Na përmbyti moti i keq apo u vetëpërmbytëm

753
Fejzo SUBASHI

Qeveria është në fazën e vlerësimit të dëmeve, që gjeneroi situata e radhës e përmbytjeve. Në gjykimin tim, e rëndësishme nuk është, as politizimi, as vënia e kujës për situatën e ndodhur, por reflektimi për të shpjeguar: Pse përmbytemi? 

Një vëmendje të veçantë i kushtoi shqetësimit për përmbytjet edhe moderatori Z. Roland Qafoku në emisionin e tij “Debat”. Institucionet shtetërore, qeveritare, si dhe gjithë spektri politik, kërkojnë dhe bëjnë politikë me situatat e krijuara, duke i quajtur thjesht, katastrofa dhe fenomene natyrore. Në këndvështrimin tim, nuk kemi të bëjmë thjesht me një situatë, fenomen apo katastrofe natyrore, por kemi të bëjmë me një cikël: krizash, fenomeni dhe fatkeqësie që përsëritet thuajse çdo vit, të cilat kanë në thelb tre faktorë, tre shkaktarë, tre arsye, të cilat janë: 

• Fenomenet e natyrës, 
• Qytetarë, 
• Shteti. 
Nuk po komentoj faktorin natyrë apo klimë, pasi ajo ka rregullat dhe ligjet e saj, të cilat jo që nuk i ndryshojmë dot, por jemi të detyruar, t’i përballojmë, t’i respektojmë, t’i zbatojmë dhe t’u nënshtrohemi. Na pëlqen, apo nuk na pëlqen e vërteta është se nuk na ka cenuar, nuk na ka hyrë në hak, apo na është borxh, neve qytetarëve dhe Shtetit, natyra me ligjet e saj. Jo i jemi ne borxh asaj, jemi ne që e kemi ngacmuar atë, jemi ne që i kemi hyrë në hak natyrës dhe rregullave dhe ligjeve të saj. Për hir të vërtetës, natyra është treguar, jo vetëm “bujare”, por edhe shumë “zemër” gjere me ne, si qytetarë, por dhe me qeveritë dhe pushtetarët e këtij vendi. Qytetari i këtij vendi, qoftë ai i pari apo i fundit, me sjelljen dhe veprimin e tij, ka jo pak përgjegjësi në lidhje me situata e përmbytjeve. Veprimi dhe sjellja e çdo qytetari me natyrën si posedues i saj është mizerabël, nuk na mungon vetëm kultura, por dhe minimumi i sjelljes, veprimit, përshtatjes si qytetarë me natyrën. Mjafton të gjejmë një copë tokë të lirë dhe bëjmë një ndërtim, pa le të dal ku të dalë. Sjellja dhe veprimi, i qytetarit apo Qeverisë deri më sot, me natyrën, nuk është ajo e duhura, por më e keqja e mundshme. Jemi ndoshta i vetmi vend në Botë, jo vetëm poseduesit, por edhe institucionet përgjegjëse dhe Shteti që nuk kanë as edhe një projekt apo platformë, në lidhje me ruajtjen, mbrojtjen dhe zhvillimin e tokës në veçanti dhe natyrës në përgjithësi. Përgjegjësia kryesore është dhe bie mbi qeverisjen dhe menaxhimin e vendit. Nuk mendoj t’i dal në mbrojte as edhe një qeverie, por as të bëjë njërën përgjegjëse më shumë se tjetra, pasi përgjegjësia është njësoj, kush më shumë e kush më pak, si të kësaj të sotmes, të djeshmesh dhe të pardjeshmes. Veprimet, apo mos veprimet, ligjet, masat, vendimet, dekretet e marra, apo të nxjerra në këto tre dekada, jo vetëm që nuk janë përshtatur me ligjet dhe rregullat e natyrës, por kanë bërë cenimin e natyrës në të gjithë ekzistencën e saj. Qeveritë, në këto tre dekada lejuan të ndërtojmë shtëpi, biznese, në buzën e kanalit, mbi hidrovore, në toka buke, pa marrë parasysh kushtet klimatike, atmosferike, apo sizmologjike. Veprime që sollën situata, probleme të mëdha jetike dhe shumë sociale për vendin, të cilat i kemi prezent po thuajse çdo vit. Çfarë konstatojmë në lidhje me shfrytëzimin barabar të natyrës? Shfrytëzimi dhe shpyllëzimi masiv i pyjeve, ato që nuk i presim dot, i dogjëm. Jo vetëm i kemi kafshuar malet me guroret e famshme, por i kemi ngrënë si mos më keq, e i kemi tkurrur malet sa vështirë t’iu themi “…male o male…”. Jo thjeshtë shfrytëzim të lumenjve dhe përrenjve për rërë e zhavorr, po i kemi zhvatur, shqyer lumenjtë dhe përrenjtë si mos më keq, të cilët të japin përshtypjen e rrobave të keq përdorura, Ndërtime, betonime që nga një qytetar i thjeshtë, deri të grosistët e mëdhenj dhe mafiozë, pse jo dhe nga vetë shteti, pa studim, pa plan, pa ide. Shkatërrimin e infrastrukturës dhe strukturës së kullimit, jo vetëm duke penguar, por duke i mohuar mundësinë e rrugës së ujërave dhe reshjeve, drejt lumenjve e deteve. Nuk merremi me analizën e justifikimin e miliardave të hedhura në investime, për mbrojtën nga fenomenet natyrore, por realizojmë politizimin e tyre, për kredo politike. Qytetari, nuk nxjerr përgjegjësi për keq sjelljen dhe veprimin ndaj natyrës dhe ligjeve të saj, apo marrjen