Në sitën e vetting-ut edhe pedagogët

756
Sigal

Prof. Dr. Agron F. Fico HC

Protestat e studentëve të universiteteve publike muajin e kaluar dhe në fillim të këtij viti ishin të drejta, bashkë me kërkesat e tyre kryesore. Reagimi i Ministres së Arsimit ishte i dobët, ndërsa reagimi i Kryeministrit Edi Rama ishte dinjitoz: E quajti si “një shuplakë në punën tonë”. Për të ardhur keq, se ata që ishin shkaktarët e drejtpërdrejtë të këtyre protestave, pedagogët, dekanatet dhe rektoratet, bënë si struci, heshtën ose vazhdojnë në një farë shkalle edhe sot ta ndajnë përgjegjësinë me të tjerët. Edhe vetëm nga ky fakt do të lindte domosdoshmëria e kalimit në filtër të pedagogëve, dekanateve dhe rektorateve.

Studentët janë dhe mbeten hallka kryesore në universitetet; ata meritojnë një mësim cilësor, vlerësim të drejtë dhe të ndershëm, një marrëdhënie miqësore me pedagogët, si dhe kushte të mira jetese nëpër konviktet studentore.

Kalimit në filtër i pedagogëve të universiteteve publike mund dhe duhet të bëhet në dy mënyra: (1) nga poshtë, nga studentët; dhe (2) nga agjencitë vlerësuese të huaja.

Sita e studentëve, modeli amerikan

Studentët janë objekti i procesit mësimor, ata janë faktori kryesor që vlerësojnë dhe çmojnë punën e pedagogëve, cilësinë e mësimdhënies, komunikimin në procesin mësimor, gjuhën dhe stilin pedagogjik. Nota për studentët është fryt dhe vazhdim i punës së tyre, pasqyrim i shkallës së përvetësimit të dijeve të fituara.

Kam një përvojë të madhe të mësimdhënies në universitete në Shqipëri, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kinë, në Pekin. Madje në Shqipëri kam dhënë tri lëndë: gjuhë shqipe dhe folklor në Fakultetin e Filologjisë, folklor në Akademinë e Arteve, gjuhë angleze në Institutin e Lartë të Fizkulturës “Vojo Kushi” dhe gjuhë angleze në Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme në Universitetin Mjekësor (2012-2017), këtu edhe si koordinator i pedagogëve të gjuhës angleze. Kjo përvojë e gjatë dhe kaq e ndryshme më ka bindur se studentët kanë qenë dhe janë peshorja kryesore për vlerësimin e punës së pedagogëve. Pedagogu duhet të jetë i përgjegjshëm, të përgatitet mirë dhe shumë mirë për mësimin, të zotërojë metodën e duhur për shpjegimin e lëndës dhe mbi të gjitha drejtësinë e vlerësimit të studentëve.

