Ndjekja dhe zbatimi i rekomandimeve të KLSH-së

“Rritja e efektivitetit të ndjekjes së zbatimit të rekomandimeve”. 

Mekanizmi i ndjekjes së rekomandimeve është një komponent i rëndësishëm i procesit të auditimit, kjo sepse çdo praktikë e auditimit të sektorit publik është e destinuar të sjellë një dështim pa një mekanizëm të follow-up. ISSAI 10, Deklarata e Meksikos e thekson rëndësinë e mekanizmit të follow up për SAI-t. Konkretisht parimi i shtatë i dokumentit që ka titullin “Ekzistenca e mekanizmave efektive të follow-up në rekomandimet e SAI-ve” ... Kërkohet nga SAI-t që të kenë mekanizmin e tyre të brendshëm për ndjekjen dhe zbatimin e rekomandimeve për t’u siguruar që njësitë e audituara i kanë vlerësuar dhe adresuar siç duhet rekomandimet e lëna. Po ashtu rëndësia e ndjekjes së rekomandimeve është theksuar edhe në ISSAI 12: “Vlera dhe përfitimet e Institucioneve Supreme të Auditimit duke ndryshuar jetën e qytetarëve”. Në të cilën theksohet që prej SAI-t kërkohet që, jo vetëm të kenë mekanizëm për ndjekjen e rekomandimeve, por edhe të raportojnë në lidhje me zbatimin e këtyre rekomandimeve. Qëllimi i propozimeve është që përmirësimet në procesin e ndjekjes së rekomandimeve të jenë sa më efektive, të rezultojnë në nxjerrjen në pah të përgjegjësve për moszbatimin e tyre si dhe patjen e një rëndësie të veçantë në parandalimin e keqinterpretimit dhe neglizhencës nga ana e subjekteve të audituar, të mos lihet shteg për interpretime ndryshe, eliminimi i shmangies së përgjegjësive dhe zgjatjen në kohë, por të kryhet një proces sa më transparent, eficent dhe efikas. Me përfundimin e auditimit, subjekteve të audituara, u dërgohen shkresërisht rekomandimet përkatëse për zbatim shoqëruar edhe me një kopje të raportit përfundimtar të auditimit. Këto subjekte mbështetur në kërkesën e ligjit organik të KLSH-së, duhet që të kthejnë përgjigje brenda 20 ditëve që janë njohur me rekomandimet e dërguara dhe i pranojnë ato duke i shoqëruar edhe me një plan veprimi konkret e duke caktuar edhe strukturat organike që duhet ti zbatojnë. Ky është hapi i parë i veprimit nga ana e palës së audituar dhe pas kthimit të kësaj përgjigje, shumica e tyre ‘shpëtojnë’ nga detyrimi duke rënë në një gjumë letargjik përsa i takon zbatimit të rekomandimeve dhe rizgjohen ditët e fundit për të kthyer përgjigjen ligjore të KLSH-së për respektimin e afatit 6 mujor. Ajo çka ndeshet shumicën e rasteve është që këto subjekte ose ‘harrojnë’ të përgjigjen brenda 6 muajve ose edhe kur përgjigjen kundërshtojnë ato çfarë kanë pranuar në fillim, duke ngritur pretendime nga më të ndryshmet mbështetur në argumenta subjektive të pabaza e pa mbështetje në legjislacionin në fuqi. E kjo ndodh sepse nuk i është kushtuar rëndësia e duhur përgjigjeve që jepen për respektimin e afatit 20 ditor, por janë dhënë vetëm sepse ligji i detyron ta bëjnë. Problematika në zbatimin e rekomandive të lëna nga KLSH-ja vjen edhe si rrjedhojë e mungesës së përgjegjshmërisë për llogaridhënie ndaj komunitetit dhe mos pranimi që të prishin “imazhin” e tyre me atë çfarë mundohen të performojnë para publikut, si nënpunës shëmbullorë që punen e tyre e kryejnë pa asnjë shkelje ligjore. Në rritjen e përgjegjshmërisë publike në punën e tij, Kontrolli i Lartë i Shtetit përveç vlerësimit të rëndësisë dhe implementimit të Standardeve Ndërkombëtare të Instuticioneve Supreme të Auditimit dhe praktikave më të mira, zbaton dhe përsos përherë e më shumë metodat e punës audituese dhe kapacitetet, duke u qëndruar “strikt” parimeve themelore për të inkurajuar një qeverisje të mirë në sektorin publik dhe pajtueshmërinë me këto standarde, në mënyrë që puna e KLSH të bëhet më e besueshme. Për këtë arsye audituesit ndjekin në dinamikë zbatimin e rekomandimeve dhe ndalen pak më gjatë tek argumentimi përsa i përket pranimit apo mos pranimit të rekomandimeve nga ana e subjekteve të audituara dhe në rastet me rëndësi materiale të lartë, apo me një nivel risku të lartë kryejnë procedura të verifikimit të zbatimit të rekomandimeve përpara ezaurimit të afateve detyruese për zbatimin e rekomanimeve duke mos i lënë të qetë të flenë këto subjekte. Me qëllimin e mirë për të ndërgjegjësuar dhe bërë subjektet të përgjegjshëm për veprimet apo mosveprimet e tyre, pavarësisht ngarkesës së lartë që kanë në auditimet e tjera të njëkohëshme ata kujtojnë subjektet të bëjnë punën që i takon. Në përputhje me objektivin e vet strategjik të përmirësimit të qeverisjes, nëpërmjet thellimit të luftës kundër korrupsionit, 

Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë vitit 2016, nga 154 auditime të planifikuar për auditim ka përfunduar dhe evaduar 154, si dhe ka ushtruar dhe ka vijuar me përgatitjen e materialeve për 170 auditime. Janë audituar 37 subjekte të administratës qëndrore, 51 subjekte të pushtetit vendor, 14 auditime në sistemin tatimor dhe doganor, 20 shoqëri me kapital shtetëror dhe 7 projekte me financim të huaj. Janë audituar 19 subjekte të lidhura me administrimin e pronës dhe 6 subjekte të mbrojtjes së mjedisit. Ndërsa 13 auditimet e performancës që janë realizuar gjatë vitit 2016 janë shtrirë në 106 subjekte. Në totalin e auditimeve të ushtruara janë rekomanduar gjithsej 65 propozime për ndryshime ligjore, nga të cilat konstatohet se janë pranuar 62 ndërhyrje, nga ku rezulton se vetëm 10 janë zbatuar; nga 2780 masa organizative të rekomanduara, të gjitha në drejtim të forcimit të menaxhimit financiar dhe sistemeve të kontrollit, rezulton se 1970 masa janë pranuar dhe nga këto rezulton se janë zbatuar plotësisht 656 masa. Për shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, me pasojë shpërdorimin e fondeve publike dhe dëmtimin e pronës publike, ka përgatitur dhe përcjellë në organet përkatëse të Prokurorisë 49 kallëzime penale ndaj 191 punonjësve publikë, kryesisht nëpunës të lartë dhe të mesëm të administrates dhe 4 dosje për vlerësim, për të cilat deri më sot organi i Prokurorisë ka marrë 6 vendime pushimi/mosfillimi, të ankimuara këto nga ana jonë në Gjykatat kompetente. Nga vlera e përgjithshme e shkeljeve të konstatuara prej 72,325 milion lekë, vlera e dëmit ekonomik të konstatuar është 25,481 milion lekë, për të cilën është rekomanduar shpërblim në vlerën 24,723 milion lekë. Janë dhënë 1490 masa disiplinore dhe administrative, nga të cilat 467 masa rezultojnë të pa pranuara. Ndërsa vërehet një nivel relativisht i kënaqshëm me nivelin e zbatimit nga administrata shtetërore të masave organizative dhe administrative të propozuara nga KLSH, (i cili është në nivelin e zbatueshmërisë së rekomandimeve të SAI-ve të zhvilluara evropiane), ajo që konstatohet me shqetësim është se në masat me karakter displinor për largimin nga puna të nëpunësve të lartë të Shtetit, të kapur në abuzim flagrant me pronën dhe fondet publike, përqindja e zbatueshmërisë është më e ulta. Moszbatimi nga qeveria i rekomandimeve të KLSH për largimin nga shërbimi civil apo nga puna të nëpunësve të tillë ushqen çdo ditë antikulturën e pandëshkueshmërisë, të përhapur gjerësisht në vend, si dhe pengon shqyrtimin nga ana e Prokurorisë të dosjeve penale të dorëzuara nga KLSH për këta funksionarë të lartë. Ndërsa mospranimi nga subjektet e audituara i dëmeve ekonomike të konstatuara nga KLSH dhe i rekomandimeve për zhdëmtim dëmton jo thjesht KLSH-në, por mbi të gjitha financimet publike, ekonominë shqiptare dhe qytetarët shqiptarë, pasi janë para të abuzuara mbi ta. Si dëshmi të vullnetit të këtij Institucioni për të luftuar pandëshkueshmërinë, i është kërkuar në vijimësi Qeverisë që të nxjerrë një urdhër për zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së nga ana e institucioneve në varësi të saj, por kjo nuk ka ndodhur. Nxjerrja e urdhërit do të kishte kontribuar jo vetëm në rritjen e zbatueshmërisë së rekomandimeve të lëna prej KLSH-së, por edhe në shtimin e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së administratës publike. Nga ana tjetër, Qeveria do të kishte mundur të siguronte nëpërmjet KLSH-së, një pasqyrë transparente dhe profesionale ku të shihte veten, të identifikonte me përgjegjësi gabimet dhe të orientohej për korrigjimin e tyre, duke forcuar imazhin e saj në publik dhe rritur besimin e qytetarit ndaj qëllimeve, politikave dhe programeve të qeverisë. Në veprimtarinë e vet Kontrolli i Lartë i Shtetit ka edhe rolin e këshilluesit, jo vetëm auditohet shkalla e zbatimit të rekomandimeve, por edhe këshillohet subjekti për nevojën dhe dobishmërinë e zbatimit të rekomandimeve, ndikimin në një qeverisje të mirë, duke krijuar dhe një qasje të re bashkëkohore, larg të qenit e një institucioni të mbyllur. Standartizimi i formulimit të rekomandimeve, sidomos për pika të njëjta që kanë të bëjnë me arkëtimin e detyrimeve financiare (duke përcaktuar qartë mënyrat që mund të ndiqen për arkëtimin e tyre, nëse është i mundur apo mënyrën sesi duhet operuar nëse është pamundësi për arkëtimin e tyre); unifikimi i terminologjisë përsa i përket parregullsive në përdorimin e fondeve publike; krijimi i një database të auditimeve për ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve në kohë reale dhe në vazhdimësi duke lehtësuar punën e audituesve në terren për kontrollin e zbatimit të tyre dhe masat e marra si dhe do të kursej kohë etj, përfaqësojnë qasjet e reja të cilat synonjë të ndikojnë në rritjen e efektivitetit të zbatimit të rekomandimeve duke kontribuar dukshëm në përmirësimin e punës të njësive publike për një administrim publik efikas, të përgjegjshëm, efektiv dhe transparent. 

Auditues 
Almida Kafia