Ndaleni mallkimin dhe përbaltjen!

803
Arben MALAJ

Ditët e fundit në rrjetet sociale ka një fluks të lajmeve nga ata që largohen, duke e mallkuar apo përçmuar vendin e tyre dhe “patriotëve” atdhedashës që përdorin arsenal fjalësh banale ndaj “tradhtarëve” të atdheut. Natyrisht, çdo individ që ka mundësi për një jetë më të mirë brenda apo jashtë atdheut të tij nuk duhet paragjykuar. Në momente të caktuara, ata mund të jenë zhgënjyer, por nuk e gëzojnë të drejtën e mallkimit, përçmimit apo ironizimit të vendit të tyre. Edhe personalitetet tona që jetuan jashtë atdheut lanë një amanet të përbashkët, varrin ta kishin në atdhe, ndoshta edhe si shenjë pendimi për dashurinë e munguar kur ishin të zhgënjyer. Në një botë gjithnjë e më të hapur do të kemi përherë flukse emigrantësh nga vendet në zhvillim. Do të ketë mijëra njerëz që kërkojnë dhe meritojnë një jetë më të mirë, mijëra studentë që do të kërkojnë të studiojnë jashtë vendit. Do të ketë qindra studiues që do të pëlqejnë të punojnë në qendrat kërkimore shkencore. Kjo nuk duhet parë si krizë, por si mundësi mirëarsimimi i një kombi. Studimet tregojnë se pas 10 vitesh qëndrimi larg atdheut, një pjesë e tyre kërkojnë të kthehen. Ndaj baltosja e tyre është e papranueshme. Largimi i artistëve bën lajm, aq më tepër kur ata e përçmojnë, denigrojnë apo mallkojnë vendin e tyre. Për ata artistë që kanë tituj nderi, të akorduar nga Presidenti i Republikës dhe përzgjedhin ta përçmojnë atdheun që u ka dhënë këtë titull, minimalisht duhet ta dorëzojnë atë.

Personalisht, vazhdoj të besoj se ata i kanë merituar titujt dhe do të vazhdojnë ta duan dhe do t’i shërbejnë vendit të tyre, pavarësisht zhgënjimeve momentale. Është e vërtetë që Shqipëria ka shumë probleme dhe sfida, por mallkimi dhe braktisja i bëjnë ato më të rënda.
Sigal