Nëpër kohë…

828
Nga Jusuf BUXHOVI

Në tërësi, kundrimet publicistike të Frank Shkrelit paraqesin një udhëtim nëpër kohë, kohë kjo që sillet në qarkun tonë shpirtëror dhe historik.
Publicistika shqiptare, nga koha e Konicës e këndej, përherë ka ruajtur qasjen e angazhuar ndaj problemeve shoqërore, politike dhe atyre kulturore. Ky fokusim përherë është sjellë kah çështjet identitare si dhe ato ekzistenciale, sidomos në rrethanat e kapërcimeve historike siç ishin ato nga pushtimi osman tek pavarësia për një pjesë të kombit të përfshirë nën kufijtë e shtetit të përgjysmuar, dhe ato të robërisë serbo-jugosllave për pjesën tjetër. Natyrisht se këto kapërcime historike nuk janë përcjellë kurdoherë edhe me ndryshimin e mentaliteteve, që kanë sjellë gjendjet e reja, sidomos atyre me të cilat thyheshin paragjykimet fetare ose ato të përkatësisë së qytetërimeve, me të cilat merrej aq me përkushtim Konica ynë, duke u përpjekur që ato t’i përshpejtojë jashtë natyrës së gjerave dhe jashtë kohës madje. Meqë komunizmi mbylli për gjysmë shekulli diskursin kritik-ironik të Konicës ndaj problemeve shoqërore dhe politike duke i vendosur ato në sfondin e kundrimeve të njohura ideologjike dhe të idiolatrisë së saj, me tranzicionin e fillim viteve nëntëdhjetë, shoqëria shqiptare në Shqipëri dhe ajo në Kosovë, sërish u gjend para sfidës së ndryshimeve të mëdha shoqërore dhe politike, kur duhej të mësohej me demokracinë, lirinë dhe përgjegjësinë që sjellin ato jo vetëm në raport me qytetarinë, po edhe me çështjet identitare, në mënyrë që t’i bashkohemi rrjedhave të përgjithshme të shoqërive të lira dhe të qytetëruara. Natyrisht se në një shoqëri të robëruar mendërisht, ku liria përjetohet vetëm si një mundësi për sjellje të pambikëqyrur dhe pa përgjegjësi, kapërcimi kthehet në një ngatërresë tjetër, në një humbje të drejtpeshimit shpirtëror dhe moral, në një gjendje anarkike, ku rendi dhe ligji shihen si pengesa që duhet rrënuar me çdo kusht, me çka, një shoqëri e humb edhe kompasin e vet midis vlerave dhe jovlerave, midis të mirës dhe të keqes… Dimensioni i shthurur i lirisë pas tranzicionit të papërfunduar ose keq të përfunduar – në Shqipëri, si dhe problemet me lirinë pas çlirimit – në Kosovë, preokupojnë edhe publicistin Frank Shkreli, objektivi i të cilit, mbi këto çështje drejtohet nga jashtë, pra nga SHBA-ja, një vend demokratik, prej nga botës shqiptare në çastet më të rëndësishme të ekzistencës nga politika amerikane i ka ardhur ndihma e duhur (herën e parë, nga Presidenti Wilson, kur në Konferencën e Paqes në Paris kërkoi mbrojtjen e shtetit shqiptar nga copëtimet, dhe herën e dytë, kur presidenti Bush, në vitin 1997, tha se Kosova duhej të shpallej e pavarur). Duke parë nga një pozitë e tillë, F. Shkreli trajton problemet shqiptare, jo me brengën e Konicës deri në dëshpërim, por me një shqetësim ngaqë, në njërën anë shoqëria shqiptare nuk po ia del që të mundë apo të lirohet nga ngarkesat ideologjike dhe mbetjet e tyre, dhe në tjetrën anë, nuk po ia del që të tejkalojë sa duhet ngarkesat e mentaliteteve fetare, të cilave, Rilindja jonë kombëtare, u kishte dhënë përgjigje të duhur.

Këtu dhe te këto çështje, F. Shkreli i referohet pikërisht ideve dhe personaliteteve që nacionalizmin shqiptar e kthyen në nacionalizëm politik, me të cilën u shpall shteti shqiptar, si parakusht për t’iu kthyer gjenezës së qytetërimit perëndimor, ku i ka rrënjët dhe vendin. Ndaj, jo rastësisht, ridefinimit të shqiptarizmit në rrethanat e reja, Shkreli i referohet me shëmbëlltyrën e Skënderbeut si dhe rolin e tij në historinë tonë kombëtare. Jo rastësisht, Shkreli, i referohet Fishtës dhe veprës së tij madhore për ta treguar dimensionin e fuqisë shpirtërore dhe krijuese të një populli që buron nga arti i madh. Në tërësi, kundrimet publicistike të F. Shkrelit paraqesin një udhëtim nëpër kohë, kohë kjo që sillet në qarkun tonë shpirtëror dhe historik.
Sigal