MOS PYET PËR KAÇIN, LEXO “BIÇIMNJËSHIN” E GURO ZENELIT…

58

Një retrospektivë e shkurtër: Kur po trokëllinte viti i ri 2006, te kafenetë rrotull selisë qendrore të PS-së ishte ndezur debati për kryetarin e ri mandatdhuruar.- A do e marrë vesh qeni të zonë apo do të hyjnë e do dalin pa doganë pasanikë të dyshimtë dhe nga lëvizja mjaftiste “Nano ik”? Sa kohë do vazhdojë Rama me njërën dorë në bakllava e tjetrën në revani? A do e mbajë llafin për të bashkuar të mëngjrit pa mëngjarashë ? Po ca “qenër stani” a do të bëhen “zagarë gjahu” brenda SHPK-së socialiste ?…Te kjo teshtima e fundit, befas sikur ndali vetiu vërshimi i pyetjeve dilema. Dhe hyri natyrshëm një rrëfim i këndshëm anekdotik: “Diku, gjatë një bisede për zagarët e mirë u fut edhe një shef pasanik e koprrac që banonte me qira, të cilin Nastradini nuk e honepste fare: -Edhe mua më pëlqejnë, por nuk po gjej ndonjë të racës…- Nesër do të të sjell unë një zagar të mirë,- i premtoi aty për aty Nastradini.

Në mëngjes i solli një qen stani të madh. Shërbëtorët i dhanë menjëherë sihariqin shefit pasanik e koprrac. Ashtu shend e verë doli te shkallët. Por shpejt rrudhi buzët e ballin dhe ngriti zërin: “Ky është për në stane, nuk mund të shkojë për gjah!”…Por Nastradini e kundërshtoi, duke këmbëngulur se “ky është me të vërtetë qen race”.- Çfarë race, more!,- sokëlliti shefi zengjin.- Qeni i gjahut është i kuqërremtë, elegant, me këmbë të holla e me bark të futur…

-Zotrote, kot sëkëlldisesh,- i dha dum Nastradini.- Ai është qen dhe shiko se sa i madh. Nëse ai do të jetojë një muaj tek ty, do dobësohet dhe…do të bëhet qen gjahu !”.

Të qeshurat nuk vonuan e gurgulluan si Vjosa në pranverë. Sepse miku im i vjetër, Kiço Peshtanaku, 24 karat i majtë e pa asnjë teserë partie në xhep, që jeton e punon te Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit, na e rikujtoi buzagaz këtë rrëfim plot humor e satirë. Por fjala ngiste fjalën. Konkretisht, përjashtimi i Kastriot Islamit nuk u bë vetëm objekt revolte e inati militantesk. Dhe as thjesht dëshpërim a zemërim fluturak rreth filxhanit të kafesë. Pikëpyetjet e shumuara njerëzore, intelektuale e qytetare, flasin shumë. Ato i kanë rrënjët te plasaritjet, krisjet dhe firot e pamerituara edhe brenda e jashtë asaj force politike, që dikur ishte model adhurues për lirinë e mendimit ndryshe. Por kësaj lirie reale “Nanoiste” i vunë stërkëmbëshat dhe festen në kokë me emrin “politikë e vjetër”?! Dhe nisi një marshim me curle e daulle që u pagëzua sa hap e mbyll sytë si “politikë e re”. Kush e kërreu i pari nga goja? Njëshi apo “Biçimnjëshi”?! Për librin e mikut tonë të përbashkët, Guro Zeneli, nuk ka folur kot ustai i mirënjohur Hyskë Borobojka. E kujtuam ditët e fundit atë përmbledhje të veçantë me shakara “demokratike”. Se thuhet vërtet që shakaja është shpesh gjysma e së vërtetës, por në këtë rast ndryshon puna. Kushdo që e njeh mirë jetën politike e organizative të kupolës së SHPK-së socialiste, gati tërë episodet e atij libri janë të sakta, reale, pse jo edhe dëshpëruese. Mund të vendosësh pa droje emra e mbiemra dhe adresa të plota. Madje pa ndonjë mundim a sfilitje të veçantë…

