Muharrem Xhafa/ Mos i prekni Dëshmorët e Atdheut!

586
Për lajmin e publikuar në media lidhur me zhvendosjen e Varrezave të Dëshmorëve të Atdheut e vendosjen e tyre në Babrru, unë dua të besoj se ky lajm është i rremë dhe se mediat, që e kanë publikuar, duhet të përgjigjen po qe se nuk do të thonë burimin prej nga është marrë informacioni. Nëse lajmi nuk është i rremë, atëhere ky është një provokacion i hapur, kriminal, që do t’u kushtojë shtrenjtë të gjithve atyre që e kanë porositur! 

Varrezat e Dëshmoreve të Kombit janë dhunuar dhe herë tjetër kur pushteti i Berishës me këlyshët e vet zhvarrosi Kryekomandantin e Udhëheqësin e lavdishëm, Enver Hoxhën, kur çuan dhe varrosën atje kriminelë, bashkëpunëtorë të fashizmit e maskarenj të tjerë, vrasës, sëbashku me nazifashistët pushtues, të dëshmorëve e heronjve të LANÇ-it e të ndërtimit të socializmit! Por jo si kësaj radhe, nëse është e vërtetë! S’ka asnjë vend të botës antifashiste (as Franca, as Anglia, as SHBA, as Rusia, as Italia, as Greqia, as Serbia, as Austria), që të ketë vendosur në varrezat e dëshmorëve, bashkë me dëshmorët e atdheut edhe bashkëpunëtoret e fashizmit e kriminelët e popullit të vet. Kjo ka ndodhur vetëm në Shqipëri, ku pushteti i borgjezisë ia ka kaluar për nga poshtërsitë edhe fashizmit. Skenari për zhvarrosjen e dëshmorëve dhe të heronjve të LANÇ-it e të socializmit nga Kodra historike e Saukut të Tiranës, bashkë me monumentin “Nëna Shqipëri” dhe projekti për t’i syrgjynosur ato diku andej nga Babrruja, është loja më e turpshme e më kriminale e mohimit të LANÇ-it dhe e gjakut të dëshmorëve të Atdheut, e simpatisë, e mbështetjes dhe e synimeve për rivendosjen e fashizmit në vendin tonë!

Pushteti i socialistëve ka heshtur dhe nuk është parë të shprehet as po, as jo! Ndonëse jo gjithnjë, po heshtja mund të jetë edhe miratim! Duke heshtur, socialistët në pushtet i thonë popullit se ky lajm e skenar i zi është i vërtetë dhe se ajo kodra e bukur, që dominon Tiranën, e përzgjedhur nga Enver Hoxha për dëshmorët, nuk mund të lejohet më tej, nuk mund t’i lihet Enverit ajo meritë, duke vrarë me “një gur dy zogj”: Së pari, dëshmorët zhvarrosen dhe syrgjynosen, pra vriten edhe një herë tjetër, për t’i bërë qefin fashistëve; së dyti, i plotësohet dëshira mafies së ndërtimit kundrejt miliona eurove! Unë do të thoshja se e gjithë kjo është një lojë me zjarrin! Sepse Varrezat e Dëshmorëve në atë kodër ku prehen dëshmorët, që prej më shumë se 60 vjetësh, janë të paprekshme, përbëjnë një vend të shenjtë për popullin shqiptar. Se shteti u ka borxh atyre një respekt e përkujdesje shumë më të madhe! Se askush nuk duhet të guxojë të prekë Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut! T’i zhvarrosësh dëshmorët e Atdheut, do të thotë të bësh një krim kombëtar, një turp shtetëror! Pa asnjë dyshim ky do të jetë një provokim, i cili do të ngrejë në revoltë të gjithë veteranët e pasardhësit e tyre, të gjithë komunistët dhe enveristët, të gjithë familjet e dëshmorëve dhe bazat e LANÇ-it! Kjo do të çojë në përleshje të përmasave të mëdha! Shqiptarët patriotë do të bëjnë me trupat e tyre barrikada njerëzore dhe nuk do të lejojnë prekjen e dëshmorëve dhe heronjve. Ky do të jetë fundi i regjimi fashist! 
Larg duart nga Varrezat e Dëshmorëve! Lëreni Nënën Shqipëri aty ku është të mbajë ngrohtë në gjirin e saj bijtë e vet! Lavdi dëshmorëve të Atdheut!
Sigal