NATO, një sistem i përbashkët sigurie

117
Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

Krenarë për anëtarësimin
U mbushën 9 vjet që historia e Shqipërisë u pasurua dhe me një datë të rëndësishme në historinë e saj. Anëtarësimi i vendit tonë në NATO, më 1 prill 2009, shënon padyshim një ngjarje që historia i numëron për rëndësinë e tyre. Në këtë ditë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, mirënjohja u shkon të gjithë atyre që e mundësuan këtë arritje. Në radhë të parë, mirënjohja u përket të gjithë qytetarëve të vendit, popullit shqiptar, i cili në harmoni dhe vokacionin e përhershëm evropian mbështeti në mënyrë plebishitare, projektin e integrimit euroatlantik të vendit. Ai afirmoi kështu, pa asnjë ekuivok, si një ndër kombet më euroatlantikë, pas rënies së perdes së hekurt. Mirënjohje u shkon të gjitha kombeve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, që e mbështetën projektin e madh të integrimit të Shqipërisë dhe mundësuan që siguria e Shqipërisë të shndërrohet edhe në një çështje e tyre. Mirënjohje e respekt meritojnë të gjithë ata shqiptarë, Forcat e Armatosura, administrata shtetërore, shoqëria civile, politika pa dallim që realizuan në praktikë reformat e mëdha, të cilat ishin parakusht për anëtarësimin. Mirënjohjeje shkon ndaj popullit e qeverisë së SHBA. Natyrisht, mirënjohja ndaj NATO-s nuk kufizohet vetëm tek anëtarësimi. Mirënjohja shqiptare ndaj NATO-s lidhet ngushtë me rolin jetik që aleancë e madhe e lirisë luajti në shuarjen e luftërave të reja në Ballkan dhe veçanërisht në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Kontribut i pashlyeshëm i Aleancës
Zgjerimi i hapësirave të lirisë në lindje të Evropës, pushimi i luftës, vendosja e paqes në Ballkan dhe liria e Kosovës mbeten një kontribut i pashlyeshëm i Aleancës, pas përballimit me sukses të plotë të Luftës së Ftohtë. Duke bashkuar sigurinë tonë me 28 vendet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, ne kemi realizuar investimin më të madh për sigurinë kombëtare. Me nënshkrimin e Traktatit të Uashingtonit, vendi ynë është pjesë e aleancës më të fuqishme dhe, padyshim, më të pathyeshme në historinë e njerëzimit. Duke u integruar në aleancën e madhe, Shqipëria është njëkohësisht, dhe pjesë e pandashme e përmbajtjes dhe e shprehjes së botës së lirë. Botës së vlerave të larta të demokracisë, lirisë dhe të drejtave njerëzore, ekonomisë së lirë dhe shtetit ligjor. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, zgjidhi një prej problemeve kryesore që na ka shoqëruar këto 105 vite si shtet i pavarur, problemin e sigurisë. Anëtarësimi në NATO shënoi fillimin e një procesi po kaq të rëndësishëm, procesin e integrimit të plotë, që çdo vend i sapo-anëtarësuar duhet të kryejë. Ky proces, përfshiu transformimin e Forcave tona të Armatosura në fushat doktrinare, organizative, stërvitore/trajnuese, pajisjeve, personelit dhe burimeve, duke i bërë ato më të ndërvepruese me simotrat e tyre në Aleancë. Ky procesi është udhëhequr dhe monitoruar nga Komanda e Aleancës për Transformim (ACT) dhe ka përfunduar me certifikimin e integrimit të plotë në tetor 2013. Forcat e Armatosura, si një organizëm vital, janë gjithmonë në një proces të vazhdueshëm transformimi dhe evoluimi. Njëkohësisht, si shprehje e vullnetit për përmbushje sa më të mirë të detyrimeve ndaj kësaj Aleance, Shqipëria ka vijuar pjesëmarrjen me sukses në operacionet e NATO-s, si në operacionin ISAF në Afganistan me ekipe, të forcave speciale etj., si dhe në operacionin KFOR në Kosovë me personel në shtab. Në këto 9 vite anëtarësim, Forcat e Armatosura kanë pasur arritje të tjera të rëndësishme. Këtu mund të përmendet, procesi i demontimit të municioneve dhe armatimit të tepërt, njohja dhe përdorimi i Procesit të Planifikimit të Mbrojtjes së NATO-s duke e përafruar Planifikimin Kombëtar me atë, si dhe automatizimi i sistemit të menaxhimit të personelit dhe materialeve. Ndërkohë po vijon puna për reformën legjislative, nëpërmjet të cilës do të rregullohet më mirë veprimtaria e FA. Por vlerat më të madha janë njerëzit – burrat e gratë me kurajë, të palodhur në nivelet dhe gradat e ndryshme në radhët e Forcave të Armatosura. Ata mishërojnë vlera dhe shembuj për tu ndjekur nga shoqëria e më gjerë. Forcat e Armatosura të RSH, do të jenë gjithmonë anëtare të denja të NATO-s dhe do të përmbushin me sukses sfidat dhe përballjet, për të duke qenë në lartësinë e detyrave që ju ngarkon misioni i tyre kushtetues.