-Shumë i gjetur është dialogu ndërmjet sëpatës dhe bishtit të saj, që i kanë dhuruar drurët e pyllit,- na ftillon Hyska mendjehollë.- Ishin këta drurë që u fërkuan njeri me tjetrin dhe ndezën zjarrin, shkrinë hekurin, sajuan e kalitën sëpatën. Mirëpo, sëpata e harroi mirësinë, pasi me bishtin e dhuruar po nga pylli, filloi t’i presë e t’i shkurtojë tërë drurët e tij, pa pyetur jo vetëm ata që prodhonin lëndën drusore, por edhe të tjerat që prodhonin kokrra…Historia e sëpatës dhe bishtit të saj, që ia dhuroi pylli për të keqen e tij, jep tablonë e atij që të mirën e kthen në të keqe…Mirëpo vërsniku e miku im te Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit, ngul këmbë si mushka: Aman, më qafsh, a e dëgjove në televizor Muç Nanon? Më në fund, e zbrazi açik. Për herë të parë tha se nuk paska as simpati dhe as besim te kryetari i opozitës, te Rama politikan. “Ndonjëherë mendoj se është gabimisht në këtë punë, mund të ishte bërë një piktor dhe publicist shumë i mirë”. Më shkoqur nuk ka ku të shkojë! Mjaft tollovira, pisllëqe e tinzarllëqe që u dukën sheshit pas vitit 2005 e që u kullandrisën me duart e vetë Kryetarit të opozitës, ti i ke denoncuar ashpër e pa ekuivokë në gazetën “Telegraf” e gjetkë. Por…topi bam e Rama tutje! Asnjëherë nuk u prononcua publikisht. Ti nuk ke fare njohje personale, as kishe dhe as ke ndonjë interes a kleçkë private me atë politikan aguridhe që fle e zgjohet në krahët e ndryshkur të “fatligxhafërisë” mediokre e prapaniclëpirës të regjur. Në fillim të muhabetit, kur të qëllova me pyetje për Kaç Islamin, sikur ma mbylle shtegun me përgjigjen qortuese: “Mos më pyet për atë, më mirë këndo “Biçimnjëshin” e Guro Zenelit dhe mjaft të vërteta të hidhura do të llagarepsin çdo hamendje e dyshim!”…Kryetarët lokalë i vendos vetë Kryetari; deputetët e listës i zgjedh po ai sipas kokrrës së qejfit të vet e gjer nga SHBA-ja dhe ndonjë i avullon papritur mbi dete e oqeane; shumicën e këshilltarëve në Tiranë e gjetkë po me viston e tij; drejtues të grupit Parlamentar po ashtu; kryesinë dhe sekretarët në selinë qendrore etj. i cakton syri dhe dora e tij. Ia arriti ditës që të bëjë diellin dhe shiun në atë forcë politike tashmë të përmbytur nga përrenj me mosmirënjohës, të zhgënjyer e dëshpërimisht…pa “zemrën” majtas dhe me ideale të venitura(?!)…

Fabulat e zgjedhura nga thesari popullor, shpesh i shkojnë për shtat “Biçimnjëshit” që nuk mund të bëhet dot Njësh i vërtetë. Vetëm lapërdharët dhe servilët e përjetshëm i krehin bishtin, e furçosin me bojëra e përkëdhelira dhe me gjestet nëpër foltoret ku e imitojnë gjer në neveri. Dhe njerëzia prekin e shijojnë gazin e botës. Por breshëritë me cicërima në internet as që ua dredhin qerpikët e lodhur anëtarësisë e simpatizantëve në qytete e sidomos në fshatrat e Shqipërizës sonë ku “përtojnë” të lundrojnë nëpër kompjuterë. Shkurt, janë kail të notojnë e lundrojnë më mirë në Vjosë, Shkumbin, Mat e Drin, se sa në ato kulla moderne! Ky lloj komunikimi me isharete nga maja e Dajtit as që po ngjit gjëkundi. Huqet e “Biçimnjëshit” po i marrin të tjerë. Ndërkohë elektorati i majtë dhe ai “përtej të majtës e të djathtës” po gdhihet, ngryset e përkundet në gjumë nga cicërimat në Internet. Na ruaj, o Zot, nga arratia e zogjve në pyjet e Golikut e të Trebeshinës !…Shigjetat humoristike të Guros nuk janë pjellë e fantazisë, por janë brumë nga magjja erërëndë e SHPK-së socialiste. Për shembull, po të ndaleni sadopak te fabulat “Kuvendi” e “Kongresi” i drurëve të pyllit, do të nuhasni “fitoren e Pirros”, sepse Njëshi duhet të zgjidhet nga dituria dhe jo nga gjatësia! Veçse një kulm e arriti: një grupi deputetësh lepe-peqe ua lidhi buzët me shirit sterrë të zi dhe…i kyçi e i ngujoi në grevë “urie” poshtë penxheres së Kryeministrit! Tamam te ai vend, ku “Fatligxhafëria” në vigjilje të viteve ’80 ngjitej si kaposh katundi në tribunën e 1 Majit dhe i çonte tufën me karafila Enverit (megjithëse ishte porositur për t’ia dhënë dikujt tjetër?!)…Ndërsa Gurua ynë, pasi pagoi krejt padrejtësisht degdisjen nga Vlora  drejt një barake në Finiq të Sarandës (vetëm i paharruari trim e i mençur, Jani Thomagjini, i trokiti me zemër në atë barakë dhe i dha shumë ngrohtësi e kurajë), shprehej buzagaz: “Për mua të rrojnë 3 K-të!”(Kanarina, bashkëshortja; Kalamajtë dhe Kalemi).Sepse “biçimnjëshat” nuk firasin kurrë në këtë botë të prapë…Vetëm një politikan çyryk ha atë që ka në krah, duke zbatuar atë devizën e lashtë romake “Përça e sundo!”…Ore babam, mora vesh se nga mesdhjetori i sivjetëm, Kryetari i opozitës do të organizojë përkujtimore për 1 vjetorin e përjashtimit të Kaçit nga partia. Nga reagimet e qytetarëve të thjeshtë, unë çoku mbaj ndonjë shënim në defterin tim:

