Mirela Karabina: Mësuesi, “peng” i arrogancës së pushtetit

913
Mësuesi , “kavie” në duart e arrogancës së vazhdueshme të pushtetit
Përdorimi politik i arsimit, tashmë, dukshëm është në filozofinë e politikave qeverisëse. E mbërthyer nga arroganca e pushtetit, Ministria e Arsimit ka futur në kolaps të gjithë sistemin arsimor, e ka sjellë çorientim të arsimit në çdo qelizë, fyerje e inteligjencës, shpërfillje të mësuesit, tallja me publikun është kthyer në normalitet për ministrinë përgjegjëse për arsimin. Filozofia e ndjekur është e qartë, tashmë: Rrënimi i arsimit, goditja e qëllimshme e figurës së mësuesit përballë shoqërisë që të ndihet fajtor kur nuk është, kokulur dhe pa fjalë, i shtypur dhe pa shpresë. Dhe ky qëllim është arritur! Klima pozitive në punë, motivimi i mësuesve me qëllim rritjen e kënaqësisë nga puna janë larg së qeni pjesë e strategjisë së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Mësuesi shqiptar, tashmë, “kavie” në duart e pushtetit, është duke kaluar në ditët më të vështira. I shpërfillur përballë çdo ndryshimi të menjëhershëm që ndodh në sistemin arsimor, i shantazhuar me portale e testime për vendin e punës, i goditur përballë shoqërisë si i paaftë, mësuesi shqiptar është duke jetuar një tmerr pa fund: pasigurinë për vendin e punës, burimin e vetëm të jetesës së tij. Pasiguria dhe shantazhimi i punonjësve për humbjen e vendit të punës është lajtmotivi dhe motoja e punës që mban ritmin e Ministrisë së Arsimit. Tashmë, nën këtë moto dhe filozofi, ndryshimi ka prekur disa nene të Ligjit Nr.69/2012 “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i cili në formën e një projektligji është bërë gati për t’u paraqitur në Parlament. I konsideruar si një ligj me një konsensus të gjerë, me votat e 128 deputetëve nga të gjitha palët dhe me standarde, Ministria e Arsimit, për të dytën herë që nga 2015-ta, do të bëjë ndryshime në një ligj të pranuar dhe të vlerësuar. Ndryshimet vijnë pa asnjë konsultim me grupet e interesit, tregues i mostransparencës dhe problematikave serioze në sistem që do shkaktojnë ndryshimet. Kështu, ajo që të bën përshtypje në një nga ndryshimet e propozuara është zëvendësimi i tri diplomave të ciklit të dytë “Master” të formimit universitar për drejtuesit e institucioneve arsimore, mësuesit e arsimit special dhe mësuesve të arsimit profesional me certifikata të formimit të vazhduar me kurse një mujore, të cilat fillimisht do të sponsorizohen nga organizata ndërkombëtare. Kjo do të sjellë ulje të viteve të shkollimit, duke ndikuar në cilësinë e formimit dhe do të diktojë mbylljen e programeve të studimit të ofruara nga universitetet prej 10 vitesh duke çuar dëm investimin dhe përvojën e universiteteve në zhvillimin e programeve dhe të fushave përkatëse të shkencave të edukimit. Këto kurse do të organizohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrisë përgjegjëse për arsimin. Më e rëndësishmja është se këto ndryshime bien ndesh me legjislacionin për mësuesinë si profesion i rregulluar. Si mund të garantosh cilësinë e mësuesve me certifikatë, nëse nuk respekton kërkesën për diplomën “master”, për vitin e praktikës dhe provimin e shtetit? Kjo është shkelje flagrante e ligjit. Por, amendamentet e paraqitura në lidhje me certifikimin e këtyre kategorive, bien ndesh me ligjshmërinë, kështu që, duhen ndryshuar pesë dokumente ligjore: Ligji i Arsimit Parauniversitar, Ligji i Inspektimit te Shtetit (për ISHA), Ligji i Arsimit të Lartë, neni 82,83, VKM për profesionet, Dispozitat Normative. Një tjetër ndryshim i qenësishëm, i propozuar, ka të bëjë me klasifikimin e diplomave të mësuesve të arsimit fillor. Me të drejtë, mësuesit sot janë të paqartë dhe ndihen të frikësuar, pasi ky ndryshim prek klasifikimin në pagë të tyre.

