Naun KULE*/Hirësi Janullatos, Zoti flet edhe Shqip…!

68

Të dëgjuam Hirësi. Pashkët e sivjetme risollën momentin t’ju shihnim sërish përballë grigjës tuaj ortodokse (shqiptare).

Nga poltroni i shenjtë i mbuluar me purpurimën rrezëllitëse të veshjes, mbërthyem sy e vesh t’ju dëgjonim urimet, përgëzimet, meshimet dhe gjithë porositë për këtë dhe atë botë, dhënë nga i pari i kishës tonë gjoja autoqefale. Dhe tek dëgjuam se ç’deshe të na thuash, na u skuqën faqet dhe po na digjnin veshët…! Themi ç’deshe të na thuash se në të vërtetë as Ju vet nuk e dini se ç’na kini thënë. Më saktë e di “terxhumani” Juaj, i cili u djersit që  t’ju përkthente për tek grigja shqipfolëse…Domethënë, Ju që drejtoni për rreth njëzetë vjet grigjën shqipfolëse të ortodoksisë shqiptare, ende me përkthyes, Hirësi Janullatos…!? Edhe pse kjo është kundër nomeve të kishës tonë, madje edhe pse i bie ndesh Kushtetutës së Shqipërisë, Ju vazhdoni me fudullëkun e njeriut që s’pyet për shtet dhe ligj.

Atëherë nuk di për çfarë shenjtërie a përkushtimi fetar mund të pretendojë një klerik i lartë si Ju që  nuk plotësoni detyrimet ligjore, kur ne presim të shikojmë se udhëheqësit tanë shpirtëror janë aq të shenjtë sa nuk shkelin mbi një mizë e jo mbi ligj…!?

Por duket se për Ju  Hirësi, kjo s’ka shumë rëndësi, pasi Ju nuk e kini për gjë të shkelni edhe mbi ne, mbi gjithë ortodoksinë shqiptare ( siç e do ajo greke…), mbi trashëgiminë fetare dhe kulturore të  të parëve tanë, mbi etërit kombëtarë shqiptarë të kishës tonë, të cilën përditë e më dukshëm po e zhvishni nga tradita shqiptare e Nolit të madh, At Stathit dhe Papa Kristos, emrat dhe veprën atdhetare të cilëve, as guxoni t’i zini me gojë sepse, “…Papa Kriston na e vranë/ Ca të ligj  grekomanë/ Dhe për të s’ra një kambanë…” vajton populli ynë.

E, pra, nëse nuk të mjaftuan dhe bindën dy dhjetëvjeçarë në përkushtimin Tuaj progrek në kurriz të kishës tonë për ta zhbërë dhe greqizuar atë ind e maj, të jeni i sigurtë se do jeni i dështuari i radhës në përpjekjet dhe orekset shekullore të grekërisë së zilepsur dhe tahmaqare ndaj trojeve dhe historisë shqiptare.

Dihet se modeli dhe shëmbëlltyra Juaj është misionari grek i shekullit tetëmbëdhjetë, Kozma Etoli (1714-1779), një antishqiptar i përkushtuar i megaliidhesë greke i cili, bënte pikërisht këtë që Ju po e bëni sot në mënyrë shumë më të sofistifikuar me ortodoksinë shqiptare. “Mos iu lutuni Zotit në shqip- u thoshte greku Kozma gjyshërve tanë. Shqipja është gjuhë e mallkuar, është gjuha e të paudhit…Më premtoni se në familje do flisni jo shqip, por greqisht dhe unë do t’ju falë gjithë mëkatet tuaja…”

Ja kështu, Hirësi Janullatos, Kozmai, (stërgjyshi Juaj shpirtëror, i mbiquajtur shën Kozma), këtu e treqind vjet më parë, u end këtyre anëve (sa la këtu edhe kokën), për atë të shkretë grekëri e Megaliidhe…Dhe ai, iu fliste besimtarëve me përkthyes, ja kështu, toidho si Ju, Hirësi Janullatos…!

Prandaj, duke u parë e dëgjuar darkën e Pashkëve tona krah përkthyesit që djersitej të përcillte përdëllimin tuaj grek ndaj besimtarëve shqipfolës, sepse m’u kujtuan rrëfimet e gjyshërve të mi për misionarin grek Kozma, i vrarë për motive të dyshimta këtu, mes Myzeqesë, në gushtin e largët të vitit 1779.

Aty u binda se edhe Ju, si greku i dikurshëm Kozma, e kini për turp dhe gjynah të flisni shqip, paçka se nuk guxoni aq sheshazi t’ua thoni shqiptarëve sot se, “shqipja është gjuhë e të paudhit dhe se Zoti fyhet po t’i lutesh në shqip. Ortodoksia flet vetëm greqisht siç fliste Krishti. Ja, pse Ju Hirësi, nuk doni të meshoni e të predikoni në shqip. Se, vërtetë Hirësi Janullatos, në gati njëzetë vjet  në krye të kishës shqiptare, Ju nuk mundët dot të mësoni aq shqip sa të bekoni besimtarët Tuaj në gjuhën e nënës…!?

Nuk duam ta besojmë këtë për Ju Hirësi, që mbani aq shumë grada shkencore e fetare të marra në disa gjuhë të huaja, me të cilat, Ju mburrin gjithë grekomanët rreth Teje, të cilët i mban peng me ndonjë shkollim grek të fëmijëve, me rroga e pensione të majme për shërbime të posaçme. Më kot mundoheni Hirësi…!

Shqiptarët dhe ortodoksit e këtij vendi, e kanë ditur dajmas dhe e dinë edhe sot, se Zoti flet edhe shqip…! Ndaj edhe fjalët e Krishtit, na i thoni shqip Hirësi Janullatos pa u trembur se do t’Ju mallkojë Zoti. Apo trembeni mos i dilni nga besa shën Kozmait, modelit Tuaj të vjetër? Pa frikë, Hirësi. Shën Kozmai ka vdekur, paçka se grekomanët e Megaliidhes, edhe me ndihmën, financimin dhe përkushtimin Tuaj, ende lodhen ta ringjallin duke i zbukuruar varrin në mes të Myzeqesë, që ta kini si “gozhda e Nastradinit” për kufijtë e Vorioepirit Tuaj, i cili shkuaka gjer në Shkumbin…!?

                                                                                      *Kryetar i shoqatës  “Myzeqeja”