Nebil Çika: “Lista Basha” si salvaxhente e PD-së

539
Lista Basha, ajo e kandidateve për deputetë të PD-së në zgjedhjet e qershorit, ka hapur një debat të madh politik e publik . Ajo që bën përshtypje ishte fakti se ata që ulërijnë më shumë, janë ata që për katër vite i kërkonin Bashës të ishte radikal në opozitën e tij dhe, nëse i marrim me emra përbejnë edhe estabilshmentin e vjetër politik të PD-së, e thënë ndryshe ata që e kanë sunduar e mjelë jo vetëm politikisht nga 1991 e deri më sot. Në fakt kjo listë ishte paralajmëruar nga Basha me idenë e tij të Republikës së Rë të lançuar prej tij në protestën tre mujore në bulevard , në atë që njihet nga demokratet si “Çadra e Lirisë”. Republika e re nuk do të kishte asnjë kuptim, si ide dhe aksion politik, nëse nuk do të niste së pari nga vete PD. Në koncept ‘lista Basha’ konkretizoi në masën më të madhe këtë ide të tij, ndonëse ndërhyrja mund të kishte qenë, më e thellë, më radikale, një ndarje nga e kaluara problematike e PD-së, një zgjidhje përfundimtare. Lista ka ende figura “të zeza” të njohura në PD e publik , ish shërbëtorë të komunizmit, spiunë të Sigurimit të Shtetit etj, që Basha nuk i ka fshirë dot apo nuk ka dashur t’i fshijë për arsye ende të pa shpjeguara. Kam idenë se një pjesë i ka “shpëtuar” pasi ka ende që meritojnë të largohen, por kanë ngelur jashtë edhe më shumë vlera që meritojnë të jenë në lista. Por sigurisht situatë politike e elektorale pas publikimit të saj është shumë më e mirë se më parë në të gjitha aspektet . Basha e mori PD-në “në pikën e saj të vdekjes” në vitin 2013 me shpresën e premtimin për ta ringritur atë. Ai mori një parti të ndërtuar tërësisht nga Berisha, më shumë e majtë se e djathtë, që pas 23 vitesh, kishte prekur fundin në zgjedhjet e 2013. Ringritja nënkuptonte një ekip të ri politik e elektoral që t’i përgjigjej profilit politik, ideve, projektit dhe vizionit të liderit të ri të saj. Shumë mendonin që z. Basha, për mënyrën se si erdhi në krye të PD-së, do të ruante të pa prekur linjën e Berishës, gjë që nënkuptonte edhe vazhdimësinë e tij në filozofinë politike e, sidomos në burimet njerëzore dhe të tjera. Pati të tjerë që menduan e besuan ,se ai do të ishte formalisht në krye të PD-së, pasi lideri real do të ishte Berisha. Por me sa duket nuk ndodhi tamam kështu. Reagimi i sotëm negativ ndaj ‘listës Basha’ tregon se shumë në PD–në e vjetër i bënë hesapet “pa hanxhinë” dhe nuk e pranojnë dot statusin e ri personal, jashtë trupës politike e elektorale të përcaktuar nga z.Basha. Shumica e atyre që u larguan e kanë merituar me kohë këtë, pasi me qëndrimet politike, sjellin në pushtet dhe opozitë, performancën dhe të kaluarat e errëta që ishin bërë “kanceri” politik, moral dhe elektoral i PD. Me ta PD ishte kthyer një trup politik në dekompozim dhe zgjidhja e vetme si ne një operacion ishte preja e pjesës “së kalbur” të saj. Basha vonoi por nuk harroi. Për më shumë se tre vite ai krijoi idenë se nuk reagonte dot ndaj establishmentit te vjetër, gjë që i vuri në gjumë këta të fundit në PD. Çadra, si akt politik, ishte institucioni që Basha ndërtoi dhe e përdori për të pastruar së pari PD-në. Një filtër politik e elektoral i veçantë në llojin e vet, ku trupa politike e elektorale e PD-së pa veten në pasqyrë, gjë që me sa duket ,nuk ngeli jashtë vëmendjes se z. Basha. Shumica e atyre që u lanë jashtë listave nga garda e vjetër, as që guxonin të vinin në çadër për shkak të reagimit të militanteve të thjeshtë ndaj tyre. Maksimumi vinin me kokën ulur e bënin nga një foto për fb kur vinte Basha dhe iknin me “bisht në shalë” sapo largohej ai. Vetë Basha e përdori çadrën për të promovuar projektin e tij politik të pagëzuar “Republika e Re” . Por siç thotë populli, daullet bien për ata që kanë veshë. Republika e re paralajmëronte pikërisht këtë që ndodhi me listat e PD-së dhe se ajo nuk do të kishte kuptim e as sukses, nëse nuk do të aplikohej, së pari brenda llojit. Basha është kreu i PD-së dhe kur flet për reforma e lëvizje politike ka parasysh ,së pari partine