Mustafa KOCERRI/ Vlora, djep i trimërisë e simbol i lirisë në 70- vjetorin e çlirimit

647
Sigal

 

 Në beteja ndër vite dhanë jetën për liri qindra heronj e dëshmorë nga Labëria

Vlora, e bukura e Mesdheut, e vendosur në një pozicion gjeografik të shkëlqyer, rrëzë malit të Shashicës dhe poshtë kalasë së Kaninës, Qafës së Koçiut dhe asaj të Topit, shtrihet deri në afërsi të lagunës së Nartës dhe vijës bregdetare, nga Triporti deri në Ujin e Ftohtë, me një bukuri të rrallë e klimë të veçantë bregdetare dhe malore si i gjithë bregdeti i Jugut, që në kohët më të lashta ka qenë lakmi e pushtuesve të huaj. Natyra i ka dhënë midis të tjerave një mbrojtje të sigurt me gadishullin e Karaburunit dhe ishullin e Sazanit, me kodrat në afërsi dhe malet e lartë më në thellësi. Banorët e saj e kanë parë si të shenjtë qytetin dhe vendin e tyre dhe kanë luftuar për ta mbrojtur apo çliruar atë duke mos marr parasysh çmimin që kanë paguar me jetët dhe sakrificat e tyre.

Midis shumë luftërave do të përmendja atë të vitit 1920 dhe luftën NCL. Në vitin 1914 Italia pushton qytetin e Vlorës dhe fshatrat përreth saj. Në kohën që populli i Vlorës po vërente se qeveria e re e Tiranës e asaj kohe me në krye Sulejman Delvinën nuk po interesohen dhe nuk po bënte gjë për dëbimin e okupatorit i bëri vet ultimatum Italisë për largimin e saj. Kështu më 29 maj 1920 kapedanët e çetave të fshatrave me iniciativën e tyre,të shtytur nga ndjenjat patriotike,u mblodhën në vendin e quajtur Barcalla dhe formuan Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare me në krye Osman Haxhiun, nipin e patriotit dhe babait të kombit shqiptar, Ismail Qemalit. Lufta kundër okupatorit filloi më 6 qershor 1920. Por Vlora nuk ishte simboli i lirisë vetëm i vlonjatëve por i gjithë shqiptarëve, ndaj në këtë luftë morën pjesë dhe luftuan krah për krah popullit të Vlorës edhe luftëtar të ardhur nga rrethe të tjera si Fieri, Tepelena, Tirana, Gjirokastra, Berati, Shkodra, Durrësi etj.  Në saj të kësaj lufte të drejtë dhe plot heroizëm, më 3 shtator 1920, Italia kapitulloi dhe qyteti i Vlorës dhe fshatrave për rreth u çliruan. Ja si i ka përshkruar në vargje populli heroizmin dhe luftën e asaj kohe.

…Bëhet dyfek në Vlorë/

Shqiptarët po luftojnë/

Me një mbret 40 milionë/

Po me çfarë luftojnë vallë/

Me sëpata e me hanxharë….

