Mirela Karabina: Edhe prindërit si “Kartë mbrojtëse” e zullumit të MASR

1010
Sigal

Ministria e Arsimit, këto ditë, ka qenë në vëmendje të publikut, jo për kujdesje apo zhvillime pozitive në drejtim të mbylljes së një viti të trazuar shkollor, por me një tjetër lëvizje të saj në dëm të shkollës. Në emër të “shkollës dhe qeverisë” , ministria e arsimit me e-mail dhe mesazhe urdhëron drejtuesit e shkollave dhe mësuesit, në zbatim të kërkesës së Kabinetit të Kryeministrit, të skanojë të dhënat e prindërve, numrat personalë të identifikimit, në shkelje hapur të Kushtetutës dhe Ligjit: “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Një lëvizje e guximshme dhe një përgjegjësi e madhe e ministrisë përgjegjëse për arsimin! Në një delir të drejtuar, me një botë virtuale të propaganduar, demagogjia verbuese e ministrisë së arsimit i është drejtuar këtë radhë prindërve. I painformuar dhe i paditur për çfarë ndodh, i urdhëruar si për çdo gjë, kokulur dhe pa fjalë mësuesi detyrohet t’i kërkojë prindërve Numrin Personal të Identifikimit. Dhuna psikologjike ndaj mësuesit (filozofia e të vepruarit e ministrisë së arsimit) duke e kthyer atë në një “taksidar” që duhet të marrë “haraçin” që i takon pushtetit, ministria e arsimit në shkelje të kushtetutës dhe ligjit, i jep të drejtën vetes të zhvlerësojë Numrin Personal të prindërve duke e bërë publik atë. Aktualisht, ministria e arsimit është duke mbledhur me urgjencë të dhënat edhe të prindërve të maturantëve, të cilët edhe pak ditë janë në shkollë.

Por, për çfarë duhet ky numër?

Në një prononcim Ministrja e Arsimit deklaron se këto të dhëna shërbejnë për komunikim me prindërit dhe informim të tyre në lidhje me shkollën. E guximshme në këtë gënjeshtër sa naive, aq fyese për inteligjencën tonë! Vetëm për informimin e prindërve nuk është menduar deri më tani. Se, nëse po, para se të kërkonte numrin personal të prindërve për qëllim komunikimi dhe informimi elektronik ministria përgjegjëse për arsimin duhet:

– të sigurojë hapësirën e duhur për prindërit në shkollë, dhe jo vetëm një herë në muaj në takimin me prindër, por të ketë ditë takimesh dhe të jetë e hapur e transparente me ta;

-të informojë dhe argumentojë ndryshimet e shpeshta që ndodhin në sistemin arsimor;

-të informojë prindërit për kurrikulën e ndryshuar dhe të argumentojë ndryshimin e saj, të tregojë zbatimin dhe përvetësimin nga nxënësit të kësaj kurrikule dhe mundësitë që ofron shkolla;

-të jetë transparente me prindërit, t’i bëjë pjesë si partnerë të saj, sepse është arsimimi i fëmijëve të tyre;

– të sigurojë një tavolinë dhe kompjuterin për mësuesin që të punojë në shkollë, që të realizojë komunikimin dhe informimin elektronik me prindërit;

-të menaxhojë dhe përcaktojë kohën kur do ta bëjë mësuesi këtë informim në rrugë elektronike, sepse koha e përcaktuar në shkollë është vetëm për mësim dhe mbështetje të nxënësit gjatë orarit mësimor; (mësuesit në shkollë janë deri në orën 14.00)

-të sigurojë adresë elektronike për të gjithë mësuesit, sepse realiteti i hidhur i yni dikton pamundësinë e një pjese të mirë të mësuesve për adresë elektronike, pasi nuk është në praktikën e punës së tyre, ndërkohë që të ardhurat për pjesën më të madhe të mësuesve nuk mundësojnë pasjen e kompjuterit në shtëpi. Gjithashtu rezulton që një pjesë e madhe e prindërve nuk kanë adresë e-maili, pasi nuk është pjesë e jetës dhe punës së tyre.

Pra, mësuesit në shkollë nuk e kanë mundësinë e takimit dhe informimit elektronik me prindërit, në shtëpi janë të kufizuar, atëherë si do bëhet ky “alla-informim elektronik” me prindërit?