e masave për mos përsëritjen e dëmit, por kryen ritualin e vazhdueshëm duke kërkuar mëshirë, pse jo dhe nga Shteti, pa harruar se edhe vetë ka jo pak përgjegjësi. Mjaftojmë të shikojmë interesin tonë, apo të përfitojmë sa të mundim, pavarësisht se çfarë do të ndodhë nesër me: Varrezat e makinave, tabelat e reklamave, hedhjen e çdo lloj mbeturine vend pa vend etj. Kemi plot njëzet e shtatë vjet që qeverisja nuk merr masa për përballimin e fenomeneve të natyrës, por nxit, stimulon dhe mbështet me sa të mundë fenomenet e natyrës me: Mos ndërhyrjet, mos veprimet, lejet e ndërtimit, lejet e shfrytëzimit, dhe së fundi me legalizimit. Jo që tjetërsojmë, shkatërrojmë, por mbi të gjitha duhet që edhe taksat t’i vëmë në dispozicion të këtij fenomeni. Nuk mund t’ia lësh natyrës dhe ligjeve të saj fajin, kur ti, si qytetar, apo si institucion privat apo shtetëror, e di shumë mirë se ku duhet hedhur qoftë edhe një qese plazmasi, se duhet pastruar kanali, se nuk duhet bllokuar rrjedha e ujit etj. Si gjykoni, nëse ti i zë grykën rrjedhjes së ujit, ku do shkojë ajo? Do iki drejt Dajtit! Kur të dhënat, parametrat tregojnë se lartësia e një përroi apo lumi shkon “X” metra, ti pse e ndërton “Y” metra urën, apo mbi kalimin. Në duhet t’i përshtatemi ne natyrës, apo natyra neve? Ku shkojnë tonelata mbetje skrapi, tonelata mbetje urbane, tonelata mbetjesh të tjera? Imagjinoni që vetëm në Tiranë qarkullojnë minimumi 1 milionë banorë në ditë, sikur një letër apo një qese të mos e hedhim në vendin e duhur, çfarë do i sjellim natyrës dhe ligjeve të saj!? Një përgjegjësi e madhe e Shtetit dhe Qeverisë ka të bëjë me institucionin e emergjencave civile, i cili është si mos më keq, duke filluar që nga arsyeja, ideja, objekti, qëllimi, motivi, se përse duhet të jetë ky institucion, pastaj me buxhetin, logjistikën dhe burimet njerëzore. Ky institucion nuk duhet të merret thjesht se do bjerë apo s’do bien tërmet dhe shi, sa milimetra ra vjet dhe sa sivjet. Ai duhet të këtë një studim të mirëfilltë mbi to, të ketë një bazë të dhënash, mbi të cilat të marrë masat për nevojat emergjente, që do kenë qytetarët dhe institucionet, që cilat nga fenomene të tilla. Nuk duhet të mjaftohet vetëm me kontributin dhe rolin e Ushtrisë dhe Policisë, pasi vetëm këto institucione në raste të tilla kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë maksimumin Ekzistencën sa për statistika e institucionit të Emergjencave Civile, i cili sillet në raste të tilla jo si institucion që jep zgjidhje dhe përballim të situatës, por katandiset si ai që mban fjalime në rast ceremonish mortore. Një rol të madh duhet të marrë sjellja dhe veprimi i të gjithë qytetarëve me pronën e tyre, privatë apo biznes, në përputhje me ligjet dhe rregullat e natyrës. Dhe kur të ndodhë fatkeqësia, kujtohemi dhe duhet shpresuar të shteti, duke u ankuar apo duke kërkuar kompensim. Nuk dua të shmang përgjegjësinë dhe detyrimin e shtetit apo të qeverisë, por dhe vetë përgjegjësinë që ka qytetari me sjelljen ndaj pronës apo biznesit. Shpenzon miliona lekë për ndërtimin, apo zhvillimin e pronës, biznesit dhe nuk e siguron atë ndaj fatkeqësive natyrore. Ndaj mbështes çdo nisëm apo ligj, që çdo pronë duhet të jetë e siguruar, deri sa të instalohet kultura qytetare dhe ajo e biznesit për këtë drejtim, me pa tjetër duhet bërë edhe me ligj të detyrueshme. 

Një tjetër shqetësim që ia vlen të trajtojmë është menaxhimi dhe miradministrimi i pushtetit vendor, nga krerët e bashkive dhe administratorët e ish komunave apo minibashkive, në lidhje me këto situata, pasi në realitet këta zotërinj apo zonja, lënë shumë për të dëshiruar. Ata dinë të ngenë vetëm supet dhe të mbledhin turinjtë për situata të tilla, mjaftohen duke duartrokitur ose duke pohuar me kokë, ëhë ëhë, çdo fjalë të kryeministrit, duke harruar përgjegjësin e tyre. Qeveria, Kryeministri duhet t’i vërë më shpatulla pas muri këta zotërinj, të cilët e konceptojnë detyrën e tyre vetëm duke i vënë përpara faturën për dëmshpërblimet që duhet të paguajë Qeveria, pasi për veten e tyre, nuk u hyn as edhe një gjemb në këmbë. Përfundimisht, gjykoj se, nuk na ka përmbytur natyra me rregullat, kapriçiot apo ligjet e saj, por jemi vetëpërmbytur, me sjelljen, veprimet, abuzimet, dhe me mos respektimin e zbatimin e ligjeve, si qytetarë apo si Shtet. 
Sigal