Kështu, diploma e mësuesve të arsimit fillor nga viti 1985 – 2008 do të quhet “Bachelor”, sipas nenit 124, pika 1 në Ligjin e Arsimit të Lartë e përcakton :
”1. Diplomat e programeve të studimit, që kanë zgjatur 3 vite (6 semestra), janë ekuivalente me diplomat “Bachelor “. 
Dhe në ndryshimet e propozuara në nenin 14, të projektligjit ku do ndryshohet neni 57 ekzistues për profesionin e mësuesit mësuesi i arsimit fillor qartazi thuhet:
“1. Mësuesi për arsimin parashkollor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë, “Bachelor”, që formon mësues të arsimit parashkollor.
2. Mësuesi për arsimin fillor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor” dhe diplomë të ciklit të dytë “Master Profesional”, që formon mësues të arsimit fillor”. 
Bazuar në përcaktimet ligjore mësuesit e arsimit fillor do t’i duhet të ndjekin ‘Master profesional” për të plotësuar ciklin e studimeve me tetë semestra. Në rast të kundërt, do kenë ulje në page, sepse në ndryshimet e propozuara është përcaktuar qartë sipas nenit 17 të projekt/ligjit në nenin 72 ekzistues të ligjit do të shtohet pika 6:
“Personeli mësimdhënës, që ka përfunduar studimet universitare në ish-institutet e larta pedagogjike, diploma e përfituar u njihet si arsim i lartë, tetë semestra, për efekt page”.

Pra, e qartë, mësuesit e arsimit fillor konsiderohen me diplomë “Bachelor”, sepse kanë gjashtë semestra. Në mënyrë të paprecedentë, ministria e arsimit ka vendosur të zhvlerësojë diplomën me titull “Mësues” të mësuesve të arsimit fillor. 

Si mundet të bëhet ekuivalentimi në diplomë “Bachelor” bazuar në semestra? Ajo bëhet me kredite. 

Cili është “Masteri profesional” për mësuesit e arsimit fillor të cilët kanë diplomën “Mësues”?

Cila është baza ligjore për këtë lloj ‘masteri’, vetëm numrat e semestrit?

Ministria e Arsimit ka detyrimin institucional dhe moral të jetë transparente dhe t’i japë shpjegime një armate të tërë mësuesish, nënash, familjareve dhe kryefamiljareve të shqetësuara për të ardhmen e tyre. Të lërë mënjanë kakofoninë e termave dhe shpërfilljes së mësuesit. Të sqarojë ligjin, projektligjin me ndryshimet e tij dhe bazën ligjore së cilës ajo i referohet me retorikën boshe të përdorur në lidhje me deklaratat, aspak profesionale, të bëra për këtë problem. Por, ajo që të bën përshtypje është se ndryshimet e propozuara nga Ministria e Arsimit janë bërë pa asnjë konsultim paraprak me fakultetet e mësuesisë. Tashmë, në praktikën e punës së saj si ‘pronare e arsimit”, Ministria e Arsimit ka vendosur mbi fatin e vlerësimit të diplomave të breza mësuesish. Në fakt, janë fakultetet e mësuesisë që duhet të jenë të parët dhe të kenë peshën e ekspertizës në vendosjen e klasifikimit të diplomave. Por, qartazi, liria akademike është një utopi. Universitetet janë zbatues të urdhrave të Ministrisë së Arsimit. Në rastin konkret janë të shpërfillur. Dukshëm, ndryshimet në Ligjin e Arsimit Parauniversitar nuk kanë të bëjnë me përmirësimin e sistemit arsimor, por kanë synime elektorale dhe përmbushin interesa, duke dëmtuar cilësinë në arsim. Kjo demagogji kalimtare, çdo ditë e më shumë godet vlerat. Por, deri kur? Mësuesi shqiptar meriton një vëmendje të madhe dhe një mbështetje të merituar, sepse ai është pjesë e drejtimit dhe formimit të shoqërisë. Kështu që, sado të përpiqen që të zhvlerësojnë mësuesin, të godasin profesionalizmin e tij, nuk do ia dalin sepse –“vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk mund të maten”- thotë Konfuci. Ministria e Arsimit nuk mund të përdorë mësuesin, si “kavie” të paaftësisë së saj.
Sigal