Mitro ÇELA/ Këshilla e Sabri Godos

585
Sigal

Behar 2009. Për të “vrarë” vapën dhe urinë, përfundova te “Strofka e Ariut”. Në sallë kishte zënë vend Sabri Godo. Ka shumë “sebepe” në jetë për të lidhur miqësi. Mua me Godon na ka “ngjizur” një frazë. Rreth viteve ‘80, punoja në gazetën “ZP”. Zanati ma donte të dilja me shërbim. Me hir, për të grumbulluar fakte. Me pahir, pa bërë 10-15 ditë shërbim jashtë Tiranës, nuk mund të firmosje në të flamosurën bordero. Shërbimi i radhës: Skrapari.

Në kthim, mora autobusin, në Lushnje hipa në tren. Përfundova ballë për ballë me Sabri Godon. Kur treni mori rrugë, Sabriu më zgjati një qese letre të mbushur me mandarina. I thashë:
-“Ç’e deshe”! Zgjata dorën, mora mandarinën, e qërova dhe e hëngra gjithë lezet! Kur përfundova, Sabriu ma zgjati përsëri qesen. Thashë: -“Ç’e deshe”! Zgjata dorën. Rrëmbeva një kokërr. I njëjti rit nga shkrimtari dhe unë u përsërit, derisa qeska u boshatis. Pasi e hodhi qeskën në koshin e plehrave, më thotë: -“Mandarinat i bleva edhe shtrenjtë, edhe me mik. I pëlqen zonja, i bëra rrush e kumbulla sepse më pëlqeu riti: Ç’e deshe?” Ku e ke praktikuar? -E kam huazuar nga beratasit, kur ndenja tre vjet për të bërë stazhin e partisë. Përzura kujtimet dhe u ktheva në realitet. Më thotë Godo: -T’i lexoj haberet. Disa më duken të korkolepsura, nuk i kuptoj, më lodhin. Pse kështu Mitro? -Mos kërko shpëtim tek unë. Disa gjëra nuk i kuptoj as vetë!
Qeshi. “Ke të drejtë, fajin e ka koha ku jetojmë. E korkolepsur politika, mish-mash biznesi. Anapulla shtypi. E do një këshillë? Shkruaj për të shkuarën. Kujtimet të dalin më sakllam”.