Msc. Minushe Lazaj: Çmoj njerëzit që dinë të japin shpirtin e tyre!

713
Më pëlqejnë njerëzit që iu demonstrohet pastërtia e shpirtit përmes syve të tyre. Ata që janë autodidakt në të gjitha rolet që jeta u dikton, që nuk shtiren sepse thjeshtësisht janë real në të gjitha rolet. Këta njerëz zakonisht janë autentikë, vetë-krijues, të vetë-mjaftueshëm, korrekt, të ndershëm dhe zemërgjerë! Por, mbi gjithçka në ndjenjat e tyre! Ata nuk kursehen, nuk konsumohen për të numëruar dhe peshuar sa kanë dhënë, sa kanë marrë, sa kanë mbetur. Nuk krahasojnë sa japin dhe sa marrin në këmbim. Mjafton atë që marrin të jetë prej shpirti. Hapin krahë hapur portat e shpirtit të tyre që të hysh e shëtisësh ku mund të merrni gjithçka ju nevojitet. Japin e japin, dhe sa më shumë që lejojnë të marrësh, aq më shumë kanë për të dhënë! Shpengojnë shpirtin në gjithçka bëjnë. Me shpirt qeshin! Me shpirt do të qajnë! Me shpirt vuajnë! Me shpirt do të duan! Me shpirt punojnë! Me shpirt jetojnë! Me shpirt do të përqafojnë dhe do të ndjesh përnjëherësh teksa bashkohen të gjitha copat e thyera. Me shpirt do paguajnë të gjitha gabimet dhe zgjedhjet që nuk rezultuan ashtu siç i prisnin dhe do të largohen nga aty ku teprojnë! Me shpirtin e humbur, me kokën lart! E nëse ndjejnë të zvarriten… do të shikosh një kurriz të fortë teksa largohet me një hap të qëndrueshëm, që shpalos krenari, edhe pse i është shembur gjithë bota e tyre! Këta njerëz – të pa penduar – pasi mbledhin copëzat e tyre, trajtojnë plagët, do ta shpengojnë përsëri shpirtin pa asnjë mosbesim apo dyshim! Do të besojnë përsëri tek shpirti! Prandaj janë të paçmueshëm, të veçantë dhe të rrallë! Oh, tepër të rrallë! Janë dhurues të pashërueshëm! E kanë këtë kusur që i bënë të pakrahasueshëm! Në këmbim pranojnë të marrin vetëm “prej shpirti”… në të kundërt, i falin, dhe largohen prej andej ku fshehtësish i vjedhin… I çmoj këta njerëz shpirti. Çmojini dhe Ju! 
Sigal