Mitro Çela/ Kunati me gjuhë Frënge

614
Sigal

Ngjarjet marrin rrugë në vitin 1986. Punonim së bashku me Filip Çakulin në gazetën “Bashkimi”. Unë shef. Ai vartrës. Në moshë pak të djegur, kunati i Filipit dhe vëllai i Vasilikës-zonja Çakuli, – u regjistrua me korrespodencë në Universitetin e Elbasanit.
Të gjitha provimet i mori me forcat e veta. Problem kishte anglishten. “Normale! – tha me delikatesë Vasilika. Hidhuni në Elbasan. Do jetë turp për ty Filip, të humbasë shkollën vëllai im. E pse? Për anglishten?!”…
U nisëm të dy bashkë. Në atë mot, rektor i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, ishte një miku ynë i vjetër. Pasi shkëmbyem disa replika pa bereqet, u futëm në temë.
Filipi: -Kam kunatin student. Nuk të kam rënë në qafë. Në fisin e gruas, ky del më me tru. Ka problem vetëm anglishten. Bëni derman!
Rektori: – Mësuesja e anglishtes është ters. Ndryshonte puna po të kishte provim frëngjishten?!
Filipi: – Nuk ka problem. Kunatit i vlen nota. Jo gjuha. Nuk besoj se një ditë do të japë frëngjisht në shkollë!
Rektori ngriti supet. Thirri në zyrë zyshën. Pasi mori direktivat, zysha nisi të “gatuajë” tezat. Kunati serbes, tërhoqi tezën. Po i qetë, e la mbi tryezë.
Zysha: – Nëse teza të duket e vështirë, mund ta ndërrosh. Do bëjmë kaq lëshim për ju!
Filipi: – Problemi është më i rëndë. Disa ditë më parë, kunati im u rrëzua nga krevati. U godit në trurin e vogël. Humbi ndjenjat. Kur erdhi në vete, ndodhi thagma. Mbante mend çdo gjë. Kishte harruar vetëm të fliste frëngjisht?!
Zyshës nga mallëngjimi i shpëtuan dy sumbulla me lot. Nisi konsultimin me Filipin: “Mendoj t’i vë pesë, sepse të tilla nota ka në librezë.” Miku im u ngrys: “Gabim! Duhet t’i vësh tetë, sepse njerëzit do të mendojnë se e ka marrë notën me ndërhyrje!” Zysha u bind.
Dy vjet më vonë. Në telefon kunati:
-Filip, më bën derman!…
-Mos i ka ndodhur gjë vjehrrit? Tha Filipi…
-Më keq: Më kanë emëruar të jap frëngjisht në gjimnazin e Lushnjës!…
-Urime! Do lësh fshatin. Fiton qytetin?…
Çfarë kishte ngjarë? Një javë më parë u mblodhën kuadrot e seksionit të arsimit në Lushnjë. Duhej një mësues i gjuhës frënge. Nga të gjithë mësuesit e Lushnjës, vetëm kunati i I Filipit kishte notën më të lartë…Dhe vendosën ta sjellin në Lushnjë…Nuk thotë kot populli-, qeshi Filipi,- Dardha e ka bishtin prapa?!