Naim Balluku/ Kriza greke dhe pasoja për emigrantët shqiptarë

581
Në krizën greke, ndikim të madh ka sjellë dhe sistemi i pensioneve i aplikuar, që nga mënyra e organizimit, kushtet ligjore për të përfituar pensione dhe norma tepër e lartë e zëvëndësimit (raporti pension – pagë). Sistemi pensional i Greqisë merr mbi 50% të të ardhurave të përgjithshme, e barabartë kjo me 14 miliard euro financim nga buxheti i shtetit për vitin 2014. Greqia shpenzon më shumë se çdo vend tjetër europian për pensionet si përqindje e GDP-së, me rreth 17%. Para fillimit të krizës, sipas legjislacionit grek kërkohej vetëm 35 vjet kontribute të nevojshme për të marrë një pension të plotë. Ky fakt kontriboi që shumë grekë të dalin në pension në mosha të reja. Një ndër gjashtë grekë midis moshave 50 – 59 vjeç është në pension. Deri në 2006, nëpërmjet favorizimeve të pensioneve për punë të vështira, më shumë se një e treta e pensioneve të reja në fondin kryesor të vendit (IKA) i përkisnin këtyre profesioneve, ku ishin përfshirë profesione si parukeri, pension nga një punë zyre etj. duke përfituar pension të plotë pleqërie me 25 vite vjetërsi, në moshën 55 vjeç. Shuma e përgjithshme e pagesave të pensioneve me mosha rreth të 50-ve është rreth 300 milionë euro në muaj. Ende janë rreth 400.000 aplikime për të marrë pensione, shumë prej të cilave janë kërkesa për pension të parakohshëm, që do të shtojnë pagesat ekzistuese me 2 miliard e 650 milionë euro. Vetëm në dekadën e fundit, si rezultat i pensioneve false, ku shpesh kanë qenë për persona mbi 90 vjeç të vdekur, janë shpenzuar më shumë se 8 miliarde euro. Është çekuilibruar raporti kontribues/pensionistë, ku 3.534.594 kontribues punojnë për të mbajtur 2.654.784 pensionistë, duke patur një raport kritik prej 1.33 kontribues për një pensionist. Koefiçienti i zëvendësimit (raporti i pensionit me pagën e fundit para daljes në pension), ka qenë tepër i lartë, deri në 95%, nga më të lartit në Europë. Aktualisht është rreth 57%, ku përsëri gjykohet si koeficient i lartë. Vështirësitë në sistem, rrjedhin edhe nga një plakje e popullsisë, aq sa personat me moshë mbi 65 vjeç, zënë rreth 20.5% të popullsisë, që është pa dyshim më e larta në Europë. Po kështu ritmi i plakjes duket shumë i shpejtë, sa është parashikuar që deri në vitin 2050 më shumë se një e treta e popullsisë do të jetë mbi 65 vjeç. Këto fakte e bëjnë të vështirë të imagjinohet se si mund të mbahet një sistem i tillë me politikat aktuale të ndjekura për sigurimet shoqërore. Është fakt, se gjithë Evropa po përballet me sfida demografike, të cilat mund të kenë pasoja tepër të rënda për ekonomitë e tyre, nëse qeveritë nuk do të fillojë të marrin masa sa më shpejt të jetë e mundur. 
