Mustafa Kocerri/ Është në nderin e kësaj qeverie që monumentin e Ismail Qemalit ta vendosë në vendin e duhur

597
Sigal

Nuk është e drejtë vendosja e monumentit të ish- mbretit Zog në krye të bulevardit dhe busti i Babait të Kombit, Ismail Qemalit, në anë të lulishtes, pranë një gardhi

 Nëse do të shohësh me kujdes vendosjen e monumenteve në bulevardin e gjatë nga universiteti deri te ish- stacioni i trenit midis tyre, bie në sy vendosja me rastin e 100- vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, e monumentit të ish- mbretit Zog në krye të këtij bulevardi,duke bërë investime, sado të vogla, për vendosjen e tij. Afër fundit të këtij bulevardi, sa kalon Kuvendin  e Shqipërisë në anë të lulishtes dhe pranë një gardhi me kangjella, në këtë 100- vjetor, u mor nga Muzeu Kombëtar dhe u vendos edhe busti i patriotit të madh ose Babait të Kombit siç është cilësuar, ai i Ismail Qemalit. Por, a shkon që monumenti i Ahmet Zogut të vendoset në një vend të tillë të dukshëm dhe ai i Ismail Qemalit në një anë lulishteje? Për të arritur në një mendim sa më të saktë, le të përmendim disa momente të jetës dhe aktivitetit të secilit prej tyre. Ahmet Zogu në funksionin e tij të ushtruar ka ndikuar dhe kontribuar në forcimin e shtetit shqiptar dhe në edukimin e ushtrisë të asaj kohe me traditat kombëtare. Në gusht të vitit 1924, ai së bashku me Kryeministrin serb, Pashiç, ka nënshkruar një marrëveshje me disa pika në dëm të Shqipërisë, një akt i lart tradhtie ky, i bërë prej tij. Pas 6 muajsh arratisjeje në Jugosllavi ai kthehet në Shqipëri i shoqëruar nga repartet e ushtrisë serbe dhe mercenarëve rusë të bardhë. Për shtypjen e kryengritjes së zhvilluar në Fier në vitin 1935,qeveria e Zogut nxori para gjyqit shumë persona, dënoi 11 xhandarë me vdekje, ndërsa nga popullsia civile u dënuan 42 vetë me vdekje dhe 160 të tjerë me burgim të përjetshëm.

     Në vitin 1937 në qytetin e Delvinës, për pakënaqësitë që kishte ndaj qeverisë së Zogut shpërtheu një kryengritje, ku edhe për këtë ai ngriti një gjykatë të posaçme dhe dënoi organizatorët dhe përkrahës të saj. U dënuan me vdekje 4 vetë si dhe shumë të tjerë me burgim të përjetshëm ose me shumë vite. Gjatë kohës që ai ka shërbyer si mbret ka vrarë disa patriotë, si: Bajram Currin, Riza Cerovën, Luigj Gurakuqin, Avni Rustemin etj.. Ka shitur pjesë të territorit të Shqipërisë, si: Shën Naumin dhe një pjesë të Vermoshit. Më 7 prill 1939 vodhi floririn e Shqipërisë dhe u largua duke e lënë vendin në mëshirë të fatit e nën pushtimin e Italisë fashiste. Me pak fjalë ai është një njeri hajdut dhe tradhtar i kombit shqiptar.

      Ndërsa  Ismail Qemali ka qenë debutet në Parlamentin Turk. Nisur nga mendimet e tij dhe planet që kishte në kokë për atdheun e tij, ai nuk pranoi ofiqe e poste të larta në Perandorinë Osmane, por u largua andej dhe në bashkëpunim me patriotë të tjerë shqiptarë dhe me mbështetjen e disa shteteve të tjera,më 28 nëntor 1912 ngriti flamurin në qytetin e Vlorës. Megjithëse, ai vinte nga një familje e pasur,ai e shkriu pasurinë e tij me ecejaket nëpër disa shtete të Evropës si para dhe pas ngritjes së flamurit për njohjen e shtetit të ri të Shqipërisë dhe shkëputjen e tij nga pushtimi 500-vjeçar otoman. Ai arriti deri atje kur largohet nga Shqipëria sa të mos kishte të ardhura fare për familjen dhe veten e tij, por të ndihmohej nga shqiptarë që banonin jashtë vendit. Pra, Ismail Qemali qëndron shumë lart,shumë më lart se Mbreti Zog, shumë më lartë se ai bust i vogël i vënë qëllimisht në një vend të papërshtatshëm. Mosvlerësimi dhe vendosja e bustit të tij në një vend të tillë, është në vazhdën e shumë gjërave të këqija dhe jo të mira që bënë për këtë vend qeveritarët, të cilët u ndëshkuan rëndë me votën e lirë më 23 Qershor të këtij viti.

     Shpreh mendimin se është detyrë dhe në nderin e kësaj qeverie, e cila i ka dhënë shpresë këtij vendi dhe që po ndiqet me vëmendje për hapat që po hedh në ditët e para të saj, midis shumë halleve dhe problemeve që ka, të shikojë dhe vendosë në vendin dhe përmasat e duhura monumentin (jo bustin që është sot) të Ismail Qemalit, duke marrë më parë mendimin e historianëve, arkitektëve, urbanistëve e të tjerë njerëz të shquar që ka ky vend.