Mos i prangosni qytetarët!

595
Nga Vangjush SARO

Një ndër problemet e shumta që përball sot shoqëria shqiptare, qeveria dhe institucionet e saj, është qëndrimi ndaj shkelësve të ligjit; të kallëpeve të ndryshme. Prej kohësh, dëgjon në media apo në mjedise të tjera, për burgosje e burgosje pa fund. Arsyet, për të cilat njerëzit përfundojnë prapa hekurave, janë nga më të çuditshmet. I takon edhe administratës, edhe politikës, të mendojnë një hop për zbutjen e fenomenit të prangosjes vend e pa vend të qytetarëve; mund të shoshiten e të shkartisen më mirë ato (arsyet) dhe ata (qytetarët që shkelin ligjin). Sigurisht, burgu është i frikshëm; por kush e ka hak, do të mbyllet atje ca kohë. Problemi është të mos mbingarkohen këto institucione kot së koti, për shkaqe banale, për episode të parëndësishme, duke ua shtuar telashet qytetarëve, familjeve dhe vetë shtetit. Për më tepër, me këto ritme prangosjeje, shteti e qeveria, rendi aktual, vishen së koti me një lloj autoritarizmi fals. Prej kohësh, kam dashur ta trajtoj këtë temë. Por këto ditë, më tërhoqi vëmendjen fakti që e ka ngritur zërin nga Italia “Drejtori i Departamentit të Administratës së Dënimit, Santi Consolo, i cili e ka vlerësuar shumë të rëndë situatën me Shqipërinë. “Ne kemi ngritur një grup brenda departamentit tonë dhe kemi verifikuar dhe kemi një regjistër të të gjithë personave të dënuar të huaj, të cilët mund të vijojnë dënimin e tyre në vendet e origjinës. Por cila është vështirësia? Rumania dhe Shqipëria nuk respektojnë marrëveshjet dypalëshe. Dhe për Shqipërinë është akoma më e rëndë, sepse ne kemi ndërtuar një institucion për 800 të dënuar, kemi dhënë ndihmën tonë dhe sot shkalla e shfrytëzimit të institucioneve shqiptare është më e ulët se ajo italiane. Për Shqipërinë, alibia është: “I kemi institucionet të mbipopulluara.” Kështu ka përfunduar deklarata e z. Consolo. Nuk mendoj se qasja në këtë temë me ndonjë mendim a ide, do të ishte finalja e lumtur. Por gjithsesi, është një çështje e hapur, që duhet rimarrë dhe duhet përballuar, së paku minimizuar. Kemi parë dhe kemi lexuar e dëgjuar në media, se si burgosen biznesmenë; për një lapsus, në dokumente, në pajisjet matëse; se si plaset në burg një individ, që është kapur duke e ngarë makinën përtej normave të lejuara të alkoolit. Burgosje për energjinë elektrike. Për zënka e konflikte gjithfarë. Për doza të vogla bimësh narkotike. Për lloj – lloj shkeljesh, që mund të “paguhen” edhe në mënyra të tjera. Jo për snobizëm, por vetëm për pak analogji, i kërkoj ndjesë lexuesit të rrëfej si më poshtë: Një mik i familjes sonë, në Vankuver, polic hetues, kthehet nga mbrëmja e gëzueshme e institucionit ku punonte, duke i dhënë makinës pak turbullt, në një gjendje përtej normave të lejuara të alkoolit. Makina, me sa dukej, “vallëzonte” në rrugë dhe kjo gjë, ose iu ra në sy kolegëve të tij – jo atyre të mbrëmjes -, ose u raportua nga ndonjë tjetër përdorues i rastësishëm i rrugës. Mikun tonë e ndaluan dhe punët për të shkuan pak a shumë kështu: Gjobë e lartë. 