Nderimi amerikan për të bukuren gjuhën shqipe

969
Prof. Dr, Agron F. Fico, H.C,
Gazeta “Nju York Post” njoftonte, më 3 maj të këtij vit, se ishte vendosur që t’i shtohet edhe gjuha shqipe listës së mësimit të disa gjuhëve të ndryshme, që ofrojnë shkollat e Nju Jorkut. Kjo është një ngjarje e shënuar, jo vetëm për shqiptarët, që jetojnë e punojnë në Nju Jork, por për gjithë shqiptarët kudo që janë. Do të mjaftonte edhe vetëm mendimi i këtij të riu që shkroi: “Shkëlqyeshëm! Një lajm i mirë. Albanologë të rinj do të shtohen!” Ndërsa një tjetër u shpreh “Një falënderim të madh për shtetin e vetëm në botë, që respekton të drejtat e çdo kombi! Ky vendim nuk është thjesht një akt letre, por nderim i mençur për gjuhën shqipe, për mbartësit e saj, popullin shqiptar, kombin shqiptar. Madje nuk është as herë e parë që opinioni publik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njihet me vlerat gjuhës shqipe. Më 22 mars të këtij viti gazeta e famshme “The New York Times” botoi një shkrim-ese me titullin: Family Tree of Languages, Albanian One of the Oldest. Në frazën e parë, në fjalinë e parë, shkruhej: “Albanian Language is among 3 oldest languages! What a great discovery! Albania is ancient.”

Këto tri gjuhë të moçme janë: Armenishtja, greqishtja dhe shqipja. Nuk është hera e parë që në këtë gazetë prestigjioze botohet një zbulim i tillë. Edhe para disa viteve u botua në këtë gazetë një studim i Akademisë së Shkencave të Suedisë që përmendte gjuhën shqipe si ndër më të lashtat dhe e vetmja origjinale. Ne, shqiptarët, duhet ta vlerësojmë këtë fakt, pohimin publik për lashtësinë e shqipes, sepse ka edhe botime të mirëfillta shkencore që shqipja është hequr nga harta e gjuhëve të botës (shih: Eqrem Çabej – Hyrja në Indoeuropianistikë, 2008, përgatitur nga Brikena Çabej, Ledi Shamku Shkreli.) Albanologët e shquar shqiptarë, si gjuhëtari i madh Eqrem Çabej dhe albanologë të huaj, kanë theksuar lashtësinë e gjuhës shqipe dhe origjinalitetin e saj. Një plejadë e madhe studiuesish të huaj, duke filluar nga shek. XVII dhe gjer në ditët tona, i janë kushtuar studimit të gjuhës shqipe, aspekteve më të ndryshme të saj. Po përmendim disa syresh si: G. W. Leibnic, Hans Tunman, Johan G. Herder, Hahn, që njihet si pionieri i studimeve shqiptare (‘Hahn është një gjeni’, thoshte N. Jokli), për të vazhduar me Franc Boppin, Jakob Falmerajerin, Gustav Mayerin, që Çabej e cilësonte si “themeluesin e vërtetë të studimit të gjuhës shqipe” etj., etj.
Poeti i madh i Rilindjes shqiptare, Naim Frashëri, e ka shpallur në vargje krenarinë për bukurinë dhe lashtësinë e shqipes :
Bota që kur është zënë,
Shqipëria gjall’ ka qenë.
Pellazg’ u thoshin më parë,
Më së fundi shqiptarë.
Gjuh’ që flisnin Perënditë,
Atë flisnin pallazgjitë,
Atë kanë shqiptarët.”
(Naim Frashëri: Vepra letrare, 1999, f. 123)
Pavarësisht nga metafora poetike në këtë vjershë, mund të thuhet se gjuha shqipe, si ndër më të lashtat në gjirin e gjuhëve indoevropiane, është një gjuhë komunikuese qytetëruese me vlera të shumta linguistike e artistike, me aftësi të pamasa shprehëse dhe ligjëruese.
Gjuha shqipe, si tipari kryesor i kombit shqiptar, ka një histori zhvillimi dhe përparimi plot sfida të ndryshme. E lindur në agimin e njerëzimit ajo ka qenë e përndjekur dhe e ndaluar. Rilindësit tanë vizionarë e kuptuan, se boshti kryesor i zgjimit dhe forcimit të ndërgjegjes kombëtare do të ishte gjuha shqipe. Më 1879 u krijua Alfabeti shqip ose Alfabeti shqip i Stambollit, i cili, siç e quajti Asdreni, “ishte një agim për shqiptarët”. Ky proces, d.m.th. miratimi i një alfabeti gjithë-shqiptar u bë në Kongresin e Manastirit më 1908. Rilindësit e mëdhenj kuptuan nevojën historike se gjuha shqipe, shkollimi i shqiptarëve në gjuhën amtare, do t’i ndërgjegjësonte në luftën me armë kundër sundimit turk osman. Nuk është rastësi që ndër viktimat e para të shqiptarëve në luftën e tyre për liri dhe pavarësi u bënë mësuesit patriotë si Dhaskal Todri, Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi etj. Shqiptarët janë ndër popujt më të lashtë të rruzullit tokësor. Zbulimet arkeologjike, dokumentet historike, dëshmitë e historianëve klasikë, të historiografëve të periudhave të ndryshme historike, mbi të gjitha vetë gjuha shqipe, provojnë katërcipërisht lashtësinë e shqiptarëve. Dijetarët e shquar, që i përmendëm edhe më lart, thonë se shqiptarët janë një popull autokton, një popull i moçëm, pasardhës i banorëve më të parë të gadishullit ballkanik, një ndër popujt më të lashtë të Evropës dhe të botës. Ata thonë se shqiptarët rrjedhin nga pellazgët e dikurshëm. Përfaqësuesi i kësaj teze është albanologu gjerman Georg Von Hahn. “Të gjithë dijetarët e sotëm bashkohen me mendimin se shqiptarët janë stërnipër të ilirëve të moçëm dhe se gjuha e tyre është faza më e re e ilirishtes së vjetër” , shkruan Eugen Oberhummer, profesor i gjeografisë historike në Universitetin e Vjenës.