Midis shumë të vrarëve në këtë luftë po përmend disa: Selam Musai nga Salarie e Tepelenës, Kanan Mazen nga Shkoza e Sevasterit, Sado Koshena nga Dukati, Sali Muratin nga Vranishti etj.. Pas 19 vitesh nga lufta e vitit 20 Shqipëria pushtohet përsëri nga Italia më 7 prill 1939. Por tashmë shqiptarët kishin fituar përvojë dhe për përballimin e situatës së krijuar filluan dhe u organizuan deri në krijimin e ushtrisë NCL. Vlora me ndjenjat e larta atdhetare që e karakterizojnë u përfshi shumë shpejtë në lëvizjen antifashiste për çlirimin e Shqipërisë, me një pjesëmarrje të gjerë të burrave,grave të rinjve,deri edhe fëmijët e shkollave. Në këtë kohë në rrethin e Vlorës janë krijuar dhe kanë zhvilluar aktivitet luftarak  ç eta,si  Çetat Ismail Qemali, Halim Xhelo, Kanan Maze, Zigur Lelo, Hodo Zeqiri, Halim Rakipi, Sali Vranishti, Çeta e Rinisë, Çeta Bashkimi, Çeta e Myzeqesë, Çeta e Bregut, si dhe shumë çeta të tjera që vepronin në bazë fshati… Zgjerimi i mëtejshëm i organizimit të veprimeve për çlirimin e vendit diktonte nevojën e krijimit të formacioneve më të mëdha luftarake. Kështu më 20 janar në Bramyshnje të Tërbaçit përurohet Brigada e 5 S. Por partizanët vlonjatë nuk do ti gjeje vetëm në Brigadën e 5 S, por edhe në disa brigade të tjera si në të 2, 6, 12, 22 etj.. Një qendër e rëndësishme e aktivitetit revolucionar e patriotik në qytetin e Vlorës, në periudhën e Luftës NCL ka qenë Shkolla Tregtare e krijuar më 28 nëntor 1924 në kohën e qeverisë demokratike të Fan Nolit. Nxënësit e saj jo vetëm kanë qenë pjesëmarrës por edhe iniciatorë e organizatorë për organizimin e shumë protestave, aksioneve dhe demonstratave në qytetin e Vlorës dhe në rrethe të tjera. Nga kjo shkollë janë radhitur 229 nxënës në radhët e ushtrisë NCL, dhe disa prej tyre janë dëshmor të Atdheut. Nga dokumente historike del se nga popullsia e këtij rrethi kanë marrë pjesë  6971 partizan dhe kanë dhënë jetën për çlirimin e Atdheut 1240 dëshmor, prej tyre 20 kanë titullin e lartë të Heroit të Popullit. Përveç një numri të madh dëshmorësh nga qyteti i Vlorës edhe shumë fshatra si Kuçi, Vranishti, Tërbaçi, Bolena, Ramica, Tragjasi, Bolena, Brataj, Vermiku, Sevasteri, Vajza etj., kanë një numër të madh të tyre. Vlora ka dhënë një kontribut të madh në Luftën NCL dhe si e tillë nuk ka fshat pa dëshmorë. Midis shumë dëshmorëve do të përmend atë të vrasjes së katër të rinjve komunist Hajredin Bylyshi, Mumin Selami, Bajram Tushi dhe Hiqmet Buzi djaloshi i vogël 15- vjeçar. Ishte ideali i tyre, ai i çlirimit të Atdheut, që bëri katër të rinjtë të bashkoheshin me njëri -tjetrin dhe të shtonin çdo ditë aktivitetin e tyre revolucionar dhe natën e 16 tetorit të vitit 1942 u rrethuan nga spiunët dhe fashistët Italian dhe ranë heroikisht në lagjen Topana të Vlorës. Kjo përbën një nga betejat më të lavdishme të lëvizjes dhe të ushtrisë tonë NCL, pasi të 4 të rënët janë shpallur Heronj të Popullit. Por jo vetëm në qytetin e tyre djemtë dhe vajzat vlonjate luftuan me heroizëm e trimëri. Edhe në vendet e tjera ku ata shkelën për çlirimin e Shqipërisë deri në skajin më verior ata do të dalloheshin midis të tjerëve, kanë qenë në ballë të partizanëve dhe si komunist nuk kanë  kursyer as jetën e tyre. Më poshtë po përmend disa prej Heronjve të