Nasip Naço/ Konsolidimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri

520
Sigal

Ministër i Drejtësisë

Korrupsioni dhe keqfunksionimi, mungesa e integritetit dhe e profesionalizmit, niveli ulët i pavarësisë, transparencës dhe llogaridhënies së sistemit, tashmë janë identifikuar dhe pranohen gjerësisht si fenomeneve dëmtuese, lufta ndaj të cilave duhet të jetë në fokusin e kësaj reforme të pritshme në sistemin e drejtësisë. Në këtë këndvështrim, tryeza e punës  “Reformimi  i  sistemit  gjyqësor në Shqipëri” e datës 06.10.2014,  e  organizuar  nga Presidenti  i  Republikës, në  bashkëpunim  me  Ministrinë e Drejtësisë, si dhe ajo e datës 31.10,2014 e organizuar nga Ministri i Drejtësisë, ku morën pjesë drejtuesit më të lartë të të gjithë institucioneve  kushtetuese  të vendit, përfaqësuesit më të lartë të shumicës dhe pakicës parlamentare, përfaqësues të Komisionit Evropian dhe shumë aktorë të tjerë të rëndësishëm vendas dhe të huaj, shërbeu si një rast tjetër për të evidentuar nevojën për një reformim të thellë të sistemit të drejtësisë. Nisja e kësaj reforme është shprehje e pritshmërisë së lartë që ka opinoni publik për transformimin e sistemit. U vlerësua si e domosdoshme mbështetja e kësaj reforme, me ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare, nën asistencën dhe konsultimin e Komisionit të Venecias, me qëllim finalizimin e një pakete iniciativash ligjvënëse, që do të kenë si objektiv reformimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të sistemit të drejtësisë. Në sesionin e hapjes së Projektit Euralius 4, kam parashtruar prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, për asistencën më të mirë që ky mision ofron respektivisht:

Sistemi vlerësimin të gjyqtarëve

Ministria e Drejtësisë ka përgatitur projektligjin “Për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”, i cili ka për qëllim përmirësimin e performancës së gjyqësorit në tërësi, duke promovuar cilësinë dhe eficiencën në dhënien e drejtësisë, nëpërmjet vlerësimit të aftësive profesionale të gjyqtarit.  Sistemi aktual i vlerësimit nuk është plotësisht operacional dhe nuk pasqyron performancën dhe cilësinë aktuale të gjyqtarëve. Për këtë arsye, nevoja e rregullimit të sistemit të vlerësimit me ligj, përbën garanci për objektivitetin e procesit dhe i jep rëndësinë e duhur për zbatimin e tij, duke ngritur rregullimet në nivelin e një ligji. Një vlerësim i mirë-projektuar dhe me masa mbrojtëse kundër një vendimi arbitrar, mund të konsiderohet si pjesë përbërëse e pavarësisë së gjyqtarit. Vlerësimi periodik vjetor i gjyqtarëve bazuar në kritere objektive dhe metodë të standartizuar, do t`u mundësojë gjyqtarëve të promovohen dhe të avancojnë në karrierë vetëm në sajë të meritës profesionale, dhe shërben si burim legjitimiteti të funksionit gjyqësor dhe garanci për pavarësinë e tij.

 Nisma për rishikimin e Kodi të Procedurës Penale

Kjo për arsye se Kodi i Procedurës Penale përcakton elementet se si garantohen të drejtat dhe lirtë themelore të individit, të sanksionuara në Kushtetutë. Ai posaçërisht mbron të drejtat dhe liritë e individit në procesin penal. Një draft paraprak është përgatitur nga ekspertët e OPDAT, PAMEKA dhe ekspertë vendas dhe i është nënshtruar procesit të konsultimit. Ky draft është produkt i mbledhjes, shqyrtimit dhe analizimit të materialeve të përcjella nga ekspertët ndërkombëtarë dhe lokalë, të cilët kanë evidentuar çështje të caktuara për një përmirësim të mëtejshëm të dispozitave të procedurës penale. Qëllimi i Grupit të Punës të ngritur  pranë Ministrit të Drejtësisë ishte mbledhja, shqyrtimi dhe analizimi i materialeve të përcjella nga ekspertët ndërkombëtarë dhe lokalë, të cilët kanë evidentuar çështje të caktuara për një përmirësim të mëtejshëm të dispozitave të procedurës penale. Nisur nga sugjerimet dhe në veçanti nga mendimet e Grupit Këshillimor që funksionon pranë Ministrisë së Drejtësisë, si dhe nisur nga rëndësia që paraqet Kodi i Procedurës Penale, është e nevojshme që projektligji që do të paraqitet për miratim të jetë një produkt cilësor, që adreson gjithë problematikat e hasura deri më sot në praktikë gjatë zbatimit të tij, të jetë një draft afatgjatë, që t`u përgjigjet në mënyrë efektive zhvillimeve shoqërore. Kemi patur një document politikash dhe një plan veprimi, me afate konkrete, ku amendimet në K. Pr. Penale do të përfundonin në fund të Dhjetorit të 2014. Afati për ndryshimet në dispozitat procedurale penale është shtyrë  deri në Qershor të vitit 2015 dhe kjo për shkak se vlerësuam që ndryshimet e propozuara duhet t’i nënshtroheshin ekspertizës ndërkombëtare dhe veçanërisht Misionit EURALIUS IV. Ky draft i është përcjellë misionit Euralius IV për vlerësime dhe komente dhe shpresojmë shumë që asistenca e tyre të jetë e frytshme.