Në leksionet për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare në universitetin amerikan mësova një mënyrë mjaft të dobishme për tërheqjen e mendimit të studentëve për punën dhe figurën e pedagogëve. Studentët amerikanë janë mjaft të këndshëm, të lirshëm dhe më se të ndërgjegjshëm. Janë edukuar nga demokracia amerikane të thonë të vërtetën, të vërtetën e plotë dhe vetëm të vërtetën. Kishte ndodhur që gjatë një leksioni për kulturën shqiptare u detyrova ta largoja një studente nga ora e leksionit, se e kishte tejkaluar lirinë e saj studentore. E kuptova se edhe mund të isha treguar më i duruar, por u bë dhe nuk zhbëhej më. Erdhi dita e provimit me shkrim dhe ndodhi një ngjarje befasuese. Studentja kujdestare, që binte në sy për hijeshinë dhe mprehtësinë, kërkoi të fliste para se të shpërndaja tezat e provimit. Për një çast mendova se do të shprehte ndonjë mendim kritik për punën dhe sjelljen time. Ndodhi e kundërta. Ajo foli shkurt, vlerësoi leksionet e zhvilluara dhe shtoi se, “Ne do ta shprehim këtë edhe në anketën e dekanatit”. Më dorëzoi një kartolinë me firmat e studentëve (duke përfshirë edhe atë që kisha larguar nga leksioni) dhe më dhuroi një orë xhepi antike. Pas kësaj ajo shpërndau nga një fletëpalosje, që studentët të shprehnin mendimin për mësimin dhe pedagogët, sipas disa pyetjeve si: Cilësia e mësimit, vlerësimi, etika e pedagogut etj., me treguesit: Shumë mirë, mirë, mjaftueshëm dhe pamjaftueshëm. Studentët i plotësuan dhe përgjegjësja e kursit i mblodhi dhe i futi në një zarf, që e vulosi dhe e shpuri në dekanat. Kjo bëhej në fund të çdo provimi dhe dekanati, nga studimi i tyre, mësonte të vërtetën e punës së pedagogëve. M’u duk pak si administrative kjo punë, por shpejt ndryshova mendimin nga një ngjarje tjetër. Ca kohë më vonë mora vesh se rektori kishte larguar pedagogen e letërsisë angleze, mbështetur në mendimin që kishin shprehur studentët e tri kurseve ku ajo jepte mësim: 60 për qind e studentëve kishin shprehur pakënaqësi dhe ankesa për pedagogen. Mendoj se kjo praktikë, pra tërheqja e mendimit të studentëve në anonimat, krijon mundësi reale për të matur punën, sjelljen, gjë që mund të zbatohet edhe në fakultetet tona universitare, që studentët të cilët mbajnë mbi shpinë punën e pedagogëve të shprehin pa frikë dhe lirisht mendimet dhe vlerësimet për ta dhe të kemi kështu një pasqyrë dhe informacion për secilin pedagog.

Studentët janë ata që ndjejnë dhe dallojnë pedagogët e aftë, të përkushtuar, nga pedagogët e mefshtë e subjektivë, gjer në padrejtësi, kur u vlerësojnë punën në provime e në detyrat e dhëna. Këtë qëndrim studentët e shprehin edhe në mendimin që japin nëpër urimet që u bëjnë pedagogëve.

“Tek ju kam parë dashurinë për atë që bëni, – më shkruante një studente e vitit të parë të Fakultetit të Mjekësisë – dhe unë i admiroj njerëzit që e duan atë që bëjnë. Je një burim i vazhdueshëm energjish, pune të palodhur dhe një shembull për brezin e ri. Anglishtja ka fituar tjetër shije falë jush. Ju falënderoj për njeriun që keni qenë. Ka qenë kënaqësi të kem qenë studentja juaj. Me shumë konsideratë. Ana Dushi”. (Agron Fico, Me hapin e kohës, Tiranë, 2018, f. 333).

Autonomi nuk do të thotë pavarësi

Protesta e studentëve dhe tani edhe e pedagogëve të përgjumur po tregon se Ligji i Arsimit të Lartë nuk ishte kuptuar nga vetë Ministria e Arsimit. Ajo nuk nxori ligjet dhe nënligjet e duhura dhe së dyti, nuk kuptoi se autonomia e universiteteve publike nuk është pavarësi, që ta shpengonte Ministrinë nga përgjegjësia kryesore për mbikëqyrjen dhe drejtimin e zbatimit të Ligjit të Arsimit të Lartë.

Protesta e studentëve filloi me kërkesën e drejtë për anulimin e pagesave për provimet e prapambetura. Ministria ngurroi, pastaj tha se këtë kërkesë asaj ia kishin paraqitur si propozim rektoratet.

Ministria jo vetëm nuk duhej ta miratonte këtë kërkesë absurde të rektorateve, por duhej edhe të thellohej në shkaqet e këtyre propozimeve të rektorateve, të kuptonte se rektorët e zgjedhur nuk ishin në nivelin e përgjegjësisë.

