Nesër do të lexoni/ “Shitja” e Shqipërisë

Vangjush SARO
E di që përpara çdolloj radhe a opinioni, si qytetar dhe si shkrimtar, më së pari do të duhej të uroja, sa më pak lëndime e dëmtime nga situata e jashtëzakonshme e përmbytjeve. Dhe këto që do të kumtoj më poshtë, doemos nuk janë në njëlloj lidhjeje shkakësore me çfarë ndodhi; por janë pjesë e saj. Duke u marrë me tema që e prodhojnë mirë bujën e, shpesh herë, edhe me vogëlima - si atletet apo tirqet e Kryeministrit, përplasja e tij me mediat, etj. - në Shqipëri janë lënë pas dore një sërë probleme, midis të cilave, krahas ndëshkimit të korrupsionit, është me shumë peshë edhe grahma e pronave dhe, veças, shpronësimi i shtetit. Në vështrimin tim, dukuria më e fundit, shpronësimi ekstrem i shtetit, është një nga arsyet e prapambetjes në vend, është shkaku kryesor për mungesën e elementit social në çdo qeverisje, por njëherësh, është edhe një nga burimet kryesore të konflikteve, në shkallë zyrtare apo vetjake, konflikte që kohë e pa kohë, prodhojnë beteja, nga të cilat vendi dhe qytetarët “në hije” kanë vetëm humbje. Është, siç mendoj unë, edhe një nga shumë arsyet pse ndodhin herë pas here përmbytje e fatkeqësi të tjera. Kujtesë. Para vitit ’91, në Shqipëri, shteti kishte e zotëronte pothuaj gjithçka; çdo objekt industrial, çdo copë toke e çdo vlerë, ishte e tij. (Megjithëse, siç doli më pas, pavarësisht të mirave e të këqijave të tij, ai shtet paskej qenë mjaft i përkorë në mbrojtjen e dokumenteve përkatëse.) Pas vitit ’91, shteti filloi të lëshonte pronat dhe vlerat si të mundej. Ai i shiti apo i braktisi të gjitha, pasi më parë ishin lënë pas dore dhe ishin vjedhur njëherë: Ish-fermat, ish-fabrikat dhe uzinat, shërbimet (përfshi transportin publik,) kanalet dhe pompat, hidrovoret, pyjet, parqet e njohura dhe ato të pa shpallura… Me “sebepin” e rikrijimit dhe të çlirimit të pronës private, ia behu epidemia për të gllabëruar sa më shumë; mania përfshiu zyrtarë të lartë dhe njerëz të zakonshëm. “Presioni i sotshëm synon t’iu japë tregjeve një rol më të madh dhe qeverisë një rol më të vogël.” Milton Fridman. (“Kapitalizmi dhe liria”) Por a thua kuptonin kaq shumë ata që po bënin “reforma”, ndërkohë që shumica e shqiptarëve ishin dhe mbetën qytetarë “në hije”. (Hiset e Diellit ishin gllabëruar; dhe vazhdojnë të gllabërohen.) Pa figura. Mendoj se qeveria shqiptare e fillimit të viteve ‘90, por edhe ato më tutje, ngase e kishin të pamundur të zgjidhnin alternativa të vështira, por të drejta, i ranë shkurt, duke shpërndarë me shpejtësi ç’të mundnin. Është folur shumë për Ligjin 7501, për...
Për më shumë nesër në gazetën Telegraf