Ndotja, pse “nesër” do të jetë shumë vonë!

727
Dr. Shk. Inxh. Dhimitraq Th. Trajani
Apel institucioneve shtetërore që monitorojnë cilësinë e ajrit në vendin tonë, botës akademike, sistemit arsimor dhe opinionit publik

(vijon nga numri i kaluar)
Le t’i konkretizojvërejtjet për informacionin e pakët dhe në mjaft raste plotësisht të munguar, për ato pjesë të teksteve që lidhen ngushtësisht me zbatimin e arritjeve të shkencave të natyrës, për ato sisteme të avancuara në automjete, që monitorojnë ose bllokojnë rritjen e komponimeve toksike. 

Së pari, pyes: në cilin tekst të kimisë, shpjegohet se si ndodh fenomeni i jonizimit të oksigjenit të tepërt ose që nuk merr pjesë në reaksionin e djegies, në masën e gazeve që dalin nga motori, nga sensori i oksigjenit ose koeficienti landa (λ)? Dhe meqenëse, këtu s’është vendi të shpjegojmë strukturën e këtij sensori dhe si funksionon ai, dëshiroj t’ia bëj të ditur lexuesit me një metaforë popullore, se ai është “truri” i sistemit elektronik që rregullon raportet e përzierjes ajër-lëndë djegëse, në vartësi të ngarkesës të motorit; ai është pajisja elektrokimike shumë e gjetur nga pikëpamja e përshtatjes të masës të lëndës djegëse që injektohet në motor në vartësi të ajrit që thithet, me qëllim minimizimin e komponimeve toksike. Por asgjë nuk gjendet për t’u lexuar në ndonjë tekst kimie! Këtu vlen të tërhiqet vëmendja edhe për dukuritë kimiko-fizike që ndodhin në atë “minilaborator” që konverton komponimet me efekte të larta toksike ndaj shëndetit të njerëzve, edhe me efekte në mjedis, i njohur me emërtimin konvertier katalitik! Të më falë lexuesi, për një pyetje, që ndofta mundet të duket me një “ngjyrim” cinik, por nuk është aspak ky qëllim denigrimi, se sa një revoltë personale, ndaj atyre mësuesve dhe pedagogëve që nuk thellohen për të gjetur shembuj nga zbatimi i njohurive të shkencës që zhvillojnë në struktura teknike. A nuk janë proceset që ndodhin në konvertierët katalikë, në sajë të strukturës ndërtimore fizike që ato kanë, me përdorimin edhe të materialeve të çmuara platin dhe rodium, të palidhur ndërmjet tyre, dhe injektimit të ajrit në të, si shembuj mjaft të gjetur për të konkretizuar reaksionet kimike: të shpërbërjes, zëvendësimit dhe bashkimit, në teknikat e automjeteve, ndërmjet komponimeve kimike (toksike) që emeton motori: HC, CO dhe NOx dhe shndërrimit të tyre në ujë (H2O), azot (N), oksigjen (O2) dhe bioksid karboni (CO2)? Sinqerisht ndjehesh jo mirë, kur teknikët e rrjetit të autoservisit në vendin tonë, përbërjen e konvertierëve dhe përqindjet, sigurisht të ulta të metaleve të çmuara, të platinit dhe të rodiumit, që ato përmbajnë në sipërfaqet e brendshme të tyre dhe si ndikojnë ato si reaktorë, e mësuan vetëm nga kërkesat të tregëtarëve të huaj dhe jo nga shkollat ku kishin mësuar! Po të pyesësh “specialistët” e autoserviseve: A ndikojnë transmisionet automatike në zvogëlimin komponimeve të gazta toksike që emeton motori? Vështirë se mundet të marrësh ndonjë përgjigje Po! Shumë nga ata, që prezantohen si “novatorë”, por krejt të paaftë për të ndërhyrë në qarqet elektronike të tyre, me të vërtetë mjaft të avancuar, si në asnjë agregat ose sistem tjetër në automjet, zgjedhin rrugën më të shkurtër, duke ndërhyrë për t’i zëvendësuar ato me kamio manuale! “Ata që të “presin një gjymtyrë kur nuk janë të aftë ta shërojnë atë!” Pyes autorë të teksteve mësimore, universitare dhe atyre të formimit të mesëm profesional: në cilin prej tyre shpjegohet, se një nga avantazhet e kamjove automatike, është një sistem mekatronik që minimizon ndotjet toksike dhe ul normat e harxhimit të lëndës djegëse. Për këtë të dytën, mundet të ta quajnë edhe “marrëzi”. Pa përmendur atë sistem elektronik, nga më të avancuar në automjetet që prodhohen në kohët e sotme, sistemin CAN –BUS të komunnikimit të tyre me motorin, nëpërmjet një sistemi “informimi” nga një rrjet sensorësh dhe modelesh drejtimi elektronik, nga më të avancuarit. Sinqerisht do ta mirëprisja çdo kontestim për çfarë po shkruaj! Nuk pasqyrohen në kurrikulat tona mësimore, sistemet e ajrit shtesë në motorë (SAS), në fillimet e punimit të tyre, kur procesi i djegies të përzierjes ajër-lëndë djegëse, nuk favorizohet nga temperatura jooptimale e punës të motorit. Shtesë kjo me qëllim mosrritjen e vlerave të hidrokarbureve (HC), monoksidit të karbonit (CO) dhe mbetjeve të tjera, por sidomos të blozës, e njohur në terminologjinë ambientale me emërtimin Suspendet Particulate Matter- shqip: grimca bloze, që qëndrojnë pezull në ajër, që kanë madhësi të ndryshme, të shprehura me simbolet PM10, PM5 etj.; që përqendrohen në pjesë të poshtme të polmoneve, me efekte kancerogjene Që në shekullin e 19-të shkencëtarët anglezë Majkëll Faradei dhe Xhejns Maksvell, kanë hedhur bazat e elektromagnetizmit, induksionit elektromagnetik, elektrokimisë, “lëndës të parë” të elektronikës të zbatuar, elektrooptikës etj. dhe kontributi i këtyre korifejve të shkencës, nuk do të konsistonte vetëm në hapëriat që i krijuan prodhimit të makinave elektrike të prodhuara 100 vjet më parë. Idetë dhe ligjësitë e formuluara prej tyre, po zbatohen me shumë sukses sot, në pajisjet elektronike dhe teknologjitë më të avancuara të automjeteve, që sigurisht edhe këto me synimin krahas të tjera zbatimeve, synojnë në uljen e vlerave të emisioneve toksike; në përgatitjen e sensorëve aktivë të shpejtësisë, sensorëve të sigurisë dhe paralajmërimit të rrezikut në automjete gjatë lëvizjes. Siç duket, “minierave të arit” të tyre, “s’ka për t’ju gjetur fundi!” Por në cilat faqe të teksteve të Fizikës nxënësit dhe studentët i lexojnë këto zbatime?! 

