Mot i keq për diktatorë

2848
Sigal

Në prag të rënies së Murit të Berlinit, bota ziente nga ethet e ndryshimit të madh. Pas rënies së atij muri, që edhe pas rrëzimit mund të mbetet një njollë e rëndë turpi për mbarë njerëzimin, u shemb me rropamë edhe vetë ajo që Presidenti Regan e quajti me plot të drejtë “Perandoria e të Keqes”. Njerëzimi mori frymë nga tmerret e diktaturave ideologjike dhe Nga ankthi i një lufte atomike me pasoja katasrofike për planetin tonë.

Morën krahë shpresat për një botë më të mirë, për një botë të çliruar nga diktaturat e bazuara në dogmat ideologjike. Ajo përmbysje e diktaturave komuniste të ish-bllokut sovjetik gëzoi jo vetëm popujt që shpëtuan nga vargonjtë, por gëzoi gjithaq dhe popujt e shoqërisë së konsumit. Tok me diktaturat e me botën e ndarë në dy kampe armike, kishte marrë fund edhe makthi i kërcënimit bërthamor në të dyja anët e perdes së hekurt. Kishte marrë fund ai makth i keq, që kishte zgjatur jetën e diktatorëve kudo që i kishte mbajtur në pushtet ndarja e botës në dy kampe armike. Tani nuk kishte më nevojë dhe Bota e Lirë të mbështetej në diktatorë të paskrupuj, për të ruajtur territoret e veta nga pushtimi i kampit tjetër…

Më në fund kishte pasur rezultatin e dëshiruar ajo përpjekje mbi 70-vjeçare e forcave përparimtare të botës për të mposhtur kampin e shteteve totalitare, që mbështeteshin në dhunën shtetërore dhe në një dogmë, që mëtonte të zbriste parajsën në tokë…

Doktrina Regan mbi rritjen e buxhetit ushtarak përtej mundësive të ekonomisë sovjetike, tanimë të rrënuar nga drejtimi i centralizuar, ishte ndoshta faktori i jashtëm themelor që solli shembjen e perandorisë sovjetike. Ideja e Presidentit Regan për “Luftën e Yjeve” dhe ftesa e drejtuar edhe sovjetikëve që të merrnin pjesë në të, dëshmoi se Amerika dhe Bota e Lirë kishin fituar jo vetëm në fushën e zhvillimit ekonomik, por edhe në fushën e ideve ndaj një bote të sunduar prej një ideologjie dogmatike në shërbim vetëm të pushtetit.

Sikurse thoshte kryeministri i shquar Indian, Xhavarhalal Pandut Nehru, shtrirja e madhe horizontale e arsimit, ishte një minë me sahat që, pas ekonomisë, përbënte faktorin e dytë të brendshëm në rrëzimin e regjimit sovjetik, kudo që kishte hedhur rrënjë.

Kishte ardhur mot i keq për diktaturat, që kërkonin të shenjtëronin pushtetin absolut nëpërmjet një dogme ideologjike. Mbase nuk është fare pa bazë dhe ajo që thuhet nën zë se nuk vdiqën nga “kolla e mirë” tre carë-komisarë të Rusisë njëri pas tjetrit, brenda më pak se dy vjetëve, për t’ia lënë sundimin e Kremlinit Mihail Gorbaçovit. Jo më kot Presidenti Regan i bëri thirrje pikërisht këtij cari-komisar që të rrëzonte më në fund Murin e turpshëm të Berlinit…

Shembja e atij muri solli me vete dhe shembjen e vetë perandorisë sovjetikë 74 vjeçare. Por, solli edhe një mot të keq për diktatorët në mbarë botën. Në këtë botë me fytyrë të ndryshuar për më mirë e të kthyer drejt lirisë si drejt diellit, diktatorët mbetën vetëm në ndoca njolla të pakta, si për t’i kujtuar botës se ç’gjëmë kishte provuar, kur kishte jetuar e ndarë në dy kampe armike të armatosura deri në dhëmbë me bomba atomike.

Me atë shembje të madhe, sistemet diktatoriale kishin marrë goditjen më të rëndë në histori, pas shpartallimit të diktaturave nazifashiste të Boshtit Berlin –Romë – Tokio. Tanimë bota u gjet befas me një superfuqi të vetme, me superfuqinë që kishte dhënë më shumë për shembjen e sistemit të diktaturave, me superfuqinë që fatmirësisht ishte njëherësh edhe demokracia më e fuqishme dhe më e zhvilluar e botës, me superfuqinë e vetme që quhet Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Roma e Re tanimë kishte shumë më pak nevojë të mbyllte sytë ndaj diktatorëve të veçantë në pjesët  nevralgjike të botës. Tani duket se realpolitika e saj e bëri më të nevojshme që Roma e Re të përpiqej të mbyllte sytë ndaj sundimtarëve të rinj komunistë, të kthyer brenda natës në “antikomunistë të tërbuar”(!) Realpolitika e kohës kërkonte mbylljen e syve të demokracive të zhvilluara ndaj komunistëve të kthyer në demokratikas, që dolën në sipërfaqe në mbarë vendet e Lindjes ish-komuniste pas mbytjes së “Titanikut sovjetik”. Doli mbase e nevojshme që bota demokratike e udhëhequr nga superfuqia e vetme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mbyllte sytë  ndaj diktatorëve të rinj të ish-vendeve të Lindjes komuniste, që  u turrën të viheshin në shërbim të Amerikës vetëm për të sunduar si diktatorë, edhe me flamurin e bukur të demokracisë.