 Ligji për Administratën Gjyqësore

Kuvendi i Shqipërisë, në prill 2013, miratoi ligjin “Për administratën gjyqësore”, por ndërkohë  Gjykata Kushtetuese, me Vendimin e datës 06.03.2014, shfuqizoi ligjin si antikushtetues. Vakumi ligjor i krijuar pas shfuqizimit të ligjit si antikushtetues, duhet plotësuar përmes një ligji të ri, në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me ekspertët e Euralius 4 dhe me konsensusin e të gjithë aktorëve, do të ndërmarrë nismën për hartimin e një projektligji të ri, që do të adresojë në mënyrën e duhur urdhërimet e kësaj gjykate. Është domosdoshmëri, të kemi një ligj që do të rregullojë, organizimin, funksionimin dhe statusin e administratës gjyqësore, duke përcaktuar qartë strukturën organizative, kompetencat funksionale, si dhe të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e kësaj trupe. Kjo padyshim do të sjellë rritjen e integritetit dhe përgjegjshmërisë brenda radhëve të sistemit, fuqizimin e pavarësisë e transparencës, si dhe përmirësimin e eficiencës dhe besimit publik në sistemin shqiptar të drejtësisë.

Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë 2015- 2020

Reforma në drejtësi është një ndër prioritetet aktuale të mazhorancës qeverisëse.  Me qëllim përgatitjen e një dokumenti strategjik të mirëkoordinuar në koncept, përmbajtje dhe afate, si dhe të dakordësuar më të gjithë aktorët e të tre pushteteve, në bashkëpunim me misionin Euralius, asistenca e të cilëve është e domosdoshme në këtë fazë, do të hartohet strategjia e re ndërsektoriale e drejtësisë, në kushtet kur periudha e strategjisë ekzistuese tashmë ka përfunduar dhe nevojitet një strategji e re, me objektiva të qarta, për rrugën që do të ndjekë drejtësia në vendin tonë. Do të dëshiroja të shprehja vullnetin e Qeverisë dhe të Kuvendit të Shqipërisë për të marrë asistencën e duhur nga ekspertet e Komisionit të Venecias, si dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë, në lidhje me reformimin e sistemit të drejtësisë.  Bindja dhe angazhimi ynë se reformat në sistemin e drejtësisë, do të kryhen domodoshmërisht, duke patur si parim kryesor gjithë përfshirjen dhe transparencën, është e pandryshueshme. Në këtë mbedhje të parë, të këtij organizmi të nderuar, sjell në vëmëndjen tuaj se qoftë qeveria, por dhe kuvendi, po përcjellin të njëjtën frymë vullneti për bashkëpunim, në mënyrë që këtë reformë ta realizojmë sëbashku, në kohën e duhur, por dhe në mënyrën e duhur, që hapat që do të hidhen të jenë të sigurtë, të përmirësojnë gjëndjen aktuale, por edhe t’i rezistojnë kërkesave dhe zhvillimeve të vendit në vijim.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në fund të muajit nëntor 2014, ka miratuar krijimin e një komisioni të posacëm parlamentar për realizimin e Reformës në Sistemin e Drejtësisë. Puna e këtij Komisioni bipartizan, ndër të tjera, do të orientohet edhe nga detyrimet që burojnë nga kapitujt 23 dhe 24 të acquis communitaire, të cilat i referohen reformave në gjyqësor,  lirinë, sigurinë dhe shtetin e së drejtës. Ky komision në objekt të finalizimit të punës së tij do të ketë si target hartimin e një dokumenti strategjik për objektivat në reformimin e sistemit, bazuar në një analizë të hollësishme të gjendjes aktuale, që do të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë dhe do të shërbejë si një Pakt Institucional, për objektivat afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë të reformës në sistemin e drejtësisë. Dhe duke vijuar me propozimin për miratim të një pakete të plotë projektligjesh që normojnë organizimin dhe funksionimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë, përfshirë dhe ato kushtetuese. E për të gjithë këtë qeveria shqiptare në bashkëpunim me Kuvendin kanë marrë angazhimin, se do ta realizojnë duke marrë në konsideratë kontributin e aktorëve të sistemit të  drejtësisë, ekspertëve vendas, dhe ndërkombëtarë, subjekteve të interesuara dhe opinionit publik dhe shoqëria civile.