Nesër do të lexoni/ Spitali Psikiatrik Vlorë, “Spitali i Kontrasteve”

Sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe nga studime të kryera nga Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë, 1 në 4 persona vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Shëndeti mendor përkufizohet si një gjendje e mirëqenies në të cilën çdo individ realizon potencialin e tij, mund të përballet me streset normale të jetës, mund të punojë në mënyrë produktive dhe të frytshme, si dhe është i aftë të japë një kontribut për komunitetin e tij. Asnjë individ nuk është imun nga problemet e shëndetit mendor, dera e spitalit është e hapur, pasi çrregullimet mendore janë universale, ato prekin njerëzit e të gjitha vendeve, krahinave, qyteteve, fshatrave, moshave, gjinive, të pasur a të varfër qofshin dhe nuk ka formulë, metodë apo teknikë që ta shmangë, ta reduktojë apo ta zhdukë këtë fenomen, i cili po përhapet me kaq shpejtësi dhe po prek këdo nga ne apo të dashurit tanë, qoftë njëherë të vetme në jetë. Në këto kushte, është e domosdoshme të investohet në cilësinë e shërbimeve spitalore për të ndihmuar veten dhe shoqërinë. Në vitet e fundit janë realizuar investime të konsiderueshme në spitale, për aparatura dhe mjete të sofistikuara, sisteme moderne Check-up, për shërbime spitalore dhe operative, shembull nga praktikat më të mira menaxhuese të spitaleve evropiane, efekti i të cilave nuk është i aksesueshëm nga pacientët për të cilët është investuar, por ka shërbyer më shumë për fushata dhe bujë mediatike të qeverive dhe drejtuesve të Spitaleve. Spitali Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë është një spital publik i hapur që në vitin 1921 dhe i pari i llojit të tij në vend në ndihmë të të sëmurëve mendorë. Pas kushteve shumë të vështira dhe gjendjes së mjerueshme në të cilin ndodhej ky spital prej vitesh, në vitin 2014, nisi investimi, për ri-konstrukturimin dhe modernizimin, jo vetëm të ndërtesës por edhe për ofrimin e shërbimit mjekësor sipas standardeve evropiane. Hyrja e spitalit është një asfalt betoni ku parkojnë punonjësit e spitalit dhe sa futesh në derën kryesore të bëjnë përshtypje trëndafilat e bukur rozë në të kuq dhe gjembat e tyre më të mëdhenj se lulja, pa erë, një bukuri që çel nga jashtë, që i pëlqen shumë syrit, por jo zemrës. Duke shëtitur nëpër oborr, të zë syri disa të sëmurë, ulur bordurave apo në ato 2-3 stolat që ka oborri i spitalit i zaptuar po nga makinat e stafit. Normal që nuk i vihet faj punonjësve, pasi hapësira para spitalit nuk mjafton për të parkuar të gjitha makinat, prandaj duhet shfrytëzuar oborri i të sëmurëve, të cilët nuk ankohen kurrë, nuk thonë kurrë një gjysmë fjale të ligë, përkundrazi mirëpresin të gjithë njerëzit me buzëqeshjen e tyre të çiltër. Hyrja e Spitalit të krijon një ndjesi të lartë krenarie për ndryshimet që ka pësuar Shqipëria, për investimet prestigjioze, për ndjenjën e përgjegjësisë, e cila rritet çdo ditë dhe për kulturën e punës për t’i shërbyer cilësisht një kategorie pak më të veçantë njerëzish, siç janë të sëmurët psikiatrik në Shqipëri. Ambientet janë shumë të pastra, stafi është në vendin e duhur në kohën e duhur, mjekët dhe infermierët janë shumë të dedikuar dhe çdo shqiptar duhet t’i falënderojë për përkushtimin dhe dedikimin tyre. Godina është në ngjyrën jeshile të shpresës dhe shplodhëse për sytë e çdokujt që është vizitor i përkohshëm apo banor i përhershëm. 
Lili DULO
Audituese KLSH
Për më shumë nesër në gazetën Telegraf