Në Evropë nuk shkohet vetëm

634
Nga Ilir Vata

Shqiptarët vetëm kur janë bashkë dinë të bëjnë kalimin e madh, të bëjnë reforma, madje dhe beteja dhe ia kanë dalë ndër shekuj, ndërsa politika nuk po mundet të shkëputet nga e shkuara të dal nga tranzicioni sepse thurën dasi për interesat të saj dhe harron bashkimin për interesa të qytetarëve. Marrëveshja historike e majit, duhet përsosur për të shkuar drejt një bashkëpunimi kombëtar dhe pse jo një pajtimi të munguar kombëtar për integrimin e Shqipërisë në BE, për të shkëputur vendin nga tranzicioni, për të çliruar politikën nga krimi, mëkatarët e regjimit, për të vendosur drejtësinë në vend si mundësia e hedhjes së gurit të parë të shtetit të së drejtës që ende është larg së ekzistuari. Shqipëria post-komuniste ka shpërfytyruar çdo normë demokratike, që nga fjala e lirë të drejtat politike pa fre e agresive në shumë raste, deri të të drejtat e pronës apo të drejta të tjera që kushtetuta ua garanton qytetarëve të saj. Partitë politike shumëfishohen, sepse të drejtat politike nëpërkëmben nga mënyra e centralizuar e të bërit politikë të partive të mëdha dhe grupet e interesit gjenden të papërfaqësuar dhe të përjashtuar nga të drejtat e tyre. Mercenarët politikë shtohen madje vitet e fundit në politikë janë thirrur dhe kriminelët ordiner si trupa mbështetëse, kërcënuese dhe madje vendimtare në zona të ndryshme elektorale të vendit. Qytetarët po mercenarizojnë bindjet politike, sepse ka filluar joshja e tyre me të mira të paligjshme duke futur dhe paratë apo përfitimet shtesë që vijnë nga abuzimi i pushtetit. Në zgjedhje nuk shkohet më me bindje politike apo për të lexuar programet e përkthyera në interesa dhe në të mira për vete, familjen dhe fëmijët, por për kryeneçësi të mercenarizuar nga politikat që drejtojnë liderët e partive të mëdha që kanë në thelb kontrollin e partisë dhe jo atë të demokratizimit të saj. Politika që zhvillohet në Shqipëri nuk ka lidhje me demokracinë, apo me përsosjen e mendimit në shërbim të programeve më të mira për të zhvilluar vendin, rritur punësimin, zbutur varfërinë, rritur të mirat publike, investimin, zhvilluar bujqësinë, sportin, artin, kulturën apo turizmin që janë burime të vyera fitimi, por mercenarizimin e një grupi për të marrë pushtetin dhe shpërndarë të mira për ta, e jo për qytetarët. Politika primitive e një grupi, e një klani duhet të marrë fund, kur krerët e partive politike të demokratizojnë politikën e partive të tyre dhe mbi të gjitha të punojnë për çështje që u interesojnë shqiptarëve dhe brezave që vijnë pas. Shqipëri ndodhet në mes të rrugës për t’u qasur me qytetërimi evropian apo për t’u kthyer në primitivitetn e saj, nga ku e la diktatura me gjithë komplekset e saj deri në post traumë shoqërore kombëtare apo shuarjes së memories kombëtare që është në të vërtetë fatkeqësi për një vend demokratik, siç konsiderohet Shqipëria. Në cilën anë duhet të shkojmë? Dhe kësaj pyetje shqiptarët iu përgjigjen 27 vite më parë kur thanë: Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa! Por politika nuk ka menduar kështu për afro tri dekada dhe vazhdon të jetë në të njëjtën agoni për sa i përket kthjellimit të idesë, sepse ata ende e kanë mendjen te klanet dhe pasurimi i paligjshëm, madje po përpiqen të minojnë dhe vetë drejtësinë për të garantuar një pushte të tillë në anarki, pra për ta kthyer në sistem pa fund trazicionin. Ka ende shpresë, mundësi bashkëpunimi, sepse reformat e rëndësishme si reforma zgjedhore kërkojnë të gjithë aktorët në ndërveprim dhe bashkëpunim për t’i dhënë fund shpërfytyrimit të votës dhe përdorjes së saj si një fletë që e hedh në kosh dhe jo si një mundësi më shumë. Reforma në drejtësi kërkon të gjithë aktorët në ndërveprim dhe bashkëpunim të kushtëzuar për të arritur të kemi një sistem drejtësie të pavarur që të vetë kontrollohet, pikërisht nga pavarësia e saj dhe jo nga varësia politike dhe finalizuar aksionin e madhe kundër korrupsionit si mundësia e shpëtimit të vendit nga paligjshmëria dhe abuziviteti dhe kthimi i vitalitetit të pasurisë kombëtare tashmë të vjedhur.

Kohët e fundit janë dëgjuar thirrje bashkëpunuese, madje edhe në disa rrafshe janë qasur, sepse lideri i mazhorancës e ka përsëritur publikisht dhe konkretisht ka ofruar bashkëpunim edhe në Kamëz në një nga bastionet e së djathtës dhe së fundmi në Shkodër u pa hapur bashkëpunimi. Përvoja është marrëveshja e 18 majtë që finalizoi një ndërveprim politik historik, një mundësi për të ndryshuar traditën e keqe politike, një mundësi për të ç’militarizuar tek njerëzit politikën, një mundësi që të zgjedhurit të bashkëqeverisin për të mirë të qytetarëve dhe të vendit, një mundësi për të shkëputur vendin nga tranzicioni dhe reminishencat e së shkuarës. Opozita mund të bëhet në parlament, në qeveri në rrugë dhe nëpërmjet oponencës, kontrollit nga afër në qeverisje, mundësit e korrupsionit janë me të vogla dhe mundësitë e prezantimit në publik për idetë dhe mënyrën e qeverisjes në shërbim të qytetarëve janë më të mëdha. Bashkëqeverisja si një pakt i pajtimit kombëtar është udha e duhur e politikës për të udhëhequr një popull drejt qytetërimit evropian, sepse në Evropë nuk shkohet vetëm.
Sigal