Modeli Merkel dhe ata që e quajnë shtypin kazan

745
Bardhyl Berberi
Kur tek ne po na mbyt egoja e pushtetarëve dhe shtypi shkelet me këmbë dhe quhet kazan, befas më erdhën disa sentence nga fushata e z. Merkel. Një nga pyetjet e shumta ishte: Pse e doni përsëri pushtetin z Merkel? – E dua pushtetin për të qenë rojtar i lirisë si vlerë e mbarë shoqërisë për t’i shërbyer asaj ., Për politikat botërore, sepse ne shqiptarët jemi shumë të vegjël për t’i diktuar, por minimumi që mund të bëjmë është të nxjerrim një leksion nga “lojtarët” e mëdhenj sa për ta aplikuar denjësisht në një politikë të tillë në nivel lokal apo rajonal. Në Ballkan, politikanët janë në kërkim të pushtetit dhe në përpjekje për t’ua humbur lirinë personale popullit të tyre e për ta robëruar atë. Kështu po ndodh tek ne realisht. Po le të qëndrojmë përsëri tek z Merkel: Disa ditë para zgjedhjeve në Gjermani, Angela Merkel në pyetjen gazetareske, se çfarë mekanizma shfrytëzon për t’i ikur mendjemadhësisë dhe varësisë nga pushteti?- Merkel iu përgjigjur shkurt: “Lexoj artikuj kritikë në shtyp”. Fakt ky që e prezanton Merkelin pa i shtuar lëvdata, po ajo që është më me rëndësi qëndron te fakti se kjo është pasqyrë se vërtet në Gjermani kulti i liderit nuk ekziston. Leksion tjetër është se “luftëtarja e fundit e demokracisë në Evropë”, siç po e quajnë Merkelin, pushtetin nuk e shfrytëzon për t’i mbajtur peng për emrin dhe personalitetin e saj njerëzit rreth saj, por për t’i bërë ata të ndjehen të lirë dhe intelektualë në kuptimin e plotë të fjalës, duke iu vjelë mendimet e vyera dhe më pas për t’i vënë në jetë.Tek ne është marrëzi të mos shikosh liderin nga mëngjesi deri në mesnatë nëpër ekranet e TV, është hata të mos dëgjosh që të thuren lëvdatash deri në inflacion nga tufa e servilëve që iu ka dhënë karrigen e madhe. Lideri ynë, që bën gjithçka, lideri ynë është ai që na jep alternativa, Lideri ynë bla, bla, bla… Zakonisht politikanët tanë thirren e mbahen si koka e Zeusit. Udhëtojnë me eskorta me një varg makinash dhe sirenash policie. Fryhen dhe krekosen dhe derdhin mullarë me fjalë dhe premtime para popullit pa thënë asnjë fjalë me bukë. Sa vlejnë këta intelektualët e sotëm i kupton kur i vë në rresht lideri dhe i kurdis si ato majmunët lodra dhe ata rrahin ujë në havan. Parulla e mendjes së ndritur, që lidhet me fenomen që po flasim e ka thënë me një sentencë Emanuel Kanti : “Ki guximin që ta përdorësh mendjen tënde dhe të shfrytëzosh mendjet e ndritura” Si përfundim, ata që e kanë sot pushtetin në Shqipëri i japin vlerë kultit të liderit, shpesh duke e përdorur si mjet, duke krijuar një hierarki “robërish” që popullin e duan të nënshtruar. Duan një masë të gjerë që duhet të mendojë ashtu siç mendon njëshi, duke shtypur idetë e tjera, edhe pse mund të jenë progresive dhe mund t`i shërbejnë zhvillimit, por këto nuk vlejnë, nëse nuk i thotë “ Njëshi” dhe në rast se shtypi iu krijon problem dhe e vë me shpatulla pas murit etiketohet si, “ky është shtypi i kazanit”. Këtu komprometohen idetë dhe shpirti i lirë që është një nga asetet kryesore të demokracisë.
Sigal