e tij. Ai as nuk ka detyrë e as mundet të ndryshojë partitë e tjera, prandaj mendoi që Republika e Re ishte një projekt politik, i programuar posaçërisht për zhvillimet e brendshme në PD dhe reflektimi publik i këtyre ndryshimeve do të ishte edhe karta e re elektorale për publikun e z. Basha. Në këto rrethana lista e z. Basha, sidomos spastrimi i saj , është korrekte gjithandej përveç faktit që mund të kishte qenë edhe më e fortë, por edhe kështu ka vlera të mëdha. Kur Basha nisi protestën në 18 shkurt në një shkrimin tim:” Luli i vocër, i madh”, i kam kërkuar pikërisht këtë: “të pastronte së pari plehrat nga shtëpia e tij”, gjë që në masë të madhe e ka bërë me listën e kandidatëve për deputetë. Një nga pikat e forta të Bashës, tendenca për zhvendosjen djathtas e PD-së, jo vetëm me retorikë por edhe në burime njerëzore. Ai premtoi në çadër se 10 % e listës elektorale të PD-së do të vinte nga të përndjekurit politike dhe e bëri, ndoshta me shume se aq. Sot të paktën 12 prej tyre janë në lisat të sigurta fituese por numri mund të shkojë edhe më shumë në përfundim të zgjedhjeve. Edhe retorika e tij politike ka pësuar zhvendosje të fortë djathtas. Ai ka hequr prapashtesën djallëzore “ish” nga fjalët “i përndjekur dhe pronar” ndërkohë që ka mbajtur fjalën duke larguar nga lista shumë ish- komunistë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit apo pinjollë të tyre të sjellë ne PD në kohë e rrethana e për qëllime të ndryshme nga paraardhësi i tij. Kjo përben një tjetër aspekt pozitiv të listës Basha . Sigurisht që ka akoma emra që duhen larguar por mendoj që shumica e “qelbit” politik nga PD është spastruar hë për hë. Dua të theksoj, se lista Basha nuk është shkatërrimi i PD-së siç pretendojnë shumë prej të larguarve apo suportët mediatikë të tyre. Në fakt është shpëtim ( salvaxhente ) i PD-së, apo më mirë të themi e vetmja rrugë e mjet i shpëtimit të saj. Besoj se ky konfigurim sot i listës elektorale do të përdoret për të korrektuar nesër gjendjen po aq të rendë edhe në parti. Fakti që drejtues të rëndësishëm të saj, anëtarë kryesie sekretarë apo drejtues të departamenteve nuk janë në listën elektorale apo nuk janë në krye të listave në qarqe (si p.sh sekretari i përgjithshëm Ristani që me vendosjen nr 4 në listën Qarkun Vlorë nuk ka arsye as morale e as politike të jetë më nr 2 i partisë, në fakt nuk ka pasur kurrë), detyrojnë një zhvendosje apo largim të tyre edhe nga postet në parti, në Kuvendin e ardhshëm të saj. Basha ka pasur problem edhe me disa “mbetje” të tjera politike në PD, që për arsye të pasqaruara nuk i largoi, të cilët nuk kishte degë të PD-së që i pranonte për kandidatë, situatë që ka çuar në një sistemim të sforcuar elektoral të tyre, që me siguri do t’i prishë shumë punë elektoralisht. Republika e Re, nuk mund të ketë kuptim e të funksionojë pa vendosur gjërat në vend, së pari në PD, këtë Basha e di mirë dhe kjo listë e kandidatëve për deputetë reflekton pikërisht këtë. 

Jam i bindur se shumica e strukturave të PD-së dhe elektoratit mezi e kanë pritur këtë lëvizje të Bashës , që shpresoj të jetë një projekt serioz që sapo ka filluar e jo në lojë fluide e artifice për interesa të ngushta të pushtetit personal. Nëse nuk është serioz e parimor ky është një projekt shkatërrimi, një dështim që vetëm do zgjatë edhe pak kohe agoninë politike e elektorale të PD-së, kandili i së cilës kishte kohë që po tentonte të fikej. Por me PD-në dhe suksesin e saj elektoral është i lidhur edhe fati politik i Bashës, prandaj besoj që Republika e re sidomos aplikimi i saj së pari brenda PD të jetë një projekt politik serioz. Në rrethanat kombëtare dhe globale Basha ka vetëm një mundësi shpëtimi të PD-së: ta bëjë atë të djathtë duke rregulluar një raport vlerash që deri tani të kthyer përmbys midis bazës ideologjike, politike e elektorale të djathtë dhe përfaqësimit e drejtimit politik pa ideologji të përcaktuar qartë për të mos thënë të majtë. 

Në e ketë e di dhe e do edhe Basha ai mund t’ia dalë. Fillimi i mbarë – gjysma e punës !. 
Sigal