Nelson Hicka/ Qeveria të mos penalalizojë bizneset, por të ndërtojë shtetin ligjor

594
Për të realizuar një “fitore të sigurt në këtë lufte”, Kryeministri dhe Ministri i Financave përdorin taktikën e kërcënimit ndaj subjekteve dhe thonë se do të bëjnë ndryshime në Kodin Penal dhe se do të dënojnë me burg të gjithë shkelësit e ligjit 
Kryeministri, Ministri i Financave dhe shtypi këto ditë po trajtojnë gjerësisht “luftën kundër informalitetit dhe evazionit fiskal” dhe muajin shtator 2015 e kanë përcaktuar si muajin e fillimit të luftës kundër këtyre fenomeneve, me qëllim realizimin e të ardhurave të buxhetit të shtetit, të cilat do të përdoren për të rritur në të ardhmen pagat e punonjësve të administratës publike dhe pensionet. Për të realizuar një “fitore të sigurt në këtë lufte”, Kryeministri dhe Ministri i Financave përdorin taktikën e kërcënimit ndaj subjekteve dhe thonë se do të bëjnë ndryshime në Kodin Penal dhe se do të dënojnë me burg të gjithë shkelësit e ligjit. 
Staretegjia e gabuar e Kryeministrit
Për mendimin tim strategjia dhe taktika e kryeministrit dhe e ministrit të Financave janë të gabuara.
Së pari: Qëllimi strategjik i kësaj lufte duhet të jetë “Vendosja e Shtetit Ligjor” dhe jo mbushja e Arkës së Shtetit.
Së dyti: Lufta kundër informalitetit dhe evazionit fiskal nuk fitohet me fushata të herëpashershme, por ajo kërkon vazhdimësi, luftë të pandërprerë, për ndryshe, shkelësit e ligjit humbin një betejë të madhe, por fitojnë shumë beteja të vogla që për nga rezultati përfundimtar janë me fitime më të mëdha se sa humbjet e pësuara në betejën e madhe. 
Së treti: Ligjet ekzistuese për të luftuar informalitetin dhe evazionin fiskal janë mëse të mjaftueshme, ndryshimet që mendohet të bëhen tani në Kodin Penal, vetëm mund të ashpërsohen deri në kufijtë e të palogjikshmes marrëdhëniet shtet-biznes. Pra këto ndryshime mund të sjellin vetëm acarime të panevojshme në popull. Nuk duhet të ndodhë, siç ndodhi me të dënuarit e ndërtimeve paleje, që, pasi u burgosën disa kohe, amnistohen sepse qeveria, për arësye politike, elektorale, nuk e konsideron më shkelje në veprim. Lind pyetja: Përse nuk janë realizuar të ardhurat e buxhetit për 6/mujorin e parë të vitit 2015 dhe në përfundim të kësaj “lufte” a do të realizohen objektivat e përcaktuara nga kryeministri dhe qeveria, si realizimi i të ardhurave të buxhetit për 2015, si rritja e pagave dhe pensioneve, etj.? Për t’ju pergjigjur kësaj pyetjeje duhet të analizojmë faktorët që kanë ndikuar në zhvillimin e këtyre fenomeneve negative, që janë:
1. Korrupsioni i madh që karakterizon administratën publike si dhe atë doganore e tatimore (ky është një fenomen i pranuar edhe nga kryeministri dhe ministri i Financave). Nqs në këtë “luftë” këta komandantë do të udhehëqin po këta “ushtarë të koruptuar” dihet se fundi do të jetë i palavdishëm. Pra perpara se të fillojë kjo “luftë” për të patur rezultate të shpejta, duhet që të ketë përfunduar lufta kundër korrupsionit të administratës. Nuk mund të zhvillohen paralelisht edhe lufta kundër korrupsionit dhe ajo kundër informalitetit dhe evazionit fiskal, sepse ky proces do të ishte i pafund në kohë dhe do ta kalonim jetën vetëm në “gjendje të jashtëzakonshme” pra do të ishim në situatë stresuese për një kohë shumë të gjatë.( nuk duhet të konfondojmë “luftën” me rutinën e punës së këtyre organeve, gjatë së cilës bëhet edhe spastrimi i administratës nga punonjësit e korruptuar si dhe përmirësimi i legjislacionit dhe praktikave).
