Muharrem XHAFA*/ Një datë e shquar historike, që i dha fund monarkisë në Shqipëri!

129

Si sot 69 vjet më parë, më 11 Janar 1946, është shpallur Republika Popullore e Shqipërisë. Çfarë përfaqëson 11 Janari 1946 në historinë e popullit shqiptar? 11 Janari është festa e Republikës, është dita e shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë. Më 11 janar 1946, Asambleja Kushtetuese e Shqipërisë e dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, duke shprehur vullnetin e popullit sovran të sapo çliruar nga pushtuesit nazifashistë dhe te sapo futur ne rrugën e socializmit, e shpalli Shqipërinë Republikë Popullore. Ky është emri, emërtimi i shtetit të ri demokratik shqiptar pas fitores se Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe vendosjes së pushtetit popullor. Ky emërtim, Republika Popullore e Shqipërisë, u ruajt deri kur, me miratimin e Kushtetutës së re nga Kuvendi Popullor, më 28 dhjetor 1976, u ndryshua nga Republika Popullore e Shqipërisë në Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Përse u bë ky ndryshim? Më së pari, duhet të kuptohet se ndryshimi i emërtimit të shtetit shqiptar, më 28 dhjetor 1976, nuk e preku formën e regjimit politik të vendit. Ndryshimi u bë sepse e kërkonin kushtet e reja ekonomike, politike dhe shoqërore, që kalonte shoqëria shqiptare dhe sepse emërtimi i ri, Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, pasqyronte më saktë e më plotë përmbajtjen e shtetit socialist shqiptar dhe përparimin e madh që vendi ynë kishte bërë në vendosjen dhe ndërtimin e marrëdhënieve socialiste në prodhim gjatë 30 vjetëve, që nga miratimi i Kushtetutës së parë të Republikës Popullore të Shqipërisë, më 14 mars 1946. Siç vihet re, në emërtimin e ri, Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, u mbajt, u ruajt termi ”popullore”, për arsye se kështu shprehej më mirë baza e gjerë shoqërore e shtetit të demokracisë popullore në Shqipëri, e cila ka qenë gjithmonë një nga tiparet dalluese të tij. Po kështu, u ruajt, u mbajt edhe një element i traditës së krijuar dhe i vendit të denjë që kishte zënë, sidomos në arenën ndërkombëtare, Republika Popullore e Shqipërisë. Njerëzit e brezit të ri, që nuk e njohin të kaluarën socialiste të vendit të vet, shpesh pyesin jo vetëm se çfarë është 11 Janari 1946, po edhe a ishte kjo feste zyrtare në vitet e pushtetit popullor dhe përse nuk është sot e tillë, ditë feste? Një herë duhet thënë se, pa dyshim, ishte ditë feste zyrtare, ishte festa e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe duke filluar nga 28 dhjetori 1976, festa e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Kjo festë në vitet e socializmit festohej thjeshtë dhe bukur çdo vit. Emrin e ”11 Janari”-it e mbanin rrugë, sheshe, shkolla, kinema, kopshte e çerdhe fëmijësh, parqe, lagje të qyteteve, institucione shtetërore. Në forma të ndryshme, festa e Republikës nderohet e përkujtohet dhe sot nga Partia e Punës e Shqipërisë dhe komunistët shqiptarë, si edhe nga masat e thjeshta të popullit. Ndryshe ndodh me shtetin dhe me partitë politike të borgjezisë, që, që prej vendosjes së kapitalizmit në Shqipëri, për turpin e tyre, 11 Janarin nuk nderojnë dhe nuk festojnë më, madje, përkundrazi, ky emër i madh është hequr edhe nga të gjitha objektet a institucionet e vendit, siç ka ndodhur edhe me ngjarje te tjera të mëdha të LANÇ-it dhe të ndërtimit të socializmit. Për fatkeq, në këto pozita kanë rënë e qëndrojnë edhe Partia Socialiste, edhe parti e forca të tjera të majta, duke përjashtuar Komitetin Kombëtar të Veteranëve të LANC-it. Përse kështu? Së pari, sepse Republika Popullore e Shqipërisë është një ngjarje dhe fitore historike e shquar, e cila i ka rrënjët e saj në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe u bë realitet pas çlirimit të vendit, në fillim të viteve të socializmit. Së dyti, sepse pushteti i borgjezisë në Shqipëri, në thelb, është kundër Republikës, është për monarkinë, ndonëse, kur ia do