Në fakt, gjykuar nga masmedia, kishte ndodhur jo zgjedhje, por ndryshim postesh. Dhori Kule, ish-dekan, ishte bërë rektor dhe tani po ky Dhori ishte kthyer në dekan. Ndërsa Mynyr Koni nga dekan në rektor. Zgjedhja e tyre u shoqërua edhe me një sfond politik, u fol sikur Shullazi i kishte kërcënuar që të tërhiqeshin. Kështu zgjedhja e tyre mori edhe një ngjyrim politik dhe të dy zotërinjtë u ndjenë si viktima në postin e kthyer në çiflig. Pas pak javëve plasi një sherr midis Kules dhe Mynyrit, madje u fol edhe se janë në një proces gjyqësor. Zoti Mynyr u fut në luftë edhe me administratorin. Pra, këto fakte të bëra të njohura edhe në masmedia nuk i dëgjonte Ministria, prandaj ata gjetën shesh dhe bënë përshesh! Ministria e Arsimit u justifikua se universitetet ishin autonome. Madje edhe sot kur ka nisur procesi i zbulimit të shkaqeve reale, që nxitën protestën e studentëve, rektoratet dhe pedagogët sapo u zgjuan nga letargjia dhe po trimërohen duke kërkuar rishikimin dhe anulimin e Ligjit të Arsimit të Lartë.

Përvoja ime mbi gjysmë-shekullore në disa universitete brenda dhe jashtë Shqipërisë më ka treguar se studenti ka të drejtë vetëm 2 herë të japë provimin: Në fund të semestrit apo kur mbaron programi i asaj lënde, ose edhe në vjeshtë për studentët e mbetur apo ata që kërkojnë të përmirësojnë notën.

Pranimi nga rektoratet e Mjekësisë dhe Universitetit Politeknik që studentët mund ta japin lëndën e prapambetur disa herë është i gabuar, sepse nxit dembelizmin e studentëve dhe krijon mundësi për përfitime materiale nga pedagogët.

Qëndrimi i heshtur dhe indiferent i rektorateve dhe pedagogëve solli që edhe protesta të marrë nga fundi një karakter kaotik; asnjëri nga këta, javët e para, nuk mbrojti të drejtën e studentëve për protesta, por njëherazi edhe të drejtën e studentëve që mund të bënin mësim, sepse disa dyer, auditorë, mbaheshin të mbyllur.

Nuk duhet fajësuar vetëm ndërhyrja e partive partiake, sepse pedagogëve u vinte më mirë të pinin kafe dhe të shihnin se kujt do t’i mbetej përgjegjësia.

Vetting-u i pedagogëve, kalimi i tyre në sitë, duhet të përfshijë dy anët kryesore të veprimtarisë së tyre si mësimdhënës.

Së pari, të shqyrtojë nivelin bashkëkohor dhe cilësor të njohurive që u japin studentëve.

Së dyti, të kalojë në filtër figurën e tyre, sepse gjatë protestave u dëgjuan mjaft studentë qëtreguan me emra pedagogëshqë u kërkonin ryshfete në forma të ndryshme, drejtpërdrejt ose me sekser, madje edhe seksnë këmbim të notës kaluese.

Është për të ardhur keq që në këtë “sezon vjeshte” të pedagogëve për rishikimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, një e drejtë e tyre, ata nukthonëasnjë fjalë për korrupsionin mjaft të përhapur mes vetë pedagogëve.

Togfjalëshi i bujshëm “liri akademikepo përdoret si gogol për të fashitur dhe harruar kërkesën e studentëve për shkarkimin e rektorit të universitetitdhe dekanin e ekonomikut , për largiminnga mësimdhënia të pedagogëve tëpa aftë dhe të damkosur për korrupsion aktiv.

Në procesin e nisur për rishikimin e protestave të studentëve doli qartë edhe dobësia e pedagogëve, mungesa e aftësive dhe përgjegjësisë së tyre si edukatorë të brezit të ardhshëm, prandaj vetting-u i pedagogëve duhet të ligjërohet dhe zbatohet menjëherë.

Madje, do të sugjeroja që emërimi i pedagogëve të bëhet vjetor, sipas modelit amerikan, sepse i shtyn dhe i nxit për një kualifikim të vazhdueshëm profesional, për përgjegjësi dhesjellje etike.

Kurba e qëndrimit të pedagogëve universitarë të kujton edhe vargjet e serenatës:

Vera vate edhe shkoi,

Pedagogët i harroi,           

“Vjeshta” erdh e i gjallëroi.