Rreth krijimit të aleancës
Në vitet 1945-1949 vendet e Evropës Perëndimore dhe aleatët e tyre në Amerikën e Veriut po shikonin në politikën e BRSS dhe anëtarëve të saj nevojën e rindërtim ekonomik. Qeveritë e vendeve perëndimore u shqetësuan kur vërenin se BRSS nuk po pakësonte forcat ushtarake sipas Kartës së OKB, por punonin dhe luftonin për t’i shtuar dhe sofistikuar armët luftarake. Midis viteve 1947-1949, mjaft ngjarje politike u vërejtën në Norvegji, në Greqi, në Turqi dhe në vendeve të tjera të Evropës Perëndimore. Grushti i shteti i qershorit 1948 në Çekosllovaki dhe bllokada e Berlinit i sollën ngjarjet në pikën më të lartë të krizës. Hapi i parë në këto kushte, në rindërtimin e pasluftës dhe që pati rëndësi të madhe historike ishte Traktati Brukselit, të vitit 1948. Ai paraqiste modelin e sigurisë pas lufte të Unionit Perëndimor. Nënshkrimi i traktatit të Brukselit, në mars 1948 shënoi vendosmërinë e pesë shteteve të Evropës Perëndimore: Belgjikës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Holandës dhe Luksemburgut, për zhvillimin e një sistemi të përbashkët mbrojtjeje dhe të forcimit të lidhjeve ndërmjet tyre, për t’u ruajtur nga çdo kërcënim komunist. SHBA dhe Kanadaja vazhduan negociatat për krijimin e një Aleance të vetme Euro-Atlantike, të bazuar në sigurinë dhe angazhimet e ndërsjella midis Amerikës së Veriut dhe Evropës. Për të marrë pjesë aktive në këtë organizëm në fillim u ftuan Danimarka, Islanda, Norvegjia, Portugalia dhe Italia. Këto negociata çuan në nënshkrimin e Traktatit të Uashingtonit, më 4 prill të vitit 1949 dhe krijimit të një sistemi të përbashkët sigurie të bazuar mbi Partneritetin midis 10 vendeve evropiane: Belgjikë, Danimarkë, Francë, Holandë, Islandë, Itali, Angli, Luksemburg, Norvegji, Portugali, si dhe SHBA dhe Kanada. Aleancës i shtohen dhe dy anëtarë të rinj, në vitin 1952, Turqia dhe Greqia duke u bërë me 14 anëtarë. Ndërsa në vitin 1955 në të futet R F Gjermane, në vitin 1982 Spanja bëhet anëtare e saj. Në vitin 1999 NATO-s iu bashkuan dhe tri shtete të Evropës Lindore, Polonia, Hungaria dhe Republika Çeke, duke e bërë numrin e anëtarëve 19. Në mars 2004 në Aleancë futen 6 anëtarë të rinj, Lituania, Estonia, Letonia, Rumania, Bullgaria dhe Sllovenia, duke e çuar kështu në 25 shtete numrin e Aleancës. Më 1 prill 2009 u bënë anëtarë të rinj Shqipëria dhe Kroacia dhe, më 5 qershor 2017 edhe Mali i Zi.
Në roje të lirinë dhe sigurinë të anëtarëve të saj
Aleanca e Atlantikut të Veriut u themelua mbi bazën e një traktati midis shteteve anëtare, ku secila prej tyre është futur lirisht pas një debati publik dhe procesi të duhur parlamentar. Ky traktat mbron të drejtat e tyre individuale, sikundër ka dhe obligimet e tyre ndërkombëtare në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, angazhon çdo anëtar për të ndarë rreziqet dhe përgjegjësitë ashtu, si dhe të mirat e sigurisë kolektive, dhe kërkon prej secilit prej tyre të mos futen në ndonjë tjetër angazhim ndërkombëtar që mund të jetë në konflikt me Traktatin. Qëllimi themelor i NATO-s është, të ruajë lirinë dhe sigurinë e të gjithë anëtarëve të saj me mjete politike dhe ushtarake në përputhje me Traktatin e Atlantikut të Veriut dhe me parimet e Kartës së OKB-së. Ajo, që prej themelimit të saj, ka punuar për themelimin e një rendi paqësor të drejtë dhe të qëndrueshëm në Evropë, të bazuar mbi vlera të përbashkëta të demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe të shtetit ligjor. NATO mishëron lidhjen trans-atlantike në të cilën siguria e Amerikës së Veriut është e lidhur përgjithmonë me sigurinë e Evropës. Parimi fondamental i Aleancës është angazhimi i përbashkët dhe bashkëpunimi i ndërsjellë midis shteteve anëtare, i bazuar në pandashmërinë e sigurisë së tyre. Solidariteti dhe kohezioni brenda Aleancës sigurojnë se, asnjë vend anëtar nuk detyrohet të mbështetet vetëm në përpjekjet e veta kombëtare duke u marrë me sfidat themelore të sigurisë. Strukturat e krijuara brenda NATO-s u mundësojnë vendeve Aleate ta koordinojnë politikën e tyre në mënyrë që të përmbushin këto detyra të rëndësishme, duke bërë të mundur konsultim dhe bashkëpunim të vijueshëm në fushat politike, ekonomike dhe fusha të tjera jo ushtarake, si dhe formulimin e planeve të përbashkëta për mbrojtje kolektive.