Mumiet e gjalla të Piramidës politike shqiptare

815
Edmond SHALLVARI
Për gjysmë shekulli Faraonit shqiptar Enver Hoxha iu ndërtua me punë vullnetare, brohoritje e duartrokitje shqiptarësh, Piramida për jetën e përtejme. Qysh në themelet e saj filloi murosja e parë e projektuesve dhe ndërtuesve, për të vazhduar më tej me murosjen e gjallë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, kur në qendër të Piramidës u vu mumia e Faraonit. Një ditë të murosurit u ringjallën dhe për inat të kusureve që kishin hequr në të gjallë, por sidomos kur u bindën që mumia nuk u ringjall bashkë me ta, iu sulën të tërbuar Piramidës. Bashkë me ta u shfaqën po aq të tërbuar edhe Faraonët e Rinj Pardesybardhë. Piramida duhej prishur që nga themelet, për të ndërtuar nga e para, sipas ëndrrave, dëshirave dhe shpresave të të ringjallurve, të ardhmen e vërtetë të tyre. Pardesybardhët, ndryshe nga Faraoni i mumifikuarr, shpallën për herë të parë lirinë e fjalës dhe të veprës për çdo njeri. Të gjithë ishin të lirë ta bënin të zhbërën apo ta zhbënin të bërën e mëparshme. Dhe kështu filloi e vazhdoi e bëra dhe e zhbëra shqiptare, kur një ditë Shqipëria dhe shqiptarët u gdhinë dhe panë të habitur, jo një, as dy e tre, por disa Piramida. Habia u bë më e habitshme, kur në muret dhe brenda Piramidave, e panë veten e tyre të murosur të gjallë, ashtu si dikur në Piramidën e Faraonit. Edhe pse i ishin rikthyer me aq zell besimit fetar të ndaluar më parë, nuk mund të shpjegonin dot as përmes thagmave të Zotit, ngritjen, sa hap e mbyll sytë, të Piramidave të reja. Çdo Piramidë kishte në majë flamurin e saj të veçantë. Dhe, ku ka një Piramidë, sigurisht që ekziston dhe një Faraon. Dhe, ku ka një Faraon, sigurisht që ekziston dhe një popull. Si të ngritur nga gjumi letargjik, banorët e çorientuar mezi po e merrnin veten, por edhe kur e morën veten, enigma e shfaqjes aq shpejt të Piramidave dhe Faraonëve të Rinj, mbeti përsëri enigmë. E reja e realitetit të ri piramidal, ishte vetëm se populli nuk ishte me një Faraon, por i ndarë në disa popuj, apo siç po i quanin disa me tjetër gjuhe, turma, ku çdo njëra prej tyre kishte Piramidën dhe Faraonin e vet. Liria ishte kaq e madhe dhe me tepricë, sa lejonte sipas dëshirës çdo turmë të zgjidhte Piramidën dhe Faraonin më të pëlqyeshëm. Liri të tillë nuk kishte jetuar ky popull asaj kohe kur ishte vetëm një popull i vetëm, me një Piramidë e Faraon të vetëm. E vetmja gjë e detyruar brenda kësaj lirie, ishte që Faraonët e rinj duhej të dilnin nga radhët e Pardesybardhëve. Për popujt e popullit shqiptar apo më saktë, për turmat shqiptare, ky detyrim brenda lirisë apo kjo liri e detyruar, përbënte gjithsesi një nga fitoret e mëdha të demokracisë, e cila ishte e papajtueshme me diktaturën e dikurshme të një Faraoni. Një mbrëmje u dha një lajm sensacional në gjithë kanalet televizive të Piramidave shqiptare. Mumia e Faraonit të Parë shqiptar ishte zhdukur. Kishte lloj-lloj zërash, dyshimesh, parashikimesh, nga më naivet, absurdet, deri në më të tmerrshmet, që i lanë njerëzit pa gjumë.

Dikush thoshte se e kishte parë mumien tek hynte e dilte, sa nga njëra, në tjetrën Piramidë. Një tjetër thoshte që mumia ishte shumëfishuar në numër të njëjtë me Faraonët e Rinj dhe kishte hyrë brenda qenies së tyre.

Gjithsesi jeta vazhdoi e vazhdon, edhe pas këtij lajmi, falë përvojës së madhe të popullit dhe Faraonëve të Vjetër e të Rinj, në ndërtime+murosje, shkatërrime+çmurosje e rindërtime+rimurosje piramidash e njerëzish, në ngritje, rrëzime e ringritje Faraonësh. Ndërkohë mumia e zhdukur vazhdon të qeshë e fërkojë duart, përmes buzëve dhe duarve të mumjeve të gjalla, të Faraonëve Pardesybardhë.
Sigal