puna, hedh ndonjë tullumbace për republikën. Pse, a nuk është kështu? Ja se çfarë ndodh: ”Mirë” që 11 Janari nuk pranohet, sepse është dita, është festa e Republikës Popullore të Shqipërisë, por nuk është parë dhe nuk është dëgjuar ndonjëherë në këto rreth 23 vjet kapitalizëm të flitet për ndonjë datë a ditë tjetër të Republikës nga shteti shqiptar dhe institucionet e tij! Përse kështu? Sepse nuk kanë për ç’ Republikë të flasin. Dikush mund të thotë që të flasin për ”Republikën zogiste”! Po ja që as për këtë ”Republikë” nuk flasin. Sepse ”Republika zogiste” qe, funksionoi, i shërbeu Zogut, sa për një urë kalimi në monarki. Pra, qartë, duan Monarkinë, jo Republikën! Tjetër. Për cilën flitet dhe shkruhet sot, për Republikën apo për Monarkinë, kush glorifikohet e ngrihet në ”qiell” nga politika e shteti shqiptar, Republika apo Monarkia, Fan Noli apo Ahmet Zogu? Përse heshtet e, madje, jo vetëm heshtet, por hidhen edhe gurë e baltë mbi Fan Nolin, ndërsa për Ahmet Zogun nuk kanë të sosur ”nderimet” e shtetit? A mos ndodh kështu si rastësisht apo sepse shteti dhe politika zyrtare e tij duan të rivendosin monarkinë në Shqipërie dhe prandaj janë në ”kërkim” të ndonjë monarku a mbreti të ri, për ta risjellë në krye të Fronit mbretëror, nëse do të sajoheshin kushtet e përshtatshme?! Kuptohet, jo një si Princ Vidi, po i një tipi tjetër, qoftë edhe “ish-komunist ose bir ish-komunisti” në shërbim të borgjezisë antishqiptare! Në historinë e vendit tonë njihen disa Asamble Kushtetuese, si Asambleja e 12 prillit 1939, Asambleja gjatë pushtimit nazist gjerman dhe Asambleja Kushtetuese e Shqipërisë pas çlirimit të Atdheut. Njohja sadopak e secilës prej këtyre e bën edhe më të qartë për lexuesin rëndësinë e ngjarjes historike të shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë, më 11 janar 1946. Po e nisim së pari, me Asamblenë e 12 prillit 1939. Ajo ishte një Asamble jo Kushtetuese, por e vetëquajtur e tillë. Përse? Sepse ajo u mblodh në Tiranë, më 12 prill 1939 nga pushtuesit fashistë italianë vetëm 5 ditë pas pushtimit të Shqipërisë, më 7 prill 1939. Ajo përbëhej prej 159 vetash, por anëtarët e saj nuk ishin njerëz të zgjedhur nga populli, ata ishin të emëruar, ishin të caktuar nga pushtuesit italianë midis bejlerëve, tregtarëve të mëdhenj, klerikëve dhe intelektualëve reaksionarë. Madje, shumë prej tyre i kishin shërbyer me besnikëri regjimit të Zogut. Si rrjedhim, vetë Asambleja e 12 prillit 1939 ishte në tërësinë e saj e caktuar, e emëruar nga fashistët italianë dhe jo e zgjedhur me vullnetin e popullit shqiptar. Dhe diçka tjetër : Asambleja e 12 prillit 1939 mori një vendim, që ishte përpunuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë, me të cilin, ndër të tjera, i ofrohej kurora e Shqipërisë mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit të Tretë në formën e një bashkimi personal, d.m.th një vendim që, në fakt, sanksiononte aneksimin e Shqipërisë nga Italia. Ja, kjo ishte, në thelb, Asambleja e 12 prillit 1939. Kush të dojë, le të mburret me të! Se dyti, Asambleja apo “Kuvendi Kombëtar” gjatë pushtimit nazist gjerman. Dhe ky ishte një Kuvend i vetëquajtur Kombëtar. Sepse, si edhe Asambleja e 12 prillit 1939, u mblodh me urdhër të pushtuesve nazistë, më 6 tetor 1943 dhe mori mbi vete përgjegjësinë të forconte dhe të konsolidonte regjimin e ngritur në Shqipëri me forcën e ushtrisë pushtuese gjermane. Asambleja apo “Kuvendi Kombëtar” gjatë pushtimit nazist gjerman në përgjithësi la në fuqi dispozitat juridike të miratuara gjatë pushtimit fashist italian, nga 7 prilli 1939 deri më 14 shtator 1943, kur Italia fashiste kapitulloi. Sigurisht, kur ato nuk binin në kundërshtim me vendimet e vetë “Kuvendit Kombëtar”. Po kështu, rivuri në fuqi dispozitat e Statutit të monarkisë zogiste të 1 dhjetorit 1929. Ja, pra, kjo ishte Asambleja apo “Kuvendi Kombëtar” gjatë pushtimit nazist gjerman, Kuvendi, që populli ynë e quajti “Asambleja tradhtare e Gestapos”, e cila u shpërnda