Popullit: -Perlat Rexhepi, djali nga Vajza e Vlorës, nga një fshat me tradita të hershme patriotike e atdhetare u vra në qytetin e Shkodrës. Këtij djali të Labërisë vargjet e kushtuara e përshkruajnë shumë bukur figurën e këtij heroi. Hajde toska i vogël/ Tunde male e kodër/ Binde mbar një Shkodër/ Oso Kukë tamam. – Zonja Curre, trimëresha e Tragjasit, nga një fshat që është dalluar vazhdimisht në rrethin e Vlorës, për kontributin e veçantë që kanë dhënë në shërbim të Atdheut. Ajo u vra duke luftuar heroikisht në afërsi të Klosit të Matit. Lapidarin e ngritur në faqe të malit të gjelbër e kam parë shpesh para shumë vitesh, dhe dëshirojë që të jetë edhe sot. – Hysen Cino, nga Vranishi, fshati që ka nxjerr burra të zot, luftëtar e njerëz të ditur, është vrarë më 22 shtator 1944 në Kolosian të Kukësit, për çlirimin e vëllezërve dhe motrave kuksiane. Në këtë epope të lavdishme të popullit shqiptar, në rrethin e Vlorës janë zhvilluar shumë luftime por shkurtimisht do të përmendja atë të Luftës së Drashovicës dhe çlirimit të qytetit. Sulmi i forcave partizane kundër atyre gjermane të vendosura në Drashovicë ka filluar më 14 shtator 1943, ka zgjatur 3 javë dhe ka hyrë në histori si Lufta e Drashovicës. Forcat partizane që morën pjesë në këtë luftë drejtoheshin nga luftëtari i vendosur, biri i denjë i Labërisë, Hysni Kapo. Humbjet e gjermanëve kanë qenë të mëdha, afro 300 të vrarë, janë çliruar disa mijë Italian që mbaheshin robër, si dhe janë kapur shumë materiale, armatim e municione luftarake. Edhe nga forcat tona në këtë luftë janë vrarë 20 partizanë dhe plagosur disa, midis tyre edhe Hysni Kapo, Arif Hasko, Mevlan Dervishi etj. Detyra për çlirimin e qytetit të Vlorës, Shtabi I Ushtrisë NCL ja caktoi Brigadës së 12 S. Forcat partizane pasi kishin çliruar disa fshatra në afërsi të Vlorës nga forcat gjermane, pas disa dit luftimesh në qytet e detyruan atë të tërhiqej dhe të çlirohej më 15 tetor 1944. Por në planet e Ushtrisë shqiptarë nuk ishte vetëm çlirimi i Vlorës por edhe i ishullit të Sazanit. Kështu një grup partizanësh më 21 tetor me një anije ju drejtuan ishullit të Sazanit për ta çliruar. Të 12 gjermanët që ndodheshin atje pa bërë rezistencë u dorëzuan vet, duke u çliruar kështu edhe ishulli i Sazanit i cili ishte i pushtuar  qysh në vitin 1914 nga italianët.

 Por Vlora ky qytet me një ndjeshmëri të lartë atdhetare, qyteti ku patriotët shqiptar me në krye Ismail Qemalin ngritën flamurin dhe u shpall pavarësia, me njerëz që kanë sakrifikuar dhe kanë dhënë për të mirën e këtij vendi, me detin dhe bregdetin e bukur e piktoresk, me vende turistike e të tjera të mira që ajo ka,nuk është ajo që duhet të jetë. Në brendësi të qytetit ka rrugë që janë në një gjendje të keqe për vite të tëra, me një linjë autobusi Uji i Ftohtë-Qendër që po të udhëtosh me ‘të, të duket vetia sikur ke hipur në breshkë dhe jo në autobus urban,ajo ka papunësi dhe ku ka papunësi ka fukarallëk e të tjera të këqija, autostrada ka shkuar deri në hyrje të qytetit, duke vështirësuar trafikun në mënyrë të veçantë në sezon plazhi e të tjetra probleme. Vlorës dhe krahinës së Lumit të Vlorës is është premtuar shumë, por që të bëhen realitet premtimet e dhëna duhet shumë punë si nga pushteti qendror po kështu edhe ai lokal.