Përdorimi i teknologjisë në mësimdhënie është larg së qeni standardeve evropiane, standarde të cilat ne duam të arrijmë, dhe të kërkosh, tani, përdorimin e saj për informimin e prindërve është tregues i “humbjes” së orientimit përballë realitetin të trishtë që na ofrohet. E artikuluar disa herë nga kjo ministri përdorimi i teknologjisë si “risi e saj” (me një e dy video-projektorë në shkolla, me një klasë digjitale për 1000-1800 nxënës që nuk mjaftojnë e nuk punojnë, me platformë online që nuk funksionojnë), shkollat tona dhe nxënësit tanë janë larg së qeni botës teknologjike në shërbim të dijes. Dëshira e prindërve, të cilët i kanë sytë dhe mendjen tek shkolla, është që fëmijët e tyre të arsimohen me standarde evropiane, botë së cilës ne i përkasim fizikisht, por shkolla i mban larg ata mendërisht. Për këtë janë të interesuar prindërit. Prindërit, jo vetëm nuk informohen për standardet e ofruara nga shkolla, se çfarë ndodh në shkollat e fëmijëve të tyre, pra:

  • A janë hapësirat në klasa të përshtatshme për mësim?
  • A është numri i fëmijëve në klasa i pranueshëm?
  • Çfarë strategjie po përdoret për përmirësimin e tyre?
  • Si mësojnë fëmijët e tyre?
  • Çfarë kurrikule përdoret dhe pse përdoret kjo?
  • Si po zbatohet?
  • A janë siguruar mjetet mësimore?
  • A mbështeten mësuesit në përmirësimin e mësimdhënies?
  • A përdoret dhe si përdoret teknologjia në mësimdhënie?
  • Pse prindërit nuk kanë hapësirën e domosdoshme për informimin e herëpashershëm?

Por e vërteta është se prindërit përballen me absurdin, me paligjshmërinë e kërkuar nga institucioni shkollë, drejtpërdrejtë për ta: Numrin personal.

Prindërit janë partnerë të rëndësishëm të shkollës, janë mbështetësit më të mëdhenj të saj, por, mjerisht e fatkeqësisht, ashtu si mësuesit e nxënësit, arroganca e pushtetit guxon përmes kësaj kërkese përdorimin e tyre.

Prindërit të habitur dhe të surprizuar nga kërkesa e “çuditshme “ e ministrisë së Arsimit, e cila vërejtjet e tyre për cilësinë në shkolla i injoron, ndihen të zhgënjyer dhe të keqpërdorur duke humbur kështu besimin tek mësuesi dhe shkolla. Politikat qeverisëse duhet të zhvillojnë shkollën, të forcojnë marrëdhënien me prindërit si partnerë të fuqishëm dhe kurrsesi përdorimin e shkollës në dëm të saj.

Prindërit janë dëshmitarë realë të gjendjes në shkollat e fëmijëve të tyre dhe po vuajnë pasojat e politikave rrënuese të arsimit. Shkollat tona, në këto ditë të fundit të vitit shkollor, janë në një anormalitet të drejtuar: Mësues të kthyer në burokratë shkresurinash mbi letra e dosje fiktive të nxënësve, sepse ato janë objekt kontrolli për punën e tyre, duke zvogëluar kohën e mësimdhënies dhe nxënës të çorientuar mbas një viti me ndryshime të menjëhershme thelbësore në sistemin arsimor, por që për ta mbetën sipërfaqësore. Këtë duhet të tregojë dhe t’u komunikojë prindërve ministria përgjegjëse për arsimin, për këtë duhet të japë llogari përpara tyre, të cilët investojnë shumë për arsimimin e fëmijëve dhe jo të skanojë të dhënat e tyre.

Deri kur do vazhdojmë kështu?

Me mesazhet dhe email-et e“kohës digjitale”, ministria përgjegjëse për arsimin përdor shkollën jo në shërbim të saj, jo në shërbim të përmirësimit të njëmijë e një problemeve që ka, jo në shërbim të komunitetit të prindërve, jo në shërbim të së ardhmes, por në shërbim të interesave të pushtetit të saj. Pasi nxënësit janë kthyer në “objekte laboratorike “ me eksperimentime dështake, pasi mësuesit përdoret në mënyrën më të keqe të mundshme duke denigruar figurën e tij përballë shoqërisë, tashmë, ministria përgjegjëse për arsimin i jep të drejtën vetes të “gllabërojë” komunitetin e prindërve përmes “mburojës” mësues. Skanimi i të dhënave personale nga shkolla, në këtë rast ofrohet dhe falas, të një komuniteti shumë të madh, komunitetit të prindërve, qartazi, nuk është gjë tjetër veçse një shërbim në dobi të pushtetit vendor dhe qendror. Prandaj dhe guximi është i madh, sepse arroganca e pushtetit ndihet e gjithëpushtetshme duke përdorur prindërit si “mekanizëm mbrojtës” të zullumit të saj. Ministria përgjegjëse për arsimin ka detyrimin institucional që në vend të kërkojë “informimin online” me prindërit, duhet të kërkojë të realizojë “informimin offline” ballë për ballë me ta, të hapë dyert e shkollës për prindërit që të shikojnë ku mësojnë dhe si mësojnë fëmijët e tyre, pasi ato janë në dilema të mëdha përballë një realiteti të bukur virtual të servirur çdo ditë dhe një realiteti që e jetojnë dhe e vuajnë së bashku me fëmijët e tyre. Propaganda verbuese me argumente të rreme, po lë pas gërmadha që do të na duhet kohë t’i pastrojmë…