Por në vendin tonë, ka dhe një shkollë, një model, nga ku mundet të mësohet dhe të merret si shembull, duke filluar nga me parametrat në mësimdhënie që i përafrohen formimit profesional në vendet e BE-së, dhe kjo është Shkolla e Mesme Profesionale Kamzë, e ngritur me ndihmën e Fondacionit Gjerman GIZ. Me të vërtetë ky institucion mësimor, është orientuar duke parë me përparësi komponentët më të qenësishëm që formësojnë profilin e një shkolle profesionale. Dhe kjo është arritur me përkushtimin e stafit mësimdhënës për të rritur njohuritë në mësimdhënie, në nivelet e teknikave moderne, në profilet që shkolla përgatit. Vlen të të theksohet në këtë element të rëndësishëm të mbarëvajtjes dhe rritjes të treguesve në shkollë, sigurisht edhe shkallës të përvetësimit të dijeve nga nxënësit që ka ardhur duke u përmirësuar, edhe me ndihmën e stafit teknik të Fondacionit, dhe në bashkëpunim me të, interesimi i vazhdueshëm i koordinatorit të zbatimit të këtij projekti, jo vetën në avancimin e strukturës të kurrikulës; për të marrë informacione bazuar në tekste të vendeve të BE-së, por edhe për njohjen e teknologjive të reja. Duhet të përmendet se, kjo shkollë, ka një infrastrukturë didaktike shumë të avancuar, krahasuar me të gjitha shkollat profesionale të vendit tonë. Duke u nisur edhe nga kriteret që zbatohen në pranimin e kontingjenteve në këtë shkollë, duke i dhënë përparësi shtresave në nevojë, mund ta quaj: “Shkollë e të Varfëve”, dhe do t’i kërkoj falje kujtdo që do më kontestojë në këtë cilësim. Ajo tani është në rrugën për t’u bërë Shkollë e Mesme Profesionale model për arsimin tonë profesional. Le të shpresojmë që kjo ngritje sistematike në të të gjithë komponentët në këtë institucion, do vazhdojë, për të arritur në nivelin e një shkolle profesionale elitare shqiptare! Dhe diçka, jashtë kontekstit të qëllimit të këtij shkrimi. “Duke kthyer kokën prapa”, në të kaluarën sociale të familjes time, sinqerisht gëzohem kur shikoj shumë nxënës të kësaj shkolle, edhe pse kanë probleme ekonomike, sinqerisht gëzohem për pasionin dhe dëshirën e madhe të tyre, për t’u bërë profesionistë të zotë, dhe pse jo, për t’u arsimuar në nivele më të larta. Dhe kam edhe një dëshirë: ta shikoj këtë shkollë në në nivelin dhe me statusin e një “Akademie Politeknike Profesionale”! 

