Myqerem Tafaj/ Papërgjegjshmëri qeveritare me arsimin profesional të të rinjve

617
Ish-ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka denoncuar kategorizimin që po i bëhet nxënësve në shkollën e mesme profesionale në Kamëz, duke iu mohuar të drejtën e marrjes së profesionit, atyre me mesatare të ulët. Kjo, sipas ish-ministrit Tafaj është në kundërshtim të hapur me ligjin ekzistues. “Qeveria po godet Shkollën e Mesme Profesionale Kamëz dhe po vret shpresën e fëmijëve të kësaj zone për shkollim profesional. Miq, po shpërndaj një njoftim të Shkollës së Mesme Profesionale Kamëz për pranimet e nxënësve, për të treguar një veprim tërësisht arbitrar dhe arrogant të kësaj qeverie për kufizimin flagrant të së drejtës së nxënësve, për të vijuar arsimin e mesëm profesional. Ligji në fuqi nuk parashikon një kufizim të tillë absurd.

 Përse paskan të drejtë vetëm nxënësit që kanë notë mesatare mbi 8 të ndjekin degën e teknologjisë së informacionit apo të shërbimit social, ndërkohë që ato janë ndër profesionet më të kërkuara në tregun e punës? Po nxënësit 15-vjeçarë me notë më të ulët nuk paskan të drejtë të mësojnë një profesion, për t‘u punësuar dhe për të jetuar më mirë”, thotë Tafaj. Myqerem Tafaj e konsideroi papërgjegjshmëri të skajshme vënien e kritereve të tilla. “Kjo është arrogancë dhe papërgjegjshmëri e skajshme e kësaj qeverie. Kritere të tilla kufizuese për pranimet në arsimin profesional tregon se, premtimet e kësaj qeverie për nxitjen e të rinjve të ndjekin arsimin profesional janë thjesht mashtrime për qytetarët. Kjo vërtetohet edhe nga një vendim tjetër arrogant dhe keqdashës, i kësaj qeverie për të mbyllur shumë degë të kërkuara nga tregu i punës si sekretari-administrim zyre, hoteleri- turizëm, ekonomi, etj., në këtë shkollë, e cila është, aktualisht, shkolla më e madhe profesionale në vendin tonë dhe ndër më të kërkuarat nga nxënësit e Kamzës, Paskuqanit, Vorës, Kasharit, Fushë-Krujës, Dajtit dhe disa fshatrave të Tiranës, pra nga një zonë me popullsi rreth 200 mijë banorë”. 

Tafaj sjell në vëmendje në postimin e tij se “Kjo shkollë ishte drejt mbylljes dhe kishte vetëm rreth 200 nxënës në 2005. Mbështetja e fuqishme nga qeveria në bashkëpunim me partnerët e huaj, bëri që shkolla të kishte rreth 1300 nxënës në vitin shkollor 2012-2013. Kujtoj këtu, që kjo është e para shkollë e mesme profesionale, së cilës i është miratuar nga Qeveria Berisha, në 2013, edhe statusi e Qendrës Shumë-funksionale të Arsimit dhe Formimit Profesional. Kush është i interesuar të dobësohet kjo shkollë? Përse u kufizohet qindra vajzave dhe djemve 15-vjeçarë të kësaj zone, e drejta themelore kushtetuese për shkollim të mesëm profesional? Mos vallë kjo qeveri i konsideron fëmijët e kësaj zone si qytetarë të dorës së dytë dhe u kufizon atyre të drejtën e shkollimit të mesëm”? Tafaj i bën thirrje Bordit dhe Këshillit të Mësuesve të kësaj shkolle të kundërshtojnë zbatimin e këtyre vendimeve diskriminuese dhe shkatërruese për këtë shkollë dhe të mbrojnë me vendosmëri interesat e nxënësve, që kërkojnë të regjistrohen në këtë shkollë.
Sigal