-“Biçimnjëshit” i takon Çmimi “Nobel” për shkatërrimin e PS-së…Përjashtimi i Kaçit është bërë nga bllokmenët e rinj. Ky është një hap i madh prapa në atë partinë që po degradon…Po bëhen spastrime politike si në kohën e Koçi Xoxës…Kaçi është socialist 24 karat e i orëve të para, jo i 2005-ës si “Biçimnjëshi”. Disa deputetë që e rreshtonin veten te “mendimi ndryshe” sot po thërrasin me zë e nën zë: Dallëndyshe, ktheje ndryshe!…Të thuash atë që mendon ose të kritikosh të parin e parisë, nuk do të thotë se je me kundërshtarët politikë etj., etj. U thanë shqip e u shkrojtën shqip në mesdhjetorin 2011…Po a dëgjoi dikush nga ai vesh në kupolën e SHPK-së? Sot na bëjnë thirrje të bashkohemi me djallin e të birin nga çdo krah politik. Por miku im në Jug pyet jo pak i irrituar: Cili burrë nëne do i fusë djajtë prapë në shishe ? Deklarata bajate se “unë nuk jam politikan” mbyti dialogun. Rroftë monologu i “Biçimnjëshit”!…Jo më kot në Fterrën e shenjtë të Guros, qesënditë me bejte vërshuan gjer në Tiranë. Anëtarësia dhe simpatizantët në Jug e Veri trishtohen e bien në mendime përtej ferrparajsës së Kryetarit. Kjo lloj ferrparajse mbrohet nga “Fatligxhafëria” dhe “Veliajt e pavarur” që u bënë copë e çikë për të rrëzuar PS-në nga pushteti. Lepitkat e çdo kryetari kapën majat e partisë si shpatulla të ngrohta për “Biçimnjëshin”(?!).Dhe nganjëherë të duken sikur duan të largojnë “mizën e kalit”. Por Gurua e tha troç publikisht: Nxirrni kalin nga zyra, që të dalë edhe miza pas Tij!…Jo rastësisht ustai Hyskë Borobojka, i vë vulën mosfutjes së “Biçimnjëshit” në grevën e “urisë” dhe fshehjes së tij nën urën e Lanës e jo në ballë të protestës së përgjakur: Larg qoftë! Njerëzia do të tundnin atë këmborën e vjetër: “Ngordhi një dele në Velabisht dhe mbeti Berati pa dhallë !”…Se “Biçimnjëshi” nuk bëhet dot kurrë Njësh i vërtetë. Pa dhënë asnjëherë llogari për humbjet e shumta elektorale, bën ligjin si mujshar i pandreqshëm. Dëgjo mua, ndoshta i vetmi “defekt teknik” në rrëfimet e Guro Zenelit (që punoi vite të tëra në atë strehës të dashur), është “harresa” njerëzore e moslëndimit me emra e mbiemra konkretë. Të vërtetat e hidhura, me siguri nuk i përtypin dot shelegurët e stanit me lepuj të SHPK-së socialiste. Tani mësova shumë. Nuk të bombardoj me pyetje për përjashtimin e Kacit etj. nga partia. Ai stan, më beso mua, atë bulmet ka e do ketë deri sa të jetë në majë “Biçimnjëshi”. Mjerë e majta, miku im !…