Ndryshimi artificial i vendbanimit, shpërdorim detyre

310

Klement ZGURI
Kryetar i KQZ-së

Ndryshimi artificial i vendbanimit përbën shpërdorim të pastër detyre

Për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, procesi i saktësimit dhe korrigjimit të listave ka filluar. Përgjegjësinë ligjore për këtë proces e kanë zyrat e gjendjes civile, ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka detyra mbikëqyrëse. Ky proces nuk del dot mirë nëse zgjedhësit nuk shfaqin vëmendje dhe nuk tregohen aktivë. Deri tani Zyrat e Gjendjes Civile kanë printuar dhe publikuar listat me të dhënat paraprake për çdo zgjedhës. Ne u bëjmë thirrje dhe një herë zgjedhësve që të kontrollojnë emrin e tyre në listën elektronike të zgjedhësve të publikuar në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së. Deri më datë 21 maj 2019 është e hapur mundësia për t’iu drejtuar Zyrave të Gjendjes Civile ku kanë të regjistruar vendbanimin e tyre për të plotësuar apo saktësuar të dhënat e listës. Pas kësaj date listat bëhen përfundimtare. Zgjedhësit që nuk e kanë emrin në listë mund të votojnë vetëm me vendim gjykate. Në proceset e mëparshme zgjedhore jo vetëm vëzhguesit por edhe KQZ-ja ka konstatuar se në disa bashki të vendit është përhapur fenomeni i transferimit artificial të vendbanimit të mbështetësve të atyre që kandidojnë për kryetarë të bashkive, me qëllim ndikimin e paligjshëm mbi rezultatin e votimit, nëpërmjet votave të këtyre votuesve artificialë. Ndryshimi artificial i vendbanimit përbën shpërdorim të pastër detyre, por ka pasoja të rënda edhe mbi sistemin demokratik, sepse cenon rëndë raportin e zgjedhësve me pushtetin e zgjedhur, si atje ku votojnë zgjedhësit e zhvendosur artificialisht, ashtu dhe atje ku ata fshihen padrejtësisht nga lista. Ky fenomen i kundërligjshëm lë gjurmë, ndaj është i verifikueshëm dhe i provueshëm lehtësisht. Zgjedhësit e zhvendosur artificialisht regjistrohen masivisht në adresa artificiale. Është e lehtë të konstatohet se kur në një apartament figurojnë 10, 20 apo 30 familje, atëherë në këtë bashki, kryetari i bashkisë dhe përgjegjësi i zyrës së gjendjes civile kanë organizuar, në bashkëpunim, zhvendosjen artificiale të vendbanimit të zgjedhësve, kanë kryer shpërdorim detyre. Auditët e emëruar nga KQZ që mbikëqyrin listat e zgjedhësve do të merren posaçërisht me investigimin e këtij fenomeni. KQZ-ja do të kallëzojë penalisht kryetarët e bashkive dhe përgjegjësit e zyrave të gjendjes civile, kurdoherë që të vihet përballë këtyre fakteve, sapo që ato të konstatohen dhe pa pritur përfundimin e procesit zgjedhor. Prandaj po bëjmë këtë paralajmërim publik, me qëllim që të mos ketë kryetarë bashkish që tentojnë për të bërë këtë formë manipulimi. Përgjegjësit e zyrave të gjendjes civile të marrin masa e të kontrollojnë të gjitha aplikimet që u vijnë për ndryshim vendbanimi në këtë periudhë dhe zgjedhësit, të cilëve u kërkohet të bëhen pjesë e skemave të tilla të manipulimit, të refuzojnë bashkëpunimin në krim.