2. Mosrespektimi i ligjit. Shkelësit më të mëdhenj të ligjit në Shqipëri janë punonjësit e ngarkuar për të kontrolluar zbatimin e ligjit (përfshi edhe gjyqtarë, prokurorë e policë). Ata janë të paaftë , arrogantë dhe abuzivë. Shumica e punonjësve, në punën e tyre zbatojnë “rregullin: “Mua të mos më krijohen probleme, çfarë mund të përfitojë padrejtësisht nga puna që bëjë, pa bëhet apo nuk bëhet puna, nuk më intereson, si dhe të jem në rregull me shefin”. Në zbatim të kësaj motoje, punonjësit e tatimeve dhe doganave janë bashkëautorë me bizneset në evazionin fiskal dhe në informalitet. Janë pikërisht këta punonjës që kundrejt një shpërblimi nuk kërkojnë që bizneset të rregjistrohen dhe janë po punonjësit e tatimeve, të cilat mbajnë dhe kontrollojnë bilancet e bizneseve, të cilat kundrejt pagesave të menjehërshme apo të përmuajshme kryejnë evazionin fiskal. Për ata që nuk paguajnë ryshfete, që respektojnë ligjin, ata shqetësohen kur nuk gjejnë gabime dhe janë të palogjikshëm ndaj këtyre bizneseve me skërkesa të paligjshme, por që nuk ke ku të ankohesh dhe te realizosh të drejtën që të takon. Nga veprimet dhe qëndrimin e tyre, është krijuar një hendek i madh midis popullit dhe “përfaqësuesve të pushtetit”, duke përmbysur edhe parimin e madh të çdo demokracie që thotë “Pushteti buron nga populli dhe i takon popullit”. Në teori punonjësit e administrates duhet të jenë shërbëtor të popullit (ku zbatohet ky parim korupsioni thuajse nuk ekziston dhe ekziston mirëkuptimi dhe harmonia midis shtetit dhe individit), ndërsa në Shqipëri populli është në shërbim të pushtetarëve, të cilët deri tani i kanë rjepur 3 lekura. Paaftësia e drejtuesve dhe e punonjësve të organeve tatimore e doganore. Nuk e kuptoj arësyen e këmbënguljes së kryeministrit për të lënë në krye të tatimeve, një person pa rezultate në punë dhe pa eksperiencë. Njëherë një i mencur “i thotë” dikujt që kishte ndëruar jetë: “Në pyesin atje ku do të vesh se si shkojnë punët këtu tek ne, thuaji se kryeplak është XX dhe ai e kupton vetë se si venë punët këtu tek ne”. Të gjithë jemi dëshmitarë të paaftësisë së drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve. Nuk e kuptoj çfarë pret të ndodhë tjetër, që kryeministri ta shkarkojë. Të gjithë jemi dëshmitar se për të zgjidhur një problem çfarëdo në këto organe do të sorollatesh shumë kohe, por edhe sepse ligjin dhe udhëzimet i lexojnë dhe kuptojnë si ju intereson për momentin. Pjesëmarja e këtyre punonjësve, që janë të korruptuar dhe të paaftë dhe këta nuk janë pak, do të bënte që ata që janë të rregullt dhe që nuk japin ryshfete do të ndëshkoheshin padrejtësisht ndërsa shkelësit e ligjit nuk do të ndëshkoheshin gjë që do të krijonte vetëm konflikte të panevojshme dhe acarime që do të jenë me pasoja të rënda për mbarëvajtjen e këtij procesi dhe të marrëdhënieve në të ardhmen. Qytetarët (dhe sipërmarrësit si pjese e tyre) nuk janë të ndërgjegjshëm për të paguar taksat dhe tatimet që u takojnë, sepse nuk janë të garantuar se ato