Monika Kryemadhi/ Procesi i integrimit është gjithëpërfshirëse dhe gjithëangazhuese

508
Sigal

*Deputete e  LSI-së

 Integrimi europian në thelb është një proces transformues dhe modernizues, për të konsoliduar shtetin e së drejtës, institucionet e pavarura dhe demokracinë përmes transparencës dhe rritjes së llogaridhënies nga të gjithë të zgjedhurit dhe funksionarët publike. Ajo që kontatohet me kënaqësi nga të gjithë, përfshirë edhe partnerët tanë europianë  është se në muajt e fundit Procesi i Integrimit Europian ka pasur një progres të lavdërueshëm. Nuk ka asnjë mëdyshje se rruga drejt BE-së, e ngushtuar prej vitesh, për shkak të konfliktit politik të tejzgjatur, tashmë është hapur e zgjeruar. Qytetarët e kanë kuptuar të parët, se kur klasa politike konfliktohet, janë ata që vuajnë pasojat e vonesës. Ndërsa, kur klasa politike vepron me përgjegjshmëri dhe bashkëpunimin përmes dialogut, kompromisit dhe gjithpërfshirjes, siç ishte në rastin e miratimit të 3 ligjeve përpara zgjedhjeve të qershorit, atëherë politikanët meritojnë besimin e qytetarëve.  Nga ana tjetër, OSBE/ODHIR dhe të gjithë partnerët tanë  kanë faktuar që zgjedhjet e 23 Qershorit ishin zgjedhjet më të mira të realizuara ndonjëherë në vend. Edhe pse vetëm 2 muaj qeverisje, maxhoranca e re ka treguar vullnet të qartë  dhe angazhim maksimal, përmes një “plani të qartë veprimi” me masa konkrete, për të shënuar  progres të prekshëm dhe të dukshëm në :

1)    luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet,

2)    luftën kundër krimit të organizuar dhe informalitetit,

3) Reformën në sistemin gjyqësor, me synimin rritjen e eficencës dhe llogaridhënies nga sistemi gjyqësor, ku pavarësia institucionale të shoqërohet edhe me përgjegjshmërinë për të rivendosur drejtësinë në vend. Ministria e Drejtësisë, së fundmi po merr disa nisma ligjore që adreson këto probleme, sikurse janë edhe amendimet në Kodin e Procedurës Penale për të intensifikuar ndëshkueshmërinë të veprës penale të korrupsionit.

3)    Respektimin rigoroz të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve.

Në këtë kontekst,  është fakt që edhe për problemin akut të strehimit të romëve, i cili para disa muajsh ishte vërtetë dramatik, qeveria ka gjetur rrugën e zgjidhjes.

4)    Reformën në administratën publike. Unë jam e sigurt se po të pyetet secili prej nesh, por edhe qytetarët e thjeshtë në rrugë, a jeni të kënaqur me performancën e administratës publike, përgjigjja nuk mund të jetë: “Po jemi të kënaqur”,  sepse edhe vetë rezultati i 23 Qershorit e dëshmon këtë.

Këtu nuk bëhet fjalë për një reforme thjesht sasiore, por thellësisht cilësore. Debati i aktit normativ tashmë është i kapërcyer dhe i mirëkuptuar nga BE-ja, si i vetmi instrument ligjor i nevojshëm për ta bërë të zbatueshëm ligjin për statusin e nëpunësit civil. Këto janë 5 prioritetet  e mbetura si “detyra shtëpie”, të cilat janë në krye të axhendës së qeverisë dhe institucioneve tona  jo vetëm deri në dhjetor, por edhe për vitet e ardhshme, sepse reformat nuk përmbushen plotësisht as në disa javë as në disa muaj.  Marrja e një vendimi pozitiv nga Këshilli Europian të ministrave të Jashtëm në dhjetor, do të ishte një inkurajim i madh për të gjithë klasën politike, e cila dialogun dhe bashkëpunimin për mbarëvajtjen e integrimit europian duhet ta ketë konstante  të pandryshueshme. Sot më tepër se kurdoherë, pritshmëritë e qytetarëve tanë për ne janë të mëdha për të dëshmuar se, reformat do të jenë në krye të aksionit politik në qeveri dhe në Kuvend, kudo në jetën publike dhe në sektorin privat sepse ata kërkojnë një Shqipëri që integrohet më shpejt në BE, por edhe një Shqipëri që ofron më shumë punësim, më shumë siguri, më shumë zhvillim ekonomik, më shumë mirëqenie për të gjithë këtu në vend! Unë besoj se ky proces në të cilin kemi hyrë, sikurse dhe fryma e kësaj rezolute është gjithëpërfshirëse dhe gjithëangazhuese. Në këtë kontekst dua t’ju bëj një thirrje të sinqertë të gjithë kolegëve deputetë. Sa më pak nihilizëm për arritjet në këtë proces dhe sa më shumë angazhim dhe gjithëpërfshirje, pasi është themelore që gjithsecili nga ne, Kuvendi, qeveria, institucionet e pavarura, shoqëria civile dhe shoqëria shqiptare në tërësi kanë një rol dhe kontribut për të dhënë. Gjithkush, ka vënë një tullë dhe ka dhënë një kontribut sado modest në këtë proces, ndaj nuk duhet ta shohim me si Ne dhe Ata,  pavarësisht divergjencave dhe dallimeve politike. Por këtë proces duhet ta trajtojmë si një objektiv dhe rrugë të përbashkët, pasi në fund të fundit nuk është vetëm rruga jonë. Kjo është rruga e të gjithë shqiptarëve.