pasi, më 18 tetor 1943, pallati ku zhvilloheshin mbledhjet u godit me top nga artileria e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare e komanduar nga Komandanti i Përgjithshëm i LANÇ-it, Enver Hoxha. Tjetër ishte Asambleja Kushtetuese e Shqipërisë. Ajo ishte organi më i lartë përfaqësues i popullit shqiptar pas çlirimit të vendit. Ajo u formua dhe erdhi në jetën e re shqiptare pas çlirimit të vendit përmes zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, te cilat qenë demokratike e të lira, të përgjithshme, të barabarta, të drejtpërdrejta dhe të fshehta. Asambleja Kushtetuese e Shqipërisë nuk u mblodh dhe as nuk u emërua nga dikush tjetër, siç kishte ndodhur me “Asamblenë Kushtetuese” të 12 prillit 1939 dhe me Asamblenë apo “Kuvendin Kombëtar” gjatë pushtimit nazist gjerman. Punimet e saj, Asambleja Kushtetuese e Shqipërisë i filloi, më 10 janar 1946, me zgjedhjen e Kryesisë dhe të Komisioneve përkatëse dhe, siç theksova më lart, më 11 janar 1946, pas vërtetimit të mandateve dhe betimit sipas ligjit të përfaqësuesve të popullit, me propozimin që deputeti Hysni Kapo paraqiti në emër të një grupi deputetësh të rrethit të Vlorës, e shpalli njëzëri Shqipërinë, Republikë Popullore. Pra, kështu u zgjidh edhe de jure çështja e formës së qeverisjes dhe u sanksionua ligjërisht një tjetër fitore e madhe e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar – vendosja e pushtetit popullor, u formua Qeveria e re Demokratike e Shqipërisë me Kryeministër Enver Hoxhën. Shpejt, vetëm pas dy muajsh, më 14 mars 1946, Asambleja Kushtetuese e Shqipërisë miratoi dhe Statutin (Kushtetutën) e Republikës Popullore të Shqipërisë. Me miratimin e saj, ajo, Asambleja Kushtetuese e Shqipërisë, e përfundoi detyrën e vet dhe vendosi të kthehet në Kuvend Popullor, i cili përbënte organin më të lartë të pushtetit shtetëror në Republikën Popullore të Shqipërisë. Që nga dita e 16 marsit 1946, kur u mor ky vendim, filloi dhe legjislatura e parë e tij. Dua të kujtoj këtu se republika është një formë qeverisjeje në të cilën organet e larta të pushtetit dhe kryetari i shtetit janë të zgjedhshëm për një afat të caktuar, ndryshe nga monarkia, e cila është një formë tjetër qeverisjeje ku pushteti më i lartë shtetëror është i trashëgueshëm dhe ndodhet në duart e një personi të vetëm, monarkut. Në vendin tonë forma republikane e qeverisjes është vendosur në vitet 1925-1928, para se Shqipëria të çlirohej nga pushtuesit e huaj nazifashistë. Por ajo ka zgjatur, siç e thashë, për një kohë të shkurtër, rreth tre vjet, dhe i ka shërbyer thjesht kalimit në monarkinë zogiste. Sepse, pas “Republikës zogiste” të viteve 1925-1928, në shtator 1928, në Shqipëri u vendos forma monarkike e qeverisjes, me Ahmet Zogun si mbret. Kjo, “Monarkia zogiste”, ka vazhduar deri në pushtimin e vendit nga Italia fashiste, më 7 prill 1939. Dhe gjatë LANÇ-it, ndonëse shteti demokratik popullor shqiptar ishte themeluar në Kongresin e Përmetit, më 24 maj 1944, Shqipëria vazhdonte të mbetej formalisht “monarki”. Pra, forma e regjimit politik të vendit kishte mbetur pa u zgjidhur. Enver Hoxha, duke ruajtur deri në fund karakterin antifashist, nacionalçlirimtar të LANC/it kundër pushtuesve italianë e gjermanë, i kishte premtuar popullit se çështja e formës së regjimit politik të vendit do të zgjidhej e do të vendosej me vullnetin e tij pas çlirimit të atdheut. Dhe kështu u bë, ajo u vendos dhe u zgjidh përfundimisht më 11 Janar 1946 me shpalljen e Republikës Popullore të Shqipërisë, e cila i dha fund edhe formës monarkike të qeverisjes, pra i dha fund monarkisë. Ky është një fakt dhe akt i madh historik për të vlerësuar e për të thënë se 11 Janari 1946 është dhe do të mbetet përherë një datë e shquar në historinë e popullit dhe të shtetit shqiptar, duan apo nuk duan ballistet e zogistët, duan apo nuk duan bashkëpunëtorët e fashizmit, duan apo nuk duan shërbëtorët e sotëm të borgjezisë antishqiptare!

           Sekretar i Parë i KQ të PPSH