Muharrem XHAFA Sekretari i Parë i KQ të PPSH / 8 Nëntori, një ditë e paharruar

348

Me rastin e 71-vjetorit të krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare dhe 95-vjetorit të Revolucionit të Madh Socialist të Tetorit

Sot është 8 nëntor 2012. Si sot 71 vjet më parë, me 8 nëntor 1941, komunistët shqiptarë me Enver Hoxhën në krye themeluan Partinë Komuniste të Shqipërisë (PKSH). Se bashku me festën e Partisë, komunistët dhe patriotët shqiptarët nderojnë me respekt të thellë 95 vjetorin e fitores së Revolucionit të Madh Socialist të Tetorit të udhëhequr nga V. I. Lenini. Partia Komuniste e Shqipërisë lindi dhe u zhvillua mbi bazën e lëvizjes komuniste në Shqipëri, kur vendi ynë ndodhej nën pushtimin e Italisë fashiste dhe kur forcat  kolaboracioniste brenda vendit në mbështetje të tij përbënin një rrezik të madh. Dalja e PKSH në jetën shoqërore e politike të vendit ishte domosdoshmëri historike, një vepër e shquar e komunistëve shqiptarë, një pasuri kombëtare në shërbim të atdheut, të popullit dhe socializmit. Në Kongresin e parë të saj (nëntor 1948), PKSH mori emrin  Partia e Punës e Shqipërisë (PPSH). Jeta dhe vepra e PPSH (PKSH)  përbëjnë një periudhë dhe vlerë të shkëlqyer të historisë e të jetës së popullit shqiptar dhe për to gjithkush duhet të ndjehet krenar në kuptimin më të plotë të kësaj fjale. E udhëhequr nga Enver Hoxha PPSH (PKSH) ka përshkuar një rrugë të lavdishme dhe i ka plotësuar me nder detyrat historike të programit të saj. Partia Komuniste (e Punës) organizoi e udhëhoqi LANÇ-in e revolucionin popullor, çliroi Atdheun nga pushtuesit e huaj dhe vendosi pushtetin e popullit, rindërtoi vendin e shkatërruar nga lufta dhe siguroi zhvillimin e pandërprerë të revolucionit në rrugën e socializmit, realizoi ndryshime e transformime të thella revolucionare në bazë e në superstrukturë, e shndërroi vendin në një vend socialist të pavarur e përparuar me ekonomi e mbrojtje të fuqishme, me arsim e kulturë të zhvilluar, realizoi ndryshime të mëdha në edukimin dhe në formimin e ndërgjegjes socialiste të një populli të tërë. Ndonëse nuk ka një shtrirje të gjatë në kohë, krahasuar me historinë shekullore të vendit tonë, historia e PPSH (PKSH) është pjesë e pandarë e historisë së Shqipërisë për gati 50 vjet në pushtet. Pa historinë e PPSH (PKSH), historia e Shqipërisë do të ishte e paplotë, sikurse dhe historia e popullit shqiptar i jep shkëlqim e nder historisë së PPSH (PKSH). Sa herë afrohet 8 nëntori, boritë e borgjezisë buçasin mëfortkundërPPSH (PKSH) dhe Enver Hoxhës. Në fakt asgjë nuk ka mbetur në dy dekadat e fundit të sundimit të borgjezisë pa u përfolur e pa u bërë kundër PPSH (PKSH) dhe Enver Hoxhës. Si në asnjë vend tjetër të botës, shteti borgjez dhe partitë e tij i janë vërsulur si egërsirat presë së vet së kaluarës socialiste, Enver Hoxhës e veprës së tij, duke publikuar e shkruar gjëra të marra enkas në mënyrë selektive e abuzive nga arkivat e kohës, krejt të cunguara e të shtrembëruara dhe pa asnjë vlerë e dobi për popullin, që i jepen atij për sensacion dhe me synimin për t’i spostuar vëmendjen nga plagët e sotme të shoqërisë borgjeze e për t’u mbushur mendjen njerëzve, sidomos rinisë, me shpifje se ai sistem është i keq, se ai shtet është i keq, se Enver Hoxha e Partia e Punës kanë bërë vetëm keq dhe asgjë të mirë për popullin e vendin e vet?! Vepra e PPSH dhe Enver Hoxhës rron dhe merr përditë vlera të reja, ajo i ka rrënjët thellë në popullin dhe në tokën shqiptare. Shteti shqiptar lodhet kot me sulmet dhe me heshtjen e tij vrastare për të fshirë nga memoria e kombit shqiptar 50 vjet socializëm, gjysmën e historisë 100 vjeçare të pavarësisë së Shqipërisë, vetëm sepse kjo i përket epokës së socializmit të udhëhequr nga Enver Hoxha. Një turp i madh, po Dielli nuk mbulohet me shoshë. Populli shqiptar e di mirë se pavarësia e vërtetë e Shqipërisë është arritur me fitoren e LANÇ-it mbi pushtuesit nazifashistë dhe se pavarësia reale jetohet vetëm në liri. Personaliteti i shquar i Enver Hoxhës ngrihet madhështor në 100 vjetorin e pavarësisë së Atdheut tonë të dashur përkrah Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Enver Hoxha është udhëheqësi që i ka dhënë më shumë se kushdo tjetër pavarësisë dhe lirisë së Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. Dhe dekadat që udhëhoqi vendin Enver Hoxha nuk kanë e nuk do të kenë shoqe. Jo rastësisht, kjo kohë është thirrur dhe thirret nga populli si “koha e Enverit”. Të ecësh në rrugën e tij është obligim dhe një nder i madh për çdo shqiptar. Njerëzit e thjeshtë thonë : Ku ishte e sa lart ishte Shqipëria socialiste! Ku ishte e sa poshtë ka rënë ajo sot nën sundimin e borgjezisë e kapitalizmit! Shqipëria e Enver Hoxhës, me gjithë presionet e egra, me gjithë bllokadat antinjerëzore të imperializmit e social-imperializmit, me gjithë hallet e shumta që përjetoi, kurrë nuk u bë vendi i plehrave të botës, kurrë nuk i shiti lirinë e pavarësinë, kufijtë e Atdheut tonë të shtrenjtë. Sot është e nevojshme më tepër se kurdoherë tjetër që jo vetëm komunistët, por edhe njerëzit e tjerë të popullit, të njohin, të vlerësojnë dhe të mbështesin historinë e veprën e lavdishme të PPSH-së (PKSH) dhe të Enver Hoxhës. Se shoqëria kapitaliste nuk ka të ardhme, e ardhmja i përket komunizmit, rendit të progresit ekonomik e shoqëror të mbarë njerëzimit.