do t’u kthehen përsëri nëpërmjet shërbimeve që do të marrin nga shteti. Ata shtetin nuk e shohin si një organizëm që përfaqëson interesat e tyre dhe është në shërbim të tyre. Ata shtetin e shohin si një “zhvatës” të pasurisë së tyre, i cili atë pasuri që merr nga populli e shpërndan ndër pushtetarët nëpërmjet tenderave dhe formave të tjera të perfitimeve. Pra, ekziston një fryme mosbesimi dhe armiqësie të popullit ndaj shtetit. Populli pushtetarët nuk i shikon si përfaqësuesit e tij që janë zgjedhur prej tij, për të zgjidhur problemet dhe hallet që ai ka, por i sheh si grabitës dhe shpërdoruesë të pasurisë kombëtare dhe kjo është një histori në këto 25 vjet. A mundet që kryeministri dhe ministri i Financave të realizojnë objektivin kryesore të kësaj luftë që është realizimi i të ardhurave të buxhetit të shtetit, por pa zhvilluar “luftë totale” ndaj të gjitha bizneseve? 
Rrugwt mw efikase kundwr evazionit fiskal
Mendoj se është plotësisht e mundur. Rrugët për të realizuar këtë objektiv janë:
Së pari: Arkëtimi për 5 vjet i taksës (rentës) minerare, që nuk është mbledhur dhe që përfaqëson një shumë rreth 44 milion euro në vit, pra në total nga ky burim mund të arkëtohen 220 milion euro. Dhe për të patur efekte me shtrirje të gjerë ky proces është e domosdoshme që t’u jepet përgjigje dhe zgjidhje këtyre pyetjeve: Përse nuk është arkëtuar kjo taksë për një periudhë kaq të gjatë? Kush janë përgjegjësit kryesorë për këtë fenomen? A do të burgosen këta “VIP-a” , siç janë burgosur “hajdutët” e energjisë elektrike…?
Së dyti: Me një punë të kualifikuar, vetëm nga kontrolli i bilanceve dhe dokumenteve të subjekteve të ashtuquajtur VIP mund të realizohen të ardhura, sikur të dyfishohen taksat e biznesit të vogël dhe të mesëm. Nga ato të dhënat e organeve tatimore rezulton se të ardhurat nga tatim fitimi i VIP-ave është më i vogël se nga ai i biznesit të vogël, megjithëse qarkullimin e kanë shumë herë më të madh se ai.
Së treti: Kontroll i artikujve të akcizës siç janë birra, karburanti dhe cigaret.Të ardhurat e realizuara nga ky burim do të jenë kënaqshëm dhe të sigurt për rritjen e të ardhurave buxhetore. Pra, po të ekzistojë dëshira e pushtetarëve që të luftojnë kontrabandën nuk është e vështirë të zbulosh kontrabandistët e këtyre artikujve dhe t’i vesh përpara përgjegjësisë si dhe të arkëtosh detyrimin e tyre. Këto kontrolle të kryhen në kuadër të punës rutine të organeve tatimore e doganore dhe kanë përparësi ndaj kontrollit të të gjitha bizneseve, sepse kërkon një numër shumë të kufizuar specialistësh, është mundësia e rikontrollit të punës së këtyre specialistëve dhe përfitimet janë të menjëhershme. Pra, qeveria mund të ketë sukses për të realizuar të ardhurat e vitit 2015, por nuk do të ketë sukses në vendosjen dhe forcimin e Shtetit Ligjor, por ky duhet të jetë objektivi kryesor i gjithë kësaj lufte, ndërsa realizimi i të ardhurave për vitin 2015 duhet të jetë aneks i kësaj axhente të qeverisë.
Ish-specialist i Bankës së Shqipërisë
Sigal