Por cila do të ishte një nga zgjidhjet alternative, që mendoj se do të ndryshonte këtë situatë ambientale që sa vjen dhe po keqësohet?!
Që në fillim do të përgjigjesha: Ndërmarrja e një analizë studimore që të sillte përfundime reale që do të shërbenin në ngritjen e një platforme teknike dhe ligjore, për një zgjidhje racionale, bazuar në kushtet teknike të parkut tonë të automjeteve dhe infrastrukturën teknologjike riparuse mjaft të prapambetur. E kam thënë shpesh se institucionet tona që duhet ta monitorojnë kanë qenë të paafta dhe kjo duket fare hapur, në atë ajër me erën e blozës, në çdo kohë në Tiranë, Fier, Ballsh, Elbasan e qytete të tjera. Këtë shqetësim dhe si e mendoj zgjidhjen, ja kam prezantuar edhe titullarit të Ministrisë të Transportit, specialistëve të Ministrisë të Mjedisit, drejtuesve të Bashkisë të Tiranës, dhe shqetësimin e kam sjellë edhe në organet e shtypit. Sinqerisht jam revoltuar kur kam lexuar dy materiale të specialistëve të Konfederatës Zvicerane mbi monitorimin, ndërmjet komponimeve të tjera edhe për NOX, monooksidit dhe bioksidit të azotit, një nga tre komponimet më me pasoja të rënda për shëndetin e njerëzve. Ky është një skandal e krim që bëhet mjedisit urban qytetës. Pse nuk kryet ky test, kur mesa e njoh unë stafin inxhinierik dhe teknik në dy qendrat e kontrollit në Tiranë, kanë aftësi shumë të mira për më tepër janë edhe aparatet për këtë lloj testi?! Nëse këtu ka ndonjë problem tjetër në lidhje me marrëveshjen me koncesionarin dhe të mos njohjes të sistemit inxhinierik që kontrollon NOX, si e kam përshkruar më lart, këto duhet të zgjidhen sa më parë.