Shqiptarët e vendosur në Amerikë i kanë kushtuar një rëndësi të veçante rujtjes dhe mësimit të gjuhës shqipe. “Qytetit të vogël Netik (Natick), në afërsi të Bostonit, i takon nderi si vendi ku lindi shkolla shqipe në Amerikë. Kjo ngjau në vitin 1908; pra, në të njëjtin vit që u themelua Kisha Ortodokse Shqiptare këtu. Mësuesi i shqipes ishte patrioti Kristo Dako, që njihet për punën e tij si arsimtar dhe historian.” (Peter Prifti –Mozaik Shqiptar, Buzuku, 2003, f.186). 

Qysh atëherë, janë bërë mjaft përpjekje për t’u mësuar gjuhën shqipe të rinjve. Klasa, kurse, shkolla apo programe në gjuhën shqipe janë organizuar pothuajse në të gjitha shtetet e Amerikës ku ka bashkësi shqiptare si, në Boston, Uster, Detroit, Dallas, Teksas, por më shumë në Nju Jork dhe rrethet ku banojnë rreth 60.000 shqiptarë. Nju Yorku si qendra e emigracionit shqiptar në Amerikë, gjendja e gjuhës shqipe ka një rëndësi të veçantë. për të shmangur rrezikun e asimilimit të brezave të rinj në “kazanin tretës “ të Amerikës. Në Nju Jork ka një rrjet të tërë shkollash ku mësohet gjuha shqipe si në lagjet Bronks, Bruklin, në ishullin Staten afër Nju Jorkut dhe në dy shtetet fqinj: Nju Xhersi dhe Kanektikat. Gjuha shqipe, si një nga gjuhët e familjes indo-evropiane, ka depërtuar edhe në sferat e larta të botës akademike të vendit, si universitete dhe institute të ngjashëm. Studimi i shqipes ka hyrë në programet mësimore të Universitetit Kolumbia në Nju Jork, të universitetit të Çikagos, të universitetit të Kalifornisë në San Diego, në universitetin e Minesotas në Mineapolis, dhe si kurs akademik edhe në Miçigan (1995-2000 ) etj. Gjuha shqipe dhe kombi i lashtë e autokton ilir-arbëresh-shqiptar, që e flet atë nga fillesat e njerëzimit, siç pohoi edhe një herë eseja e botuar në gazetën “The New York Times”, ka krijuar një kulturë, art e letërsi të bukur dhe me mesazhe miqësore dhe paqësore.
“Gjuha shqipe – ka shkruar gjuhëtari i madh Eqrem Çabej, është tabani i tabanëve të kombit”, ndërsa ë Rilindësi madh, poeti Naim Frashëri, e quante gjuhën shqipe si “Gjuhë e mirë, e ëmbël… e bukur e plot vlerë.”
Sigal