë që ka pasur perandoria, siç mund të përmendim Qyprylinjtë, pushteti i të cilëve ka qenë më i fortë dhe më efikas se autoriteti i sulltanëve të asaj kohe, ata e shpëtuan perandorinë nga një rrëzim total, i dhanë gjak. Shkrimtarja qemaliste Halide Edip Adivar në një letër që i shkruante Ferit Vokopolës më 1937 i thoshte:“ Shqiptar do të thotë vëlla i vërtetë, që është shkrirë me jetën e turkut”. Miku im historian, Prof. Nezir Bata ,që e lexoi këtë libër para se ta botonim, me dashamirësi më tha: “Ti ke qenë ambasador në Turqi, këtë pjesën që flet për origjinën e Ataturkut më mirë hiqe se nuk dihet se si do të mendojnë turqit. Iu përgjigja mikut tim se te gjitha këto janë shkruar në shtypin turk, nuk kemi shtuar as pakësuar asnjë gërmë, gjithçka që themi janë marrë nga enciklopeditë, librat dhe gazetat e Turqisë, gjithçka bëhet me dashamirësi për t’i shërbyer historisë. Dhe me që jemi këtu le të themi një episod nga jeta e Mustafait të Madh. Ishte një kohë që në Turqi u shfaq dhe u rrit një frymë ksenofobe ndaj të huajve, bile kjo shfaqej hapur në opinionin publik dhe filluan të përpiloheshin lista për t’i përzënë nga Turqia. Ndër ithtarët e kësaj fryme ishin dhe zyrtarë të lartë. Një ditë këto lista kryeministri Ismet Ynony ia paraqiti Ataturkut në zyrë, i cili pasi i pa imtësisht dhe me kujdes i tha Ynonysë: Më vini mua në krye të listës se unë jam shqiptar. Pas kësaj fryma ksenofobe shkriu si një flluskë sapuni. Mirëpo vetë Ataturku jetëshkrimin dhe kombësinë e tij e ka shkruar me dorën e vet dhe ka theksuar: “Ne mutlu türküm diyene” që në shqip domethënë: “Sa i lumtur të bëhesh turk, te jesh turk’’. Shkurt nënvizojmë se Ataturku ka qenë atdhedashës dhe kombdashës turk. Ataturku për kombësinë kërkonte tre kushte kryesore: “mendime, ndjenja dhe gjuhë turke…’’ Ataturku ne shënimet e tij personale te botuara ne shtypin turk shkruan se shqiptaret i konsiderojmë te aferm, i kemi tanët, gjë që nuk e ka thënë për kombe te tjerë te Ballkanit. Biografët e shumtë që kanë shkruar për Mustafa Qemal Ataturkun, kanë nënvizuar këto cilësi të tij: komandant i rrallë, udhëheqës shteti i shquar, themelues i Turqisë moderne, politikan dhe diplomat realist, reformator dhe humanist; atij i përket thënia: “Paqe në atdhe, paqe në botë”, orator i flaktë që ndezi shpirtrat e fikur. 
Ish-ambasador në Turqi
Sigal