Por si e mendoj një përmirësim të problemit mjedisor urban nga sektori i transportit “Që nesër me siguri do të jetë shumë vonë!”? Zgjidhja duhet të kërkohet dhe me siguri do të jetë e gjetur dhe e suksesshme, duke ju referuar metodave studimore dhe analizave shkencore, për të cilin kam hartuar një projekt, i cili bazohet në kritere shkencore dhe i referohet përvojave të vendeve të BE. Idenë e këtij projekti ja kam paraqitur edhe Përfaqësisë të BE-së në Tiranë, prej të cilës kam marrë një vlerësim pozitiv për qëllimin e kryerjes të tij nga studentë të ekselencës të tre Universiteteve Publike dhe synimet shkencore që ai mbart, fakti që ky projekt do të jetë një koordinim i një studimi shkencor të përbashkët të studentëve të tre universiteteve publike dhe disa institucioneve qendrore shtetërore, jam i bindur se do të sjellë një tablo të qartë të të gjitha shkaqeve të kësaj prag katastrofe ambientale; si ka ndikuar kjo gjendje në shëndetin e njerëzve. Ky projekt dot ë rekomandojë masa efikase teknike dhe përmirësime ligjore për të parandaluar keqësimin e mëtejshëm të saj!

Sipas programit të realizimit të këtij projekti, studentët e shkencave inxhinierike dhe atyre të natyrës, do përcaktojnë nivelin e ndotjeve nga komponentët toksikë të emetuara nga automjetet në rrugë dhe sheshe të qendrave të banuara. Ndërsa studentët e mjekësisë do të analizojnë si kanë ndikuar në shëndetit e banorëve dhe sidomos të fëmijëve, kur vlerat e CO janë më të larta se normat e lejuara (10 ppm-pjesë për milion), sjellin ç’rregullime në sistemin nervor qendror, ndryshim të funksioneve kardiake, që shkaktojnë dhimbje koke dhe kur ku masa e këtij komponenti është e pranishme për një kohë relativisht të gjatë në një rrugë apo në një shesh. Pasojat që shkaktojnë oksidet e azotit NO2 dhe NO në mushkri dhe në acarimin e rrugëve të frymëmarrjes dhe sëmundje në sistemin kardiovaskular. Si kanë ndikojnë Particular Matter PM2.5 dhe PM10 (Particles Suspension–grimca që qëndrojnë në ajër), që gjatë frymarrjes depozitohen në mushkri; si ato kanë favorizuar astmat, bronkitet, faringitet etj. Këto dhe pasoja të tjera që dëmtojnë shëndetin e njerëzve deri në sëmundje kancerogjene, do të skanohen në grup mosha të caktuara, në ato hapësira tè ngarkuara me komponentë të emetuara nga motorët e automjeteve. Pikërisht këto studime dhe përfundimet e nxjerra prej tyre, mendoj se e ngrenë këtë projekt studim në stadin e një pune të mirëfilltë shkencore universitare, sensibilizuese dhe edukuese. 

Në përfundim të këtij projekti dyvjeçar, do të sillen edhe rekomandime për përmirësimin e kurrikulave mësimore, ku konstatohet se në shkencat e natyrës, ato të nivelit universitar, nuk pasqyrohen dukuritë kimiko-fizike që qëndrojnë në bazë të aplkimeve inxhinierike më të avancuara në automjetet moderne, si psh: elektrokimia; optika elektronike; proceset e jonizimit, dhe dukuritë e piezokristaleve; sensorët dhe qarqet elektronike që monitorojnë sistemet e furnizimit në raportet më të sakta me karburant; monitorimit të emisioneve toksike, që aktualisht është një nga kriteret e rëndësishme në projektimet inxhinierike të automjeteve; sistemet e sigurisë etj. 

Mendoj se ky projekt, nga mënyra e konceptimit dhe përvijimi i implementimit të tij, është një risi jo vetëm në fushat e studimit në vendin tonë por edhe në rajon dhe më gjerë, i cili është mirëpritur nga Rektorati i UP, Rektoreti i Universitetit të Tiranës, Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë etj.
Sigal