6 muaj heqje patente (ata i thonë licencë). Detyrim për të ndjekur një kurs me qasje te psikologu dhe ngarja e makinës. Pajisje e veçantë në makinë; kjo e fundit nuk mund të ndizet pa i fryrë më parë asaj (pajisjes, pra) për të kontrolluar, nëse përdoruesi i mjetit ka konsumuar alkool etj. Nuk kam ndërmend të bëj “të mirin”. Shteti ndërtohet me rregulla dhe me ligje. Por është më e udhës që qytetari në faj, sidomos në faj për probleme komunale,të paguajë gjobën ndaj shtetit, se sa hallkat e rënda të… Drejtësisë. Nuk e kuptoj pse institucionet nguten t’i burgosin njerëzit dhe, sakaq, raportohet në media u ndaluan kaq këtu dhe kaq atje, sikur nëpunësit kanë dalë për të prangosur qytetarët. Aplikimi i gjobave shmang shumë peripeci e strese, si dhe mundimet nëpër një sërë pengesash ligjore, formale dhe informale, (gjithnjë më të kushtueshme se sa një gjobë apo rikthimi i vlerës së dëmtuar). Duke e bërë një lloj shoshitjeje, me ligje, por edhe me raste e veprime konkrete, institucionet kanë vetëm përfitime. Kostoja e sotme për të mbajtur një njeri pas hekurave, nuk është e vogël, ndërkohë që shtetit i duhet të shpërndajë të ardhurat e veta në shumë akse. Në vend që t’iu shkojë pas ligjeve të konceptuara në ngut e sipër, administrata mund të zvogëlojë numrin e qytetarëve të ndaluar, duke këmbyer -atje ku është e arsyeshme -dënimin si një veprim ekstrem, me gjobën. Më mirë kjo, se sa prangat; për qytetarin dhe për vetë shtetin. Në shumë raste, për të mos thënë në çdo rast, paratë e shkreta të qytetarëve të shkretë, kanë përfunduar te gjykatësit dhe avokatët. Në këtë mes, nuk ka asgjë për t’u habitur. Ose është gjithçka një habi e pashpjegueshme. Shteti duhet të minimizojë sa të mundet përplasjen e qytetarëve të vet me njerëzit e Drejtësisë, që, sikundër thuhet në media e në institucione, abuzojnë jo pak me pushtetin që iu është dhënë. Është shumë e thjeshtë të mos i trembësh njerëzit me burg, ndërkohë që ata mund t’iu nënshtrohen gjobave; (të cilat shkojnë në arkën e shtetit dhe, fundja, edhe të qytetarëve njëherësh). Nuk paguajnë energjinë elektrike. Ose abuzojnë me të. Po kështu, me ujin. Apo prangosja (e kujtdo) për “bimët e ndaluara”. Për kanosje e zënka lagjesh e, ku di tjetër çfarë. Duket sikur institucionet nguten t’i ndalojnë njerëzit, a thua duan të “lajnë duart” si Ponc Pilati. Prangosja e qytetarëve për hir të çastit, episod që pastaj kthehet në kalvar, është një e keqe materiale, aq edhe njerëzore, dhe që krijon përshtypjen e një shteti policor e autokratik. Në të kundërt, aplikimi i gjobave (të cilat mund të paguhen edhe me këste) dhe i ndërprerjes së shërbimeve (që mund të rikthehen pas pagesës) është gjëja më e thjeshtë dhe më e natyrshme, por në të njëjtën kohë, shmang shpenzime të panevojshme, ndërkohë që të ndaluarve iu duhet të kalojnë nëpër duart e lloj-lloj sekserëve a të tjerëve që abuzojnë vërtet me pushtetin dhe fjalën e madhe drejtësi. Mendoj se nuk ka asgjë të keqe apo të gabuar në gjithë këtë trajtesë. Le t’i shohim më me qetësi hallet e panumërta që përplasen te qytetari dhe te shteti. Pa paragjykime. Pa poetizime. Për më tepër, meqë Kryeministri i vendit, z. Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij, midis të tjerave, po përpiqen të praktikojnë një lloj qeverisjeje me bazë të gjerë e qytetare, mund t’i hedhin sytë edhe në këtë temë. Ndonjëherë, gjërat kërkohen në qiellin e shtatë, por ato gjenden në tokë, në realitetin e ashpër të çdo dite, në përvojat e pangjashme njerëzore, në qasjet e thjeshta dhe pa shumë bujë. 
Sigal