Dhe nisën kështu vitet e gjata të bashkëjetesës së çuditshme të Botës së Lirë me diktaturat e reja demokratikase, të mbira si kërpudhat pas shiut në ish kampin sovjetik. Në territoret e atij kampi nisën ashtu vitet e tranzicionit të vështirë nga diktatura në demokraci, tranzicion që pati sukses në vendet ku kërkesa për ndryshimin e regjimit erdhi vërtet nga populli i robëruar, por dështoi me bujë në vendet më të prapambetura si Rusia dhe Shqipëria, ku zemërimi popullor u kanalizua nga veta regjimi në rënie e sipër dhe ku trashëgimtarët e rinj të regjimit të vjetër e përdorën zemëratën popullore si koperturë për të zgjatur jetën e sundimit të tyre të modelit të vjetër me parulla demokratike.

Shtetet e Bashkuara dhe gjithë Bota e Lirë duket se e pranuan këtë lloj realpolitike, për hir të një stabiliteti, që do të krijonte kushtet për zhvillimin e zgjedhjeve të shpeshta nëpër ato vende, në mënyrë që lëvizja e përhershme e klasave drejtuese ta shpinte dhe politikën e këtyre vendeve në hullinë e demokracisë. Por, faktet e këtyre dy dekadave treguan se as ai stabilitet nuk ishte i shëndetshëm dhe as trashëgimtarët e diktaturës nuk lejuan lëvizjen e politikës në drejtimin e demokratizimit të vendit. Sepse nuk lejuan zgjedhjet e lira.

Përkundrazi. Duke u përpjekur të mbanin qëndrimin më servil ndaj vendeve të demokracive të zhvilluara, trashëgimtarët e diktaturave të epokës sovjetike mbetën prapë sovjetikë në veprime dhe demokratikas në parulla .

Mjafton të shihen lëvizjet e këtyre trashëgimtarëve besnikë të diktaturave komuniste nga president në kryeministër e nga kryeministër në president për dekada të tëra tranzicioni dhe merret vesh se sa të merakosur për demokratizimin e vendeve të tyre ishin dhe janë sot e gjithë ditën kjo skotë diktatorësh , të cilëve edhe manteli i bukur i demokracisë u rri, kur thotë populli, si shala gomarit…

Të gjendur në një mot politik të keq për diktatorë, kjo skotë trashëgimtarësh të diktaturave të rrëzuara tok me muret harvallinë të “Perandorisë së të Keqes”, u përpoqën jo vetëm të hiqeshin si shërbyes të bindur të Shteteve të Bashkuara, por edhe të gjenin strehë në përvojën e regjimeve hibride të partive bathiste të Lindjes së Mesme…

Kjo përpjekje e tyre pati ca kohë dhe rezultatet e veta, por pas shpërthimit të “Pranverës Arabe”, erdhi koha që dhe diktatorëve të rinj të tranzicionit paskomunist t’u merren këmbët. Dhe duket se është kjo frikë nga fati i sivëllezërve të tyre arabë , ajo që i bën këta diktatorë demokratikas të flasin përçart e të veprojnë si të arratisur nga çmendina. Është kjo frikë e diktatorëve të tranzicionit të zgjatur paskomunist, që i tmerron aq shumë nga demonstratat popullore, sa sot të hapin zjarr ndaj demonstruesve e nesër të ndalojnë zbatimin e ligjeve për të mos dalë dhe vetë si vrasës përpara drejtësisë. Është kjo frikë që i bën këta trashëgimtarë të diktaturave të rrëzuara tok me Murin e Berlinit, që sot të mohojnë se kanë dhënë urdhër për të vrarë qytetarët e Republikës me armët e Gardës së Republikës dhe nesër të deklarojnë me mburrjen e të marrosurit nga krimet e veta. se janë gati të vrasin përsëri qytetarët e tyre demonstrues, siç i vranë herën e parë, mu aty në mes të bulevardit (!)…

Kur shikojnë se edhe Rusia me Kinën komuniste po bëhen gati ta braktisin vrasësin e popullit të tij, që sundon prej kohësh Sirinë, sundimtarët e tranzicionit paskomunist janë gjithnjë e më të trembur e prandaj dhe gjithnjë e më të çartosur në ato që thonë e në ato që bëjnë. Sepse, më në fund, e kanë kuptuar dhe ata që nuk e mashtrojnë dot botën e zhvilluar demokratike me demagogjinë bajate që mashtrojnë popullin e tyre të trullosur e rraskapitur. E kuptojnë më në fund dhe kjo skotë trashëgimtarësh të diktaturave të rrëzuara nga zullumet e veta, se ka ardhur një mot i keq për diktatorë…