Orientimi i biznesit dhe informaliteti galopant
Drejtim kryesor i forcave të punës në Greqi është vetëpunësimi, i cili është tre herë sa mesatarja e BE-së, duke përfshirë dhe sektorin bujqësor. Ekonomia greke është e ndërtuar në bazë të bizneseve familjare në shkallë të vogël me një informalitet jashtëzakonisht të lartë. Ekonomia informale e Greqisë përbën afërsisht 30% të GDP- së të saj, përqindje kjo nga më të lartat në Europë. Ky është informaliteti zyrtar i llogaritur, por duke përfshirë dhe punën e emigrantëve ilegalë të pa rregjistruar, kjo përqindje është më e lartë. Kjo ekonomi informale ka nevojë për punëtorë të lirë, të pakualifikuar për të mbijetuar, përderisa të rinjtë në Greqi nuk janë të gatshëm të punojnë në këto sektorë. Të rinjtë grekë kanë pjesëmarrje të ulët në forcën e punës dhe vazhdojnë të studiojnë në universitete derisa të mund të gjejnë punë të një statusi të lartë. Nisur nga sa më sipër papunësia për të rinjtë është në një masë të konsiderushme 51.1%, ndërsa mesatarja e papunësisë në shkallë vendi që nga 11.1% që ishte në vitin 2010, tani rezulton në 25.7%, pa dyshim më e larta ndër vendet e BE. Kjo do të thotë se shumë emigrantë shqiptarë mund të gjejnë punë të cilësisë së ulët nëse pranojnë ato që grekët e refuzojnë. Veçanërisht kjo është më reale në punët bujqësore dhe punë të rënda në industri, ndërtim për burrat dhe mirëmbajtjen e shtëpisë, pastrim dhe kujdes për gratë emigrante. Një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë, kanë punuar dhe punojnë në punë informale. Këtë fenomen e dëshmon fakti se sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore greke (IKA) numri i shtetasve shqiptarë të siguruar në 2009 ka qenë 121,902, ndërsa në fund të vitit 2013, numri ka rënë në në 85,893. Po të kemi parasysh se se kemi një numër përafërsisht të barabartë emigrantësh shqiptarë në Greqi dhe Itali, aktualisht në Itali rezultojnë të punësuar dhe siguruar rreth 260.000 emigrantë, ndërsa kemi gjithsej në Greqi 85,893 emigrantë të punësuar. Emigrantët shqiptarë përbëjnë 63,7% të totalit popullsisë emigrante të dokumentuar në Greqi, e ndjekur nga bullgarët, gjeorgjianët, rumunët, rusët dhe ukrainasit. Janë të punësuar kryesisht në ndërtim, industri dhe në bujqësi. Të ardhurat nga puna e pa dokumentuar e emigrantëve të huaj, janë vlerësuar se përbëjnë rreth 24% të GDP-së së Greqisë. Shumë emigrantë të paligjshëm nuk e shohin Greqinë si destinacionin e tyre përfundimtar, por planifikojnë të punojnë vetëm për të mbledhur fonde të mjaftueshme për të lëvizur në vendet e tjera të BE. Megjithatë, mbas fillimit të krizës ka pasur reforma sipas një programi të përcaktuar për daljen nga kriza. Së pari, mosha minimale e pensionimit për pensionet e parakohshme është ngritur në 62 vjeç si për burrat ashtu dhe për gratë. Së dyti, mosha ligjore e pensionit u programua për t’u shtyrë nga 60 për gratë dhe 65 vjeç për burrat, në 67 vjeç me një periudhë tranzicioni. Në këto kushte vendet kreditore kanë kërkuar një reformë të mëtejshme të sistemit të pensioneve, si dhe në një farë mase reduktimin e pensioneve. Për reduktimet e pensioneve ishte rënë dakord më parë mes qeverisë Samaras dhe Trojkës, por shumë nga këto reduktime janë shtyrë për shkak të efekteve elektorale që mund të sillnin shkurtimeve të tilla. Qeveria Cipras ka propozuar për të rritur moshën e pensionit në 67 deri në vitin 2025, ndërsa vendet kreditore kërkuan që që kjo të zhvendoset në 2022. Pensionistët greke kanë ndjerë ndjeshëm tashmë efektet e krizës në reduktimin e pensioneve. Pensionistët u privuan nga tërheqja e pensionit të tyre, duke marrë një masë të kufizuar të pensionit dhe aq më tepër kur është paralajmëruar se fondet likuide mund të mjaftojnë deri më datë 9 korrik. Duhet patur parasysh se, shoqëria greke ka një varësi në pensionistë. Një në dy familje mbështeten në pensionet. 
Remitancat dhe roli i tyre ne ekonominë e vendit tonë 
Emigracioni shqiptar ka luajtur një rol të padiskutueshëm në zhvillimet ekonomiko të vendit. Së pari, ka qenë një valvul për zbutjen e papunësisë, duke patur parasysh se mbas mbylljes së ndërrmarjeve ekonomike, sollën papunësi jo normale. Faktor tjetër pozitiv i emigracionit, ishte dhe financimi me mjete monetare i familiarëve që mbetën në vend, nëpërmjet dërgesave, të cilat janë bërë, herë duke i sjellë dorazi e herë nëpërmjet sistemit bankar. Remitancat erdhën duke u rritur nga viti në vit, dhe kulmuan në vitin 2007 me një vlerë prej 951,72 milionë euro, vetëm nëpërmjet sistemit bankar, pa llogaritur remitancat që një pjesë e mirë e emigrantëve i kanë sjellë dorazi, sidomos gjatë pushimeve verore apo festive të fundvitit si dhe shumë mallra të tjera që janë future në Shqipëri. Mbas 2007, ka filluar rënia e tyre, si rezultat i krizës ekonomike, si dhe proçesit të bashkimit familiar. Shuma totale e remitancave për vitin 2014, u ulën në 591.8 milionë euro, me një rënie prej 28%, por sidoqoftë një shumë e tillë është e konsiderueshme për ekonominë shqiptare. Remitancat kanë luajtur një rol kryesor në ekonominë e vendit tonë, duke kontribuar në rritjen e ekonomisë dhe në jetesën e njerëzve me nivel ekonomik më të ulët. Eshtë llogaritur që nëpërmjet remitancave financoheshin rreth 160 mijë familje në nevojë. 
Pasojat e krizës për emigracionion shqiptar 
-Duke humbur vendet e punës, përkeqësohen së tepërmi problemet sociale të tyre, duke i përballur ata me pamundesinë e jetesës.
-Një pjesë e mirë e emigrantëve që qëndrojnë në Greqi, kushtëzuar nga shkollat e fëmijëve dhe probleme të tjera që kanë humbur vendet e punës, po konsumojnë kursimet e grumbulluara në vite në emigracion, 
-Janë të rrezikuara kursimet e emigrantëve, në bankat greke në Greqi, kursime këto të llogaritura në 2 miliard e 300 milionë lekë.
-Janë të rrezikuara bizneset shqiptare në Greqi, megjithse janë në numër të kufizuar.
-Duke patur vjetërsi kontributive si në Shqipëri ashtu dhe Greqi, nuk plotësojnë kushtet për përfitimin e pensionit si në Greqi, ku duhen jo më pak se 4500 ditë pune (e barabartë me 5 vite të plota), ashtu dhe në Shqipëri, ku kërkohen 15 vite me vjetërsi kontributive, për të marrë një pension tepër simbolik.
-Rënia e remitancave, pa dyshim, krijon probleme jo të vogla sociale, duke patur parasysh se 160.000 familje në nevojë janë mbajtur me remitancat. Duhet thënë se remitancat e ardhura nga Greqia, përbëjnë 3.7 % të GDP.
-Kriza e rënduar ka sjellë, kthimin e shumë emigrantëve. Vetëm këto 5 vitet e fundit janë kthyer rreth 160 mijë emigrantë, ku 90 përqind janë kthime nga Greqia. Kthimi i emigrantëve në vendin tonë, ku niveli i papunësisë është i lartë (sipas INSTAT 16.9%), rrit më tej papunësinë duke zmadhuar problemet sociale që aktualisht janë të konsiderueshme. 
-Do ketë probleme të tjera sociale përsa i përket, strehimit, shkollimit të fëmijëve etj.
-Largohet gjithnjë e më shumë koha e lidhjes së marrëveshjes, për njohjen reciproke të vjetërsive kontributive dhe totalizimit të tyre. Kjo përbën me të vërtetë një dëm të madh për emigrantët shqiptarë në Greqi, që përbëjnë një numër mjaft të lartë.
Zhvillimet e mundëshme pozitive
Duke qenë se një pjesë e mirë e emigrantëve, vijnë me një kualifikim dhe eksperiencë në fusha të ndryshme, është mundësia e aktivizimit të bizneseve të reja, duke shfrytëzuar, kursimet e tyre, apo kriditë bankare. Po kështu, duke tërhequr kursimet nga bankat greke dhe depozituar në bankat tona, nxitet aktivizimi i mjeteve financiare, duke i dhënë një impuls aktivitetit bankar.
Mund të marrin një zhvillim të mëtejshëm, ekonomitë bujqësore, që shpesh janë mënjanuar nga fermerët shqiptarë, për shkak të emigrimit.
Hapja e bizneseve të reja dhe punësimet e reja, në një farë mase do të përmirësonin edhe skemën e sigurimeve shoqërore, në rritjen e numrit të kontribuesve. Në këto momente është e domosdoshme prania e shtetit dhe mbështetja për këtë kategori qytetarësh, nëpërmjet politikave të mbrojtjes sociale, nxitjen e punësimit, nëpërmjet financimeve dhe projekteve të veçanta me kushte lehtësuese, si hartimi i akteve ligjore në mbështetje të tyre.
Sigal