Mirënjohje e pakufishme për Kongresin Amerikan dhe Kongresmenin Eliot L. Engel

816
Qënka shumë e vështirë të flasësh për veten edhe pse jemi mësuar që të promovojmë personalitete të fushave të ndryshme, intervistojmë, investigojmë, vlerësojmë dhe pse jo, edhe të kritikojmë kur misioni ynë e kërkon dhe e konsideron si domosdoshmëri dhe detyrim ndaj qytetarëve, kombit dhe lirisë së shprehjes dhe fjalës. Sigurisht që misioni ynë është që të jemi sa më transparent, sa më afër të vërtetës, që mos të shpifim, por edhe të kemi kurajën të kërkojmë ndjesë për çdo lloj tejkalimi të masës apo shkelje të lirisë së të tjerëve. Sigurisht në një vend që sapo ka dalë nga diktatura dhe censura e fjalës së lirë edhe ndodh që në raste të veçanta të ketë tejkalime, por e përgjithshmja është se “Telegraf” ka qenë dhe do mbetet përherë frymëzuese e lirisë, mbështetëse e palëkundur e interesave qytetare, përkrahëse e drejtësisë dhe denoncuese e çdo abuzivizmi nga pushtetet lokale, qendrore dhe institucione të tjera të shtetit. 



Njihet mirë thënia e Xhefersonit në lidhje me lirinë e shtypit dhe me rolin e gazetarit. Ndonëse ai kritikohej ashpër nga gazetat e kohës së tij, megjithatë besimi i tij në lirinë e shtypit dhe të gazetarit ishte aq i fortë, ndërkohë që ka shprehur bindjen se shtypi i lirë luan një rol më të rëndësishëm se vet qeveria. “Po të detyrohesha të zgjedh ose të vendos midis një qeverie pa gazeta, apo në favor të ekzistencës së gazetave pa qeveri, unë nuk do të hezitoja aspak të vendosja për këtë të fundit”, ka thënë Xhefersoni. Këtë vlerësim unë e ndjeva nga afër si Drejtor i Gazetës “Telegraf” për promovimet e vlerave kulturore, patriotike, demokratike, antiterroriste dhe miqësisë së veçantë në promovimet e vlerave të popullit dhe demokracisë amerikane. Gjithashtu mirënjohja për LANÇ, mbështetja dhe mbrojtja që populli shqiptar u dha familjeve hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur nazistët hitlerianë kërkonin t’i shfarosnin, përbën një tjetër vlerë të Gazetës “Telegraf”. Këtë vlerësim dhe atmosferë amerikane gjeta edhe unë personalisht kur me propozim të Kongresmenit Eliot L. Engel, në Godinën e Kongresit Amerikan u ngrit flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shenjë respekti për drejtimin dhe vlerat e Gazetës “Telegraf”. 

                

Një falënderim special i shkon padyshim mikut të shqiptarëve Kongresmenit Amerikan, Eliot L. Engel. Shumë faleminderit i nderuari Kongresmeni Engel! Mirënjohje pa kufi për zonjushën Ermira Babamusta, një vlerë e kombit shqiptar, pasi është pikërisht ajo që garantoi Kongresin Amerikan për miqësinë dhe besimin e vlerave pro demokratike dhe amerikane të Gazetës “Telegraf” dhe për mua personalisht. Një falënderim special për atë që mundëson botimin e Gazetës “Telegraf’, Agim Çiraku pa kontributin e të cilit asnjëgjë nga çfarë është folur, nuk do të mund të gjente realizim dhe zbatim. Dhe së fundi, megjithëse kam komunikuar në faqet elektronike të Gazetës “Telegraf”, përsëri më duhet të falënderojë nga zemra ata qindra dhe mijëra shqiptarë brenda dhe jashtë vendit që me telefonatat dhe mesazhet e tyre më uruan dhe më dhanë besimin e tyre! 

Shumë Faleminderit!

Sinqerisht Engjëll Musai, Drejtor i Gazetës “Telegraf”
Sigal