Ndini BARDHI/ Arti i madh synon profilin njerëzor dhe fenomenet e jetës së përditshme

918
Sigal

Artisti, nëpërmjet krijimtarisë artistike, interpreton me shpirtin, gjetjen, këndvështrimin e tij realitetin e gjallë të jetës njerëzore, sugjeron artistikisht dhe përpiqet në çdo hap t’i bëjë të vetat shfaqjet e fenomeneve që vizaton apo pikturon. Natyrisht, në figurat artistike të përzgjedhura si preferencë krijuese vendos ndjenjat, mendimet, interpretimet dhe kuptimet e fenomeneve të realitetit të gjallë jetësor dhe njerëzor, që përjeton në mënyrë krijuese, për të arritur në vlerën e një interpretimi të ri artistik, jashtë çdo imitimi primitiv të realitetit.

Artisti, piktor apo skulptor, i angazhuar emocionalisht, ecën drejt madhështisë e karakterit, forcës e vullnetit të njeriut objekt apo subjekt të veprës së tij reale, konkrete dhe të ardhshme krijuese. Me mjetet artistike të shprehjes entuziaste që zotëron në vetvete përpiqet të arrijë një portret artistikisht me botë dhe shpirt të një njeriu që e frymëzon atë si krijues dhe njerëzit e tjerë në jetë, në punë e kudo.

Artisti i vërtetë në vepër ka shprehjen emocionale të së bukurës estetike të realitetit dhe jo imitimin mekanik të tij. Çdo gjëje krijuese i jep kuptimin dhe karakterin artistik të përgjithësuar si vlerë e peshuar emocionale. Çdo vepër e re e mirëfilltë artistike, e frymëzuar nga realiteti i gjallë, merr në formë dhe përmbajtje, në pasqyrim dhe shkallë njohjeje, një interpretim aktiv të tij. Thelbi krijues i artit është kuptimësi e unitetit midis vetë artistit, zanafillës njohëse, pasqyruese dhe qëndrimit aktiv që mban po vetë artisti ndaj realiteti.

Në mënyrë të angazhuar, ai me intuitë dhe refleks artistik përzgjedh dukuri fenomenale të jetës, që përbëjnë emocione, ndjenja e mendime që ia jep realiteti i gjallë dhe i prekshëm për të. Pra, çdo vepër artistike e krijuar në këtë sens pasqyrues merr atributet e një interpretimi karakteristik të jetës njerëzore dhe realitetit të gjallë të artistit dhe ndërgjegjes së tij, që do të thotë se gjithçka është strukturuar përmes ndjenjave dhe mendimeve filozofike të artit.

Arti, si fenomen shpirtëror, është edhe vlerë e strukturuar, e ideuar dhe e interpretuar në fizionominë e tij, që do të thotë se çdo gjë e krijuar arrihet nëpërmjet rolit aktiv të vetë artistit.

Pra, roli i artistit si njeri, individ, ndërgjegje është absolutisht i rëndësishëm për krijimin e veprave shpirtërore dhe artistike, aq më tepër kur ato marrin karakterin emocional të artit. Natyrisht, artisti në procesin krijues ka subjektivizimin e tij dhe sintezën artistike për veprën e ardhshme. Në veprat artistike, individualiteti i artistit si vetvete vendos firmën dhe vulën si gjurmë e pashlyeshme e unit krijues. Në këtë drejtim luajnë rol shumë rrethana të realitetit që karakterizojnë individualitetin artistik si një imagjinatë e psikologji e artistit, si një përvojë vetjake dhe shoqërore e tij, botëkuptimi dhe stili e deri në pikëpamjet morale.

Një vepër artistike është e pavlerë atëherë kur jeta paraqitet si qëllim në vetvete, pa pikësynim dhe lëvizje subjektive të njohjes së realitetit.

Arti ka në botën e tij krijuese shumë këndvështrime për të shprehur qëndrimin aktiv të artistit të vërtetë ndaj realitetit, njeriut dhe jetës së gjallë. Pikërisht këtu qëndron elementi bazë i tyre dhe që përbëjnë karakterin e së vërtetës krijuese. Në vijimësi të pikësynimit për të qenë vetvetja, pa u ndikuar nga askush tjetër në ide, koncept, rrymë, teknikë etj. shfaqet hapur e i sinqertë, aktiv e interpretues ndaj realitetit dhe jetës njerëzore. Përmes këtij parimi në stil e individualitet ndërton laboratorin krijues të punës së vet si një efektivitet produktiv në interpretimin e fenomeneve të jetës dhe realitetit, që tashmë, përbëjnë brumin kalorifik të objektit dhe subjektit të tij (artistit). Artisti, si përfaqësues i karakterit të artit specifik e domethënës, është i pranishëm në zhvillimin e ngjarjeve të realitetit dhe promotor i gjykimit të tyre. Në veprën e në shpirtin e artistit shprehet qëndrimi i tij kritik, dashamirës dhe kontribuues ndaj realitetit, njeriut dhe shoqërisë. Krijimi artistik shprehet dhe interpretohet si vetvete, në veten e parë, në emër të objektit dhe subjektit duke identifikuar artistikisht karakterin e tij.

Natyrisht, artisti me eksperiencë të pjekur artistike, vlerëson si vlerë në vepër pikërisht atë që përbën karakter dhe moral, që do të thotë një tendencë drejt realitetit dhe jetës së gjallë njerëzore. Çdo artist me objektivitet e çmon realitetin në përputhje me pikësynimet e veta sociale dhe që ka mbi të bukurën dhe të shëmtuarën si fenomen ekzistues dhe reflektues tek ai. Këto të fundit mund të jenë edhe pasqyrim i drejtpërdrejtë ose indirekt i realitetit të gjallë i karakterizuar në unin e tij krijues artistik. Në vijimësi vlerash, kërkimesh dhe gjetjesh emocionale të gjithëkohëshme, artisti është në udhëtim me kohën, me individin si njeri, me shoqërinë dhe interesat e tyre, sinkron, me karakterin lëvizës të historisë, sistemit politik dhe ekonomik ekzistues. Në kushtet e sotme të sistemit të kapitalit, të marrëdhënieve mall-para etj., karakteri i artit merr në qendër të objektit dhe subjektit të tij, interesat e zhvillimit të individit dhe shoqërisë, natyrisht, nëpërmjet ideve dhe koncepteve bashkëkohore të artit të sotëm modern. Në këtë mënyrë, ato përbëjnë promotorin e vetëm për njohjen, karakterin dhe vlerësimin e realitetit në veprat e krijuara artistike të mirëfillta.

Qëndrimi aktiv i artistit i çdo kohe, qoftë edhe i realitetit të sotëm krijues modern, pavarësisht i ideve, koncepteve, rrymave, teknike etj., konkrete të tij, pasqyrohet në veçoritë e krijimtarisë artistike të realizuar me logjikën e materialit jetësor që asimilon, në përputhje me interesat e vërtetësisë dhe kërkesave të realitetit, që në kuptimin më të plotë i japin karakter artistik si fenomen dhe subjekt i dëshiruar për të gjithë.

Vërtetësia artistike është për çdo krijues vlerash shpirtërore elementi bazë në art, është një nga ligjet universale të interpretimit të tij.

Arti, si fenomen i ndjeshmërisë emocionale, është pasqyrim i jetës dhe realitetit njerëzor, një mjet shprehës për njohjen e tyre në veçanti, në thellësi e në përgjithësi, një ekzistencë, një dukuri, në të cilat artisti shpreh vetveten, individualitetin dhe subjektivitetin e vet. Këtë e shikojmë edhe në realitetin e sotëm krijues si një orientim shumëplanësh, konceptimi të ri optiko-vizual, psikologjik e modern të realitetit të gjallë jetësor dhe njerëzor.

Natyrisht, çdo krijues përpiqet në mënyrën e tij të krijojë vlera artistike të pranueshme nga njerëzit e pse jo edhe të qëndrueshme për kohën e tashme dhe të ardhme. Gjithçka konvertohet në vlerë shpirtërore, emocionale dhe artistike. Vepra në vetvete, që mbart mendime, ide dhe koncepte shprehëse të realitetit të karakterizuar nga ndërgjegjja e ndezur e artistit merr atributet e një kuptimi universal të jetës, sa jetohet apo është jetuar emocionalisht. Për çdo krijesë artistike e vetëshprehjes në mënyrë individuale investohet nga artisti, sepse në themel të saj (të tyre) qëndron subjektiviteti i tij i lirisë aktive dhe shpërthyese të realitetit bashkëkohor të sotëm.

Uni krijues gatuhet artistikisht nëpërmjet njohjes dhe akumulimit të jetës njerëzore dhe realitetit që ekziston realisht si objekt dhe subjekt arti.

Roli aktiv i krijuesit në art është absolut, sepse ai si vetvete është sintezë e interpretimit të çdo gjëje në realitet. Me vetëdije apo subkoshiencë të tij, arti dhe vepra produkt marrin përmbajtje të pasur emocionale, shpirtërore dhe jetësore. Artisti i vërtetë merr vlerën e krijuesit artistik jo vetëm si vetvete përmes unit të vetvetes të kornizuar apo kuadratuar në botën e tij, por në sajë të njohjes dhe zhytjes thellë në realitetin e jetës, njeriut dhe shoqërisë së çdo kohe se me veprën e tij tashmë është bërë promotori energjik shpirtëror i popullit të vet e më gjerë. Në këtë kontekst njerëzor dhe artistik, artisti i ndjeshëm dhe me botë të pasur shpirtërore, merr atributet e një njeriu sipërmarrës që sakrifikon shumë nga vetja përmes vetes dhe të tjerëve, që gëzon artin e tij, çmon dhe mban gjallë shpirtin e një populli.

Qëndrimi i artistit idealist artistik është shprehur në çdo kohë nëpërmjet përpjekjeve të pafundme të jetës si një obligim ndaj vetes dhe të tjerëve, si një njeri që e do jetën, njeriun dhe realitetin e gjallë e shoqëror, natyrisht i interpretuar në gjetjen, këndvështrimin dhe subjektivizmin preferencial të unit krijues produktiv të tij.

Artisti, në punën e tij krijuese, gjithmonë është në fillesë të idesë, objektit dhe subjektit të zgjedhur, sepse çdo vepër e re e krijuar dhe në proces fillon nga fusha e bardhë e kuadrit, që do të thotë se gjithçka vjen nga asgjëja për të shkuar te realiteti i veprës konkrete, tashmë e vlerësuar, e prekshme, me ndjenja  shpirtërore dhe emocionale.

Vërtetësia artistike e artistit të vërtetë qëndron në materialin nektar të akumuluar nga realiteti i gjallë jetësor, si një logjikë subjektive e tij, si një karakter i veçantë, tipik, individualitet i pozicionuar në lirinë e vet. Gjithçka për të ndaj jetës dhe realitetit të karakterizuar artistikisht është ndjenjë, shpirt, aktivitet, krijim, interpretim etj. që do të thotë, kuptimësi vlerash simpatike si për vete dhe për të tjerët.

Në art, për çdo krijues vlerash artistike, elementi bazë është vlerësimi i çdo shfaqjeje apo fenomeni të realitetit që përbëjnë për të një e shumë subjekte interpretuese, përgjithësuese të mirëfillta të lëndës jetësore.

Për të gjitha është i vetëdijshëm dhe i drejtpërdrejt në drejtim të shprehjes artistike, të cilat në kuptimin më të gjerë e universal, marrin formën dhe përmbajtjen e artit të vërtetë. Pasqyrimi me vërtetësi artistike i realitetit dhe i karakterizuar bindshëm si vlerë krijuese për vepra të pranueshme shpirtërore shoqërore, historike dokumentare, etj. përbën natyrshëm dhe domosdoshëm arritjen më vlerësuese të vërtetësisë së tij (realitetit).

Interpretimi i materialit jetësor, ndryshe nga interpretime të tjera, ka për artistin ngopjen ideore, tematike dhe të gjithanshme, dhe, mbi të gjitha, harmonizimin e elementëve artistikë në mënyrën më maksimale krijuese dhe produktive.

Natyrisht, në art, komponentët përbërës ekzistues të realitetit nga artisti interpretohen në trajta dhe lloje të ndryshme të vetë artit si fenomen, që do të thotë, se raporti midis elementëve të vlerësuar si subjekt është një hapësirë e gjerë në gjinitë dhe zhanret artistike.

Vepra artistike e mbështetur te realiteti, fiton vlera të ndjenjave, mendime të vet artistit, së bashku dhe sinkron me të tjerët. Nuk mund të ketë vepër artistike të mirëfilltë pa cilësitë dhe karakterin ekspresiv të botës reale, njerëzore, të cilat në kuptimin filozofik artistik e kanë subjektin ekzistues dhe aktiv të realitetit. Çdo krijimtari artistike lidhet me cilësitë më të zhvilluara ekspresive, me të dukshme, më dinamike e më përgjithësuese të shfaqjeve të realitetit, të cilat artisti i vërtetë, i sintetizon në koncentrate, i përpunon në mënyrë krijuese, i bën më të asimilueshme dhe shprehëse për njerëzit artdashës dhe më gjerë.

Në këtë sens krijues, realiteti i interpretuar nga arti dhe artisti, merr një karakter vlerash njerëzore dhe ekzistencë të jetës, që jetohet realisht në